BREAKING NEWS

Do kandidojë në Durrës përballë Bashës? Vjen reagimi i papritur i kryeministrit Rama: Mos hapni llafe kot. Ja cilin qytet kam zgjedhur

Do kandidojë në Durrës përballë Bashës? Vjen
x

Sport

Juventusi planifikon ta huazojë Vrionin, Gjimshiti me ëndrra Championsi

Juventusi planifikon ta huazojë Vrionin, Gjimshiti me ëndrra

Lojtarët e Kombëtares po bëjnë llogaritë e sezonit që sapo u mbyll dhe një pjesë po projektojnë pozicionin e tyre në Champions League, sikurse ndodh me Berat Gjimshitin, mbrojtësin kuqezi që aktivizohet me Atalantën në Serinë A. Por vëmendjen orët e fundit në Serie A e mori një shqiptar me moshë fare të re, Xhakomo Vrioni, i cili luajti disa minuta me Juventusin e madh. Në fakt, Vrioni është padyshim një nga talentet ku ofensiva e Kombëtares do të mbështetet së shpejti. Sulmuesi në merkaton e janarit iu bashkua të rinjve të Juventusit, por cilësitë e tij janë vënë re nga Sarri dhe trajneri italian e ka ftuar vazhdimisht në ndeshjet e ekipit të parë. Në sfidën e fundit ndaj Romës, të humbur 1-3, që ishte edhe e fundit për bardhezinjtë, Vrioni arriti të hyjë në lojë dhe të debutojë me fanellën bardhezi. Ai u aktivizua nga Sarri në minutën e 79, kur zëvendësoi Gonzalo Higuain. Një moment i paharrueshëm për sulmuesin, i cili u bë nga të paktët shqiptarë, që luan në një ndeshje zyrtare të kampionëve të Italisë. Gëzimin Vrioni e ka ndarë edhe me mbështetësit e tij në “Instagram”. Sulmuesi ka shpërndarë një video nga momentet e debutimit, ku shkruan: “Një ëndërr që bëhet realitet, një mbrëmje e paharrueshme dhe një stimul i mëtejshëm për të vazhduar të rritem dhe të përmirësohem çdo ditë e më shumë”.

Karrierë me shumë ekipe për Vrionin

Ky sezon i Xhakomo Vrionit ka qenë padyshim më i veçanti për të dhe më i arriri nga ana profesionale. Në fillim të sezonit sulmuesi ishte në pronësi të Sampdorias, por ky klub e kishte huazuar në Serie B te Çitadela, ku luajti në katër ndeshje. Në merkaton e dimrit, cilësitë e tij ranë në sy të Juventusit dhe bardhezinjtë e transferuan në këmbim të tre talenteve, që kaluan te Sampdoria. Vrioni u aktivizua fillimisht te të rinjtë e Juventusit, ku arriti të luajë në tre ndeshje në Serie C dhe të gjejë një herë rrugën e rrjetës. Më pas Sarri e pëlqeu dhe vendosi ta grumbullojë në disa ndeshje të Serie A dhe Kupës së Italisë, por pa i dhënë mundësi të debutojë. Momenti i shumëpritur erdhi dhe Vrioni debutoi në ndeshjen e fundit të kampionatit ndaj Romës, ku u aktivizua në minutën e 79 në vend të Higuain. 11 minutat e luajtura me skuadrën e parë regjistruan një rekord shumë të veçantë për Vrionin. 21-vjeçari ka mundur të aktivizohet në tre ligat italiane, Serie A, B dhe C brenda një sezoni të vetëm. Një rekord unik për sulmuesin, i cili tashmë ka misionin për të luajtur sa më shumë me bardhezinjtë, me qëllim aktivizimin e vazhdueshëm në një kampionat si Serie A, qoftë apo jo me Juventusin.

Gjimshiti me ëndrra Championsi

Berat Gjimshiti zhvilloi një sezon të shkëlqyer me Atalantën, duke zënë vendin e tretë në renditjen e Serisë A dhe duke siguruar pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve. Skuadra me qendër në Bergamo, ka bërë një edicion fantastik dhe në këtë ecuri Gjimshiti ka pasur një rol të veçantë, pasi ka luajtur shumë minuta, ka bërë mbulim preciz të rivalëve të fortë dhe madje ka ndihmuar edhe në shënimin e golave, duke qenë ndër lojtarët më të spikatur të skuadrës së tij. Padyshim ë mediat sportive italiane dhe opinionistët e ndryshëm e kanë cilësuar si një prej më të mirëve në Serinë A të këtij sezoni. Që ai ka peshë në radhët e grupit e dëshmojnë edhe deklaratat e herëpashershme të trajnerit Xhianpiero Gasperini, i cili është shprehur se Gjimshiti është pikë e fortë e Atalantës dhe objektivave të saj madhor. Pra Gjimshiti e ka siguruar qëndrimin tek Atalanta edhe më tej, teksa nuk e ka fshehur ëndrrën për të vazhduar në Champions edhe më tej, ndoshta për të fituar finalen e madhe dhe t’i japë Atalantës një titull me “veshë të mëdhenj” sikurse është trofeu i Champions League. Me pak fjalë, mbrojtësi shtatlartë i përfaqësueses kuqezi po ëndërron dhe flirton me Ligën e Kampioneve. Shoti e ka vendosur Atalantën përballë Paris San Zhermen, një short shumë i vështirë, por duke qenë se Atalanta është shndërruar në mace të zezë për ekipet e mëdha europiane, nuk do të mungojnë surprizat as këtë herë. Për surprizë ka folur edhe vetë Gjimshiti, që beson se skuadra nga Bergamo mund të jetë një “hirushe” e madhe e këtij sezoni.