
Meta shpërthen ndaj Ramës, i kujton kohën kur ishte kryebashkiak: Më qepej nga prapa si xhol dhe…

E frikshme/ Bie rrufeja në Berat, shkrumbohet shtëpia, zjarrfikësit shpëtojnë mrekullisht...

Covid-19 në Shqipëri/ Ministria e Shëndetësisë publikon shifrat, ja sa raste të reja ka pasur në 24 orët e fundit

Ngjarja tragjike në Himarë, Spartak Ngjela plas deklaratën e fortë për ish-efektivin e policisë: Na del të jetë...

Ndryshim drastik i temperaturave, çfarë pritet të ndodhë me motin ditën e nesërme

Frrok Çupi zbulon emrat e bujshëm që janë hequr qafe nga politika dhe i nxjerr në shesh të gjitha: Azem Hajdari më tha se ‘o do ta vras Berishën, o do më vrasë’, Ilir Meta donte të ekzekutonte Becchettin për 2 milionë euro, ja si e helmuan me kafe amb...

Çfarë po ndodh? Dy shpërthime në Tiranë/ I vendoset eksploziv dy banesave, policia zbardh detaje

Shtohen telashet për Ilir Metën, Kuvendi i kërkon Autoritetit të Dosjeve të publikojë emrat e ish-sigurimsave që janë pjesë e Administratës Publike

Kajo Myftarago: Kam 65 vjet që ushtroj maratonën, por kulmi i atletikës shqiptare ishte në vitet 1960-1980

Shkruar nga SOT.COM.AL 3 Gusht 2022

Atletika shqiptare ka ulje-ngritjet e saj, por këtij sporti nuk i kanë munguar asnjëherë elementët cilësorë, që kanë regjistruar suksese të mëdha kombëtare e ndërkombëtare. Dëshmi e fundit e këtij suksesi është atletja Luiza Gega, që doli e pesta në Kampionatin Botëror dhe është momentalisht numri një në Europë në 3000 metra me pengesa. Por atletika ka shumë disiplina dhe disiplinat e saj kanë përfaqësuesit e tyre cilësorë ndër vite. Maratona është ndoshta disiplina më e vështirë, që kërkon shumë sforco, por edhe kjo disiplinë ka pasur kampionët e saj. Një prej tyre po e sjellim sot në intervistë në këtë rubrikë të gazetës “SOT”. Bëhet fjalë për Kajo Myftaragon, atlet, skiator, parashutist. Ky njeri ka 65 vjet që vrapon dhe merr pjesë nëpër maratona, duke zënë vazhdimisht vende nderi. Në këtë intervistë ai flet për veten, kohën e shkuar dhe të tanishme, por me theks të veçantë në maratonën e fundit të zhvilluar më 30 korrik në Pogradec.
Kush është Kajo Myftarago?
Datëlindja: 28.02.1943
Vendlindja: Selcë, Korçë
Sporte të ushtruar: Maratonë, Ski, Parashutë
Klubet: Skënderbeu, Labinoti, Sopoti
Arritje sportive
Kampion i Ballkanit në 2000 m/p
20 vjet anëtar i ekipit kombëtar të atletikës
65 vjet sport aktiv të pandërprerë
- Ju ishit një nga fituesit në maratonën e Pogradecit të zhvilluar para pak ditësh. Duket e pabesueshme për moshën tuaj, por ndoshta kjo mund të jetë inspiruese për të rinjtë. Çfarë e bënte të veçantë këtë aktivitet dhe si do ta përkufizonit rezultatin tuaj?
- Maratona e Pogradecit, MinimaratonNight , Enkelana International 10 km, ishte një aktivitet shumë masiv dhe që ngjalli emocione, për më tepër që pjesëmarrja përfshinte mosha nga 18 e në 80 vjeç. Një tjetër vlerë e aktivitetit është se maratona është në kalendarin e federatës europiane dhe kjo është gjë e mirë, pasi është e certifikuar. Itinerari i saj në ditën e parë ishte Lin-Pogradec 21 km i gjatë, kurse itinerari i dytë ishte Volorekë-rreth e qark qytetit deri në dalje të tij, plot 10 km. Të veçantë këtë aktivitet e bënte jo vetëm pjesëmarrja e gjerë, por edhe organizimi i shkëlqyer, nga zoti Dashamir Cali, si dhe Bashkia e Pogradecit. Për t’u evidentuar është edhe fakti tjetër se në maratonë merrnin pjesë sportistë e të pasionuar nga 50 vende të ndryshme të botës, mbi 600 sportistë, ku fanellën me numër 500 e mbaja unë. E thënë me fjalë të tjera, kjo maratonë ishte vërtet cilësore dhe la shumë mbresa. Për mua në veçanti, marrja e medaljes ishte konkretizim i punës time, përkushtimit dhe pasionit, por edhe motivim për të mos hequr dorë e për të marrë pjesë në të tjera maratona brenda e jashtë vendit. Një tjetër vlerë ishte prania e Pavlina Evros, si e ftuar nderi e aktivitetit.
- Kujt ia dedikoni këtë sukses?
- Si çdo gjë ka një majë, edhe atletika ka majat e saj. Periudha e vështirë e pandemisë solli jo pak probleme, ku shumë shokë e miq u ndanë prej nesh. Atletikës i iku një korife, si Suad Jegeni. Këtë sukses timin ia kushtoj me ngushëllim pikërisht këtij personi. Nga ana tjetër, ndihem krenar që kupën ma dorëzoi një sportiste e madhe e brezit të tij, sikurse është Pavlina Evro. Një dedikim për këtë sukses e kam edhe për mbesën time të vogël 15 muajshe, Kaila Myftarago.
- Ju keni lindur në një zonë të Korçës. Si ndodhi që iu ngjitët sportit?
- Anton Mazreku ka qenë liceist në Korçë njëlloj si Enver Hoxha, pra ata njiheshin. Anton Mazreku i tha për mua “ky person bëhet sportist”, nisur nga të dhënat sportive që kisha. Dhe kështu unë iu futa sportit, e me porosi nga lart edhe në role drejtuese, por jashtë vendit nuk më çonin për shkak të problemeve në biografi.
- Cilat kanë qenë maratona që të kanë lënë më shumë gjurmë? Po rezultati më i mirë ndonjëherë?
- Maratonat më të mira në të cilat kam marrë pjesë janë dy: njëra në Riçione të Italisë, ku kam vrapuar në temperaturë mbi 400C, një maratonë para disa vitesh dhe që ishte në kuadër të një turneu botëror, kurse maratona e dytë emocionuese ishte ajo e Njukasëllit në Angli, me pjesëmarrjen e mbi 50 mijë vetëve, në vitin 2009, ku unë pata gjithashtu një paraqitje shumë të mirë. Rezultati më i mirë që kam regjistruar në një maratonë të plotë 42 km është 2 orë e 36 minuta.
- Duke qenë se keni ushtruar atletikën në mënyrë të pandërprerë për mbi 6 dekada ju e njihni ecurinë e atletikës ndër vite dhe nivelin e saj. Kur mendoni se kanë qenë vitet më të mira të “mbretëreshës së sporteve”?
- Në këndvështrimin tim vitet më të mira të atletikës tonë kanë qenë kur ishte president federate Minella Kapo dhe Petrit Qendro. Periudha e artë e atletikës mendoj se ka qenë mes viteve 1960-1980, ku nga 10 sportistët më të mirë të vitit, 4 prej tyre ishin nga atletika. Atletika në atë kohë ka pasur një masivitet të tillë sa kishte aq ekipe sa ç’ka sportistë sot. Atletika e asaj kohe funksiononte me një ligj përkatës shumë të mirë, që bazohej tek kategoria. Kush kapte kategorinë merrte trajtimin ushqimor dhe privilegjet që nuk ishin të pakta. Pra sportisti vlerësohej e respektohej. Mos harroni që në atë kohë atletika kishte kuadro të zot, të specializuar dhe rezultatet kanë qenë vërtet të larta. Ishte në interesin e shtetit të kohës të kishte sa më shumë pjesëmarrje, pasi sporti është shëndet por edhe nder e krenari. Kuptohet, për të arritur në këto nivele kishte dhe kërkesë llogarie.
- Po atletikën sot si do ta përshkruanit?
- Atletika do njerëz që të kenë vullnet për të punuar, e jo për karrierë. E kam edhe shembullin, Taulant Stërmasi, trajneri i Luiza Gegës, i cili i është përkushtuar profesionit të trajnerit, plus që e ka edhe traditë familjare. Progresi i tij në nxjerrjen e sportisteve cilësore dhe në rezultatet e tyre është vërtet inkurajues dhe për t’u vlerësuar. Me këtë rast nuk mund të mos përmend disa kuadro sporti që kanë ndikuar pozitivisht edhe tek unë, si p.sh. trajnerët që më sollën deri këtu, ku veçoj Kujtim Bishqemin e Elbasanit, apo dhe trajnerin tim të parë në Korçë Andrea Berberi. Dua të kujtoj me respekt edhe trajnerin tim në ekipin kombëtar Thëllëz Duro, i Partizanit. Me respekt kujtoj edhe Belul Hatibin, docent në Institutin e Lartë të Kulturës Fizike “Vojo Kushi”, por edhe doktor Lluka Heqimin që unë do ta cilësoja “pasuri kombëtare”. Në këto suksese të gjata në kohë, kam pasur edhe inkurajimin e medias sportive, ku dua të veçoj gazetarët Defrim Methasani dhe Pirro Ruvina.
- Nuk folëm për infrastrukturën. Edhe ajo është një problem jo i vogël që ndikon në masivitet dhe në rezultate. Cili është mendimi juaj?
- Në rininë time thuajse çdo qytet kishte pistë atletike por ato ishin me dhe, ashtu ishte koha. Sot vendit i duhen sa më shumë pista me tartan, por edhe këtu ka mangësi, pasi Tirana është kryeqyteti i vetëm në botë sot për sot që nuk ka pistë atletike me standarde. Një kryeqytet pa pistë atletike..., ndoshta kjo tregon shumë.
- Sot në atletikë shumë disiplina po shuhen, nuk ka sportistë për to. Të paktën në kohën tuaj mund të krenoheshit që në çdo disiplinë kishte pjesëmarrje, apo jo?
- Më vjen keq, por duhet të tregohemi të saktë kur flasim. Kishim jo thjesht pjesëmarrje, e cila ishte masive e prodhonte rivalitet, por kishim edhe rezultate shumë të larta, unë do t’i quaja të nivelit europian. Kishim kërcimin me shkop, hedhjen e çekiçit, hedhjen e shtizës, kërcimin së larti etj, disiplina që kishin rezultate shumë të larta në atë periudhë e që sot pothuajse janë shuar fare. Pavarësisht sistemit, sporti ka pasur kulminacione në atë kohë, kjo është e vërteta.
- Së fundmi, a nuk ju ka shkuar mendja të tërhiqeni. Mosha bën punën e saj...
- Jo, absolutisht jo. Unë jam maratonist dhe nuk e ndal vrapin. Gara e radhës do të jetë maratona e Selanikut, në muajin shtator, e për të cilën po përgatitem. E kam ndarë mendjen, o vij me medalje, ose s’vij i gjallë.
Intervistoi: Adriatik BALLA
Më të lexuarat


Mjeshtri i madh Mehdin Zhega, teknika dhe interpretimi

Skandali i merkatos së verës, futbolli shqiptar nuk është më tërheqës, mungojnë emrat e mëdhenj

Futbolli në zi/ Shuhet ish-presidenti i klubit legjendar

U ekzekutua nga polici me plumb në ballë, i jepet lamtumira e fundit sportistit të njohur, lot dhe dhimbje gjatë ceremonisë mortore (FOTO)

“Ylli” i ri i futbollit botëror, Erling Haland, nisje spektakolare me Sitin, Guardiola i thur elozhe

Miqësore luksi me Italinë U-19 në Koverciano, lajm është tensioni i Cungut para ndeshjes

Gëzim Çorja: Në rininë time, atletika kishte masivitet e rivalitet, sot i duhet më shumë investime në infrastrukturë

Start me humbje dhe zhgënjim për Mançester Junajtid, Ronaldo e nis nga stoli ndaj Brighton

Nuk pranoi të bëhej si Adnan Januzaj, talenti Shkurti zgjedh Shqipërinë para Belgjikës

I harruari Ndoj e bën sefte tek Breshia për sezonin e ri, Reja i detyruar ta ftojë në përfaqësuese
