BREAKING NEWS

Shqipëria nuk gjen qetësi / Plas arma në Elbasan, ekzekutohet një person në makinë

Shqipëria nuk gjen qetësi / Plas arma në Elbasan, ekzekutohet
x

Sport

Kamza Basket bën "mrekullinë" në Kupën e Shqipërisë, mposht Vllazninë dhe rrit shanset për të shkuar në finale

Kamza Basket bën "mrekullinë" në Kupën e

Pas dhënies së lejes nga qeveria, që i hapi rrugën zhvillimit të aktiviteteve të basketbollit, Federata Shqiptare e Basketbollit po nxiton të përmbyllë veprimtaritë e saj sezonale, në mënyrë që gara të zhvillohet e plotë, brenda standardeve, por edhe me cilësi. Krahas kampionatit, radha i erdhi Kupës së Shqipërisë, e cila dhuroi jo pak emocione, nxitur dhe nga ndryshimi i formulës së garës që vjen si pasojë e pandemisë. Kupa zhvillohet me sistem grumbullimi, në dy grupe me nga 6 ekipe, ku duelojnë jo vetëm skuadrat e Superligës, por edhe ato të Kategorisë së Parë. Formula është e parashikuar me tek ndeshje dhe dy vendet e para në grup kalojnë direkt në gjysmëfinale e më pas fituesit në finale. Ndeshjet e Kupës së Shqipërisë zhvillohen në kompleksin e Goga Basketit në Xhafzotaj të Durrësit. Surprizat nuk kanë munguar në lojë e rezultate, por surpriza e madhe ishte Kamza Basket, që mposhti njërën prej skuadrave favorite të këtij edicioni, Vllazninë, e cila ka një buxhet disa herë më të madh se klubi i Kamzës. Kjo na dëshmon se në parket më shumë sesa paratë vlen shpirti i lojtarëve, loja e tyre, harmonia e grupit etj. Kamza ia doli me sukses, duke fituar me rezultat 98-96 ndaj një rivali që është pretendent për titull në Superligë.

Ndeshja

Vllaznia e këtij edicioni është ekip pretendent për trofeun dhe për të mundësuar suksesin ka marrë në gjirin e saj 9 lojtarë amerikanë. Por në këtë fazë të Kupës së Shqipërisë, i hasi “sharra në gozhdë”. Sepse përballë saj u vu Kamza, e cila, edhe pse nuk vinte si favorite në këtë duel, ia doli me një lojë brilante, e qëndrueshme fizikisht dhe me saktësi në aspektin tekniko-taktik, duke e fituar ndeshjen me rezultatin 98-96. Një fitore me vetëm dy pikë diferencë, që tregon për rivalitetin e madh në këtë ndeshje. Ishte një lojë që shkonte “majë më majë” në aspektin e rezultatit, por diferencën në fund e bëri Kamza, që e fitoi ndeshjen dhe tani paraqitet si pretendente për të shkuar në gjysmëfinale.

Ambicia

Duket e habitshme, por edhe pse skuadër e Kategorisë së Parë, Kamza, me dy fitore në grup, fillimisht ndaj Eagles e më pas ndaj Vllaznisë, shfaqet si pretendente të shkojë në gjysmëfinale, gjë kjo që mund t’i hapë rrugën dhe “oreksin” të pretendojë, pse jo, edhe trofeun e kupës. Pas fitores ndaj Vllaznisë, njërës prej skuadrave më të mira të sezonit, gjithçka mund të ndodhë me Kamza Basket. Jo vetëm kaq, por Kamza mban vendin e parë në renditjen e Kategorisë së Parë. Në një kampionat me disa faza, Kamza ka zhvilluar deri tani 12 ndeshje dhe ka korrur 12 fitore, duke qenë e pamposhtur. Në 4 takime që kanë mbetur ende të luhen, Kamzës i mjafton vetëm një fitore që ta sigurojë matematikisht ngjitjen në elitë. Me pak fjalë, edhe praktikisht, Kamza e ka siguruar këtë objektiv dhe sezonin tjetër do ta shohim në Superligë.

Mbështetja

Kamza ka bërë përpjekje për ta rritur nivelin e saj të basketbollit dhe hap pas hapi po e bën këtë falë një strategjie të qëndrueshme. Në këtë strategji rol thelbësor ka, padyshim, mbështetja që i ka dhënë skuadrës bashkia e Kamzës e vetë personalisht kryebashkiaku Rakip Suli. Kjo mbështetje do të vijë në rritje kur të largohet rreziku i infektimeve me koronavirus e të kthehen tifozët në pallatet e sportit dhe Kamza do ta ketë më të lehtë, pasi ka një tifozeri të zjarrtë. E thënë ndryshe, kjo ecuri e shkëlqyer në kampionat dhe në kupë, na dëshmon për një ngjitje spektakolare të Kamzës si skuadër elitare e basketbollit shqiptar.