Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Kamza U-18 shpallet kampione, Llazani: Triumfoi shpirti i grupit

Postuar: 26/05/2019 - 07:51

Goga Basket ishte surpriza e madhe e këtij sezoni në Superligën e meshkujve në basketboll, pasi mposhti 3-2 në finale Teutën pas një rivaliteti maratonë në finalen e “play-off”-it, me pesë takime. Ndërkohë, ekipi i 18-vjeçarëve të Goga Basketit, arriti deri në finalen e kampionatit të kësaj moshe, ku u përball me Kamzën U-18. Një finale e fituar nga skuadra e Kamzës me shifrat 84-64, duke bërë që pikërisht Kamza të ngrejë lart trofeun e sezonit. Një sukses që la gjurmë, pasi kjo skuadër e nisi edicionin me shumë vështirësi, me lojtarë të mbledhur, por në fund ia doli të triumfonte ndaj kundërshtarëve shumë të fortë. Për këtë kanë meritë trajneri Eni Llazani dhe të gjithë lojtarët, duke u konfirmuar si një grupim me të ardhme në basketbollin shqiptar, pasi një pjesë e lojtarëve të kësaj skuadre janë pjesë e ekipit kombëtar të 18-vjeçarëve. Në një prononcim për gazetën “SOT”, trajneri i Kamzës U-18 në basketboll për meshkuj, Eni Llazani, përgëzoi lojtarët e tij për punën e bërë dhe konfirmoi se një brez i tillë do t’i sjellë suksese edhe Shqipërisë. Ai e përkufizoi garën interesante dhe me rivalitet, duke veçuar disa prej lojtarëve më me peshë të grupit fitues. “U mbyll një kampionat i suksesshëm për moshën U-18 dhe Kamza shkëlqeu në këtë aktivitet, duke merituar titullin. Dua të veçoj në këtë sukses lojtarët e mi, me basketbollistë si Prodani, Hajdari, Meçaj etj, të cilët bënë një paraqitje cilësore. Pritej një fitore e ekipit tonë, pavarësisht rivalitetit, por kjo vjen falë punës dhe përkushtimit të grupit. Në fund mundëm Goga Basketin me rezultatin 84-64. Nuk ishte e lehtë, pasi kundërshtari kishte në përbërje lojtarin më të mirë të kampionatit për U-18, si dhe trajner të huaj. Por ne ia dolëm dhe kjo më jep kënaqësi, sepse u shpërblye puna dhe mundi i grupit”, u shpreh që në fillim Llazani. Më pas ai komentoi grupin, por edhe pozitën e tij si trajner i ri, duke e përkufizuar këtë sukses si një eksperiencë të bukur. “Kjo ishte diçka pozitive edhe për mua, - vijoi Llazani, - një eksperiencë e re dhe e bukur. Formuam një grup me lojtarë që vinin nga Shkodra, nga shkolla “Qazim Turdiu” etj. Nuk ishte aspak e lehtë, madje e nisëm keq, pasi pësuam humbje me Tiranën dhe me Gogën, por në fund ia dolëm ta mbyllnim me sukses. Ishte një përmirësim i grupit hap pas hapi dhe në fund ishte pikërisht ky grup që triumfoi, duke marrë titullin.” Duke komentuar më tej grupin, trajneri Llazani nuk la pa përmendur një tregues domethënës për ekipin, shtatlartësinë, që sipas tij është mbi mesataren e moshës. “Ky element është vërtet i mirë, pasi të pestë lojtarët e formacionit janë tek 190 cm, madje kemi dhe Xh. Hajdarin që është 207 cm. Një shtatlartësi e tillë është mbi mesataren e moshës”, theksoi Llazani. Kombëtarja U-18 ka në përbërje edhe lojtarë të skuadrës së Kamzës U-18 dhe Llazani nuk e fsheh gëzimin që ka drejtuar një grup që ka në përbërje lojtarë të përfaqësueses së kësaj moshe. “Ky grup kanë luajtur me kombëtaren U-16 dhe janë paraqitur mirë, - nënvizoi tekniku i ri i basketbollit, - shpresoj që edhe me U-18 të paraqiten mirë në ndeshjet që do të zhvillohen në Andorrë në kuadër të Europianit, Divizioni C”. Në fund, Llazani tha se ky projekt do të vazhdonte dhe shfaqi besim se djemtë do të mund të çajnë në klubet europiane, për të rritur në këtë mënyrë edhe nivelin e ekipit përfaqësues të Shqipërisë. “Projekti ynë vazhdon dhe unë uroj që ky grup lojtarësh të çajnë në Europë, për t’u bërë pjesë e klubeve europiane. Niveli i kampionatit të kësaj moshe ishte përgjithësisht i lartë dhe ne ia dolëm të triumfonim falë përgatitjes më të mirë fizike dhe qartësisë tekniko-taktike. Ia dolëm këtij suksesi në transfertë, pikërisht në fushën e rivalit tonë, Goga Basketit, dhe kjo i jep akoma më shumë vlerë suksesit tonë”, përfundoi Llazani.

Adriatik BALLA

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 19/06/2019 - 07:29

Në Europë të korruptuarve u vihen prangat në duar.

Postuar: 19/06/2019 - 07:28

Tirana po shndërrohet në skuadra më e suksesshme në tregun e kësaj vere.

Postuar: 19/06/2019 - 07:26

Partizani dhe Kukësi do të kenë një short shumë të vështirë në Europë dhe do ta kenë tepër të vës

Postuar: 18/06/2019 - 16:44

Shorti i Europa Leagues u hodh në Nyon të Zvicrës sot prej orës 15:30.

Postuar: 18/06/2019 - 07:29

Françesko Toti tërhiqet nga Roma pas 30 vjetësh në shtëpi.

Postuar: 18/06/2019 - 07:27

Kombëtarja fitoi ndeshjen ndaj Moldavisë në kuadër të grupit H pë3r kualifikueset e Kampionatit E