Lajme të tjera
BREAKING NEWS

Paketa e Biznesit në mbështetje të çdo biznesi shqiptar

Paketa e Biznesit në mbështetje të çdo biznesi shqiptar
x

Sport

Kombëtarja gati për duelin me Lituaninë, Reja dhe Hysaj “garanci” për fitoren

Kombëtarja gati për duelin me Lituaninë, Reja dhe Hysaj

Trajneri i Kombëtares, Edi Reja, doli dje në konferencë për shtyp, ku shpalosi objektivat e tij për ndeshjen ndaj Lituanisë, si dhe gjendjen e grupit në prag të këtij dueli. Ka disa shqetësime, që lidhen me dëmtimin e Cikalleshit, por dhe ndonjë dyshim tjetër, ku vetë tekniku italian pranon se do të ketë disa ndryshime në formacion. “Është një ndeshje e ndryshme, e vështirë. Lituania luan mirë me topin, është e shpejtë nga krahët. Kam besim te ekipi im. Do më duhet të bëj disa ndryshime. Do jem shumë i kujdesshëm në zgjedhjet e mia. Ata humbën, por skuadra reagon dhe mund të na hapë shumë punë. Sa i përket fazës sulmuese kam probleme, pasi Cikalleshi ka shqetësime fizike. Për mbrojtjen nuk është se kam ndonjë shqetësim, pasi nuk lodhen shumë, sidomos tre mbrojtësit e qendrës. Kam edhe Enea Mihaj, i cili është kandidat për të luajtur. Edhe për pjesën e mesfushës, kemi Baren dhe Abrashin, që kanë shpenzuar shumë energji. Po shikoj dhe në mesfushë për të bërë ndonjë ndryshim. Nuk e di si do të jetë Hysaj, nëse do të jetë “top” si kundër Bjellorusisë, por duhet të tregojmë shumë kujdes për lojtarët, që të mos pësojnë dëmtime”, tha Reja. Më pas ai iu kthye ndeshjes me Bjellorusinë, duke përgëzuar djemtë për lojën dhe rezultatin. “Sigurisht që jam i kënaqur me rezultatin ndaj Bjellorusisë, por rruga është e gjatë. Nuk mund të them se kemi eufori, pasi kemi nisur menjëherë të përgatisim ndeshjen e radhës. Nuk duhet të bëjmë asnjë gabim. Nuk isha i kënaqur me sulmin kundër Bjellorusisë, pasi nuk e ndihmoi shumë skuadrën, por për shkak të problemeve fizike, edhe ndeshja nuk u interpretua nga lojtarët siç duhet. Ne kishim 9 muaj pa u takuar me njëri-tjetrin dhe për tre ditë, është shumë e vështirë. Ishte e vështirë të fitonim, por jam shumë i kënaqur me lojtarët e mi. Treguan se donin të fitonin me çdo kusht. Ne kompensuan pjesën fizike me karakterin që treguam në fushë”, nënvizoi më tej Reja.

Raketa “Roshi”, vijon nga stoli

Më tej vjen një koment për Roshin dhe arsyen pse e fut nga stoli. “Ai hyn në fushë dhe zgjidh ndeshjen. Unë do të doja që Roshi të ishte titullar, por për shkak të modulit me të cilit luajmë, nuk është e mundur. Ua kam thënë lojtarëve, sikur 5 minuta të luajnë, duhet të japin maksimumin në fushë. Është e vështirë të ndryshohet skema gjatë rrugës. Unë kam kohë që luaj me këtë skemë dhe ekipi është përshtatur. E kam provuar dhe Roshin, por nuk dua të bëj eksperimente të tilla”, shtoi Reja. Nuk mungoi komenti as për dy lojtarë me tipare mbrojtëse si Ismajli dhe Ramadani, që trajneri tha se janë të dëmtuar e nuk mund të luajnë në këtë ndeshje. Madje ai analizoi dhe pritshmëritë nga disa lojtarë të rinj, por tregoi se këta lojtarë, edhe pse janë shumë të mirë, do ta testojnë veten në një moment tjetër, duke lënë të kuptuar se nuk do të jenë në formacion. “Për sa i përket dy lojtarëve, kanë disa probleme fizike dhe më vjen shumë keq. Mund të them se nuk mund të rikuperohen për këto dy ndeshje. Duhet të presim tetorin. Më vjen keq, sepse i kisha në planet e mia. Normalisht, mua më duhen 22 lojtarë për dy ndeshje. Por sigurisht që ne kemi shumë alternativa, kemi shumë lojtarë të rinj: Çekiçi, Laçin. I kam parë në stërvitje, janë shumë mirë teknikisht dhe fizikisht. Janë dhe Broja e Çepele, që kanë bërë shumë mirë. Më ka pëlqyer shumë Broja, por dhe Çepele, i cili është vetëm 17-vjeç, por është një lojtar që duket sikur ka shumë eksperiencë. Sigurisht do të vijë edhe momenti për këto lojtarë të rinj”, vijoi më tej Reja. i pyetur për aktivizimin e ndonjë lojtari nga të rinjtë, trajneri italian i përfaqësueses tonë, theksoi se do të mendohej mirë para se ta ndërmerrte një hap të tillë. La të nënkuptuar se ndonjëri nga debutuesit mund të aktivizohej nga stoli. “Kemi lojtarë që mund të debutojnë nga fillimi, por dhe nga stoli. Për të vendosur, do të mendohem mirë, deri sa të dal në një konkluzion”, përfundoi trajneri kuqezi, Edi Reja.