BREAKING NEWS

Pandemia e Covid-19/ Rama del në konferencë online, tregon si është situata: Mbyllja e vendit do të...

Pandemia e Covid-19/ Rama del në konferencë online, tregon si
x

Sport

Kombëtarja me avantazhe ndaj Bjellorusisë, Shqipëria më shumë cilësi teknike

Kombëtarja me avantazhe ndaj Bjellorusisë, Shqipëria më

Liga e Kombeve për këtë sezon mbyllet këtë javë, me ndeshjet e xhiros së fundit, ku pritet të ketë emocione të shumta dhe surpriza në rezultate. Në grupin e katërt të Divizionit C të kësaj lige merr pjesë edhe përfaqësuesja kuqezi, e cila kërkon vendin e parë në grup, pasi ky është objektivi i kuqezinjve të trajnerit Edi Reja, një objektiv që nëse realizohet e ngjit Shqipërinë në Ligën B dhe i jep të drejtën të rivalizojë me vendet e para në Ligën C për një vend në Europianin e vitit 2024. Natyrisht, pozicioni i tanishëm i skuadrës dhe forma e mirë e grupit japin optimizëm dhe këtë e ka shprehur dhe vetë trajneri Reja në konferencat e zakonshme për shtyp, si dhe lojtarët në daljet e tyre për mediat. Shqipëria ndodhet momentalisht në vend të dytë në renditje, me 8 pikë, dy më pak se Bjellorusia, ndaj së cilës do të luajmë më 18 nëntor në Tiranë, një ndeshje që është përcaktuese për fatet e kreut të grupit. Bjellorusisë i mjafton një barazim për të qenë ajo fituesja e grupit, kurse Shqipërisë i duhet vendi i parë. Shanset janë të mira, e pranojnë të gjithë, pasi Shqipëria ka më shumë kualitet. Thuajse të gjitha kompanitë e basteve i japin më shumë pikë Shqipërisë për ta fituar këtë takim, me koeficient nga 2 deri në 2.5 të fitores kundrejt 2.6 deri në 3.2 për fitoren e “rusëve të bardhë”. Shqipëria ka lojtarë cilësorë që luajnë në Serinë A, kurse Bjellorusia ka lojtarë kryesisht që luajnë në kampionatin e tyre. Cilësia teknike e lojtarëve kuqezi mund të vendosë fatet e ndeshjes. Specialistët mendojnë se bjellorusët do të luajnë në mbrojtje, të ngjeshur, duke u përpjekur të godasin në kundërsulm, kurse tanëve u duhet tëë gjejnë shpejt golin e epërsisë, në mënyrë që të nxjerrin rivalin nga “autobusi” i planifikuar në këtë takim. Edhe në aspektin sulmues Shqipëria ka treguar në këtë edicion të Ligës që qëndron më lart, ka statistika të vlefshme në këtë drejtim pasi krijon shumë raste. Problemi i vetëm i skuadrës tonë është se mungojnë finalizimet, që do të thotë ka nevojë për një lojtar kalibri që lidh mesfushën me sulmin, pra lojtarin asist. Gjithsesi, Cikalleshi, Manaj dhe Uzuni, dhanë prova se dinë të përshtaten e të kenë efikasitet në lojën e tyre. Shqipëria e ka treguesin e aksioneve sulmuese në këtë ligë kombesh në masën 35%, kundrejt 28 % të bjellorusëve. Pra Shqipëria krijon më shumë raste dhe tenton ta fitojë ndeshjen nëpërmjet sulmit.

Bulku: Festën do ta lëmë pas fitores me Bjellorusinë

Zv/trajneri i Rejës, Ervin Bulku, është shfaqur optimist për fitore ndaj bjellorusëve, por ai kërkon që ekipi të qëndrojë me këmbë në tokë dhe të mendojë seriozisht për këtë sfidë. Bulku tha se festa e vërtetë e skuadrës duhet të ndodhë pas fitores me Bjellorusinë. Në një kontakt me emisionin “Sport Time”, ai dha komentet e tij për pritshmëritë e këtij dueli final, duke u ndalur së pari tek fitorja me Kazakistanin. “Sigurisht që po, por tani kemi nisur të përgatitim ndeshjen e radhës. Po analizojmë ato që bëmë mirë dhe ato që gabuam dje, për t’i korrigjuar dhe për të bërë më të mirën në ndeshjen e radhës. Ne duhet të fitojmë me çdo kusht ndeshjen me Bjellorusinë, pasi nëse duam të arrijmë në vendin e parë në grup, na duhen tre pikët. Mundësitë i kemi dhe çdo gjë e kanë lojtarët në këmbët e tyre. E përjetuam shumë mirë golin e Cikalleshit dhe normalisht që e festuam, por gjithçka mbaroi me mbylljen e ndeshjes, pasi menjëherë u nisëm në vendgrumbullim dhe filluam të mendojmë për ndeshjen e radhës”, theksoi Bulku. Ai beson se nuk ka cikël për lojtarët, të rinj apo të vjetër, për të ka rëndësi forma e futbollistit, e cila ndikon drejtpërdrejt në përzgjedhje dhe me këtë logjikë janë ftuar në ekipin përfaqësues futbollistë si Abrashi, Memushaj apo dhe Cikalleshi. “Çdo futbollist ka moshën apo ciklin e tij, por në ekipin kombëtar thirren gjithmonë ata që janë në formën më të mirë. Përfaqësueset nuk janë si një skuadër të cilën e stërvit çdo ditë, por grumbullohen vetëm me raste dhe normalisht që luajnë ata që janë në gjendje më të mirë”, nënvizoi më tej Bulku.