BREAKING NEWS

“E përdorte emrin e babait tim për t’i hedhur gurë Berishës’, Erion Braçe i jep përgjigjen e fortë djalit të Remzi Hoxhës

“E përdorte emrin e babait tim për t’i hedhur gurë
x

Sport

Kombëtarja zhgënjen sërish, barazim me Kazakistanin dhe mbetet në vend të dytë

Kombëtarja zhgënjen sërish, barazim me Kazakistanin dhe mbetet

Kombëtarja është në një fazë transformimi, ku lojtarët veteranë po zëvendësohen me emra të rinj që luajnë për herë të parë me ngjyrat kuqezi. kështu ndodhi edhe dje në Almatia përballë Kazakistanit. Por, Shqipëria nuk ia del të marrë fitoren në transfertë me Kazakistanin, edhe pse kishte përballë një skuadër të dobët, që thuajse nuk e rrezikoi asnjëherë seriozisht portën e Etrit Berishës. Shumë raste të humbura nga kuqezinjtë, sidomos në fundin e takimit, me Brojën dhe Seferin, që në njëfarë mënyre e “falën” skuadrën vendase në të paktën dy-tri raste ideale. Dy pikë të humbura në këtë transfertë, që e bën edhe më të vështirë objektivin final: vendin e parë në grup. Shqipëria, sikurse pritej, u rreshtua me skemën 3-5-2, me Berishën në portë, Kumbulla, Gjimshiti e Dermaku në mbrojtje, Trashi e Veseli anësorë të mesfushës, me Baren, Abrashin e Kallakun në qendër, ndërsa në sulm dyshja Broja-Manaj. Kuqezinjtë u shfaqën më të rrezikshëm në minutat e para, por ishin të pafat në minutën e 8-të, kur një këndore e ekzekutuar nga Trashi u përplas në këmbët e një mbrojtësi dhe e u stampua në traversë. Në të 21-tën iu afruan golit vendësit, me topin e futur në qendër të zonës nga Kuat që u ndal në gjoksin e Etrit Berishës, për të përfunduar në fundore. Lëviz bukur Kallaku në të 30-tën, del në pozicion gjuajtjeje nga jashtë zonës, por e çon topin në duart e portierit. Kuqezinjtë e nisin pjesën e dytë me të njëjtin formacion me dëshirën për të patur kontroll territoral. Në të 60-tën tjetër moment i vështirë në portën e Kazakistanit, por topi u shpëtua thuajse në vijën fatale nga një mbrojtës kazak, pas parabolës së Brojës, që duhej të kishte qenë pak më e fortë për të përfunduar në rrjetë. Sërish protagonist sulmuesi i Viteshes në minutën e 76-të, teksa nuk përfitoi si duhet nga gabimi i mbrojtjes vendëse, duke goditur jashtë, rrafsh me tokën, megjithëse i kishte mundësitë të bënte shumë më mirë. Shfaqet egoist pak çaste më vonë Broja, teksa në vend që të pasonte për Manajn, goditi jashtë. Reja hedh në fushë Seferin në vend të Manajt, ndërsa Memolla zëvendëson Trashin në minutën e 82-të. 2 minuta para fundit të kohës së rregullt, Tualant Seferi, i shërbyer nga Broja, ndalet nga portieri në mënyrë të pabesueshme. Shqipëria tentoi gjithçka në minutat shtesë për të gjetur golin, por rezultati mbeti i pandryshuar, pra ai i startit të takimit. Tashmë, ndodhemi në vend të dytë me 4 pikë, po kaq sa Kazakistani.

Reja: Jam i pakënaqur nga rezultati, grinta nuk blihet në farmaci

Trajneri është i pakënaqur me rezultatin dhe këtë e shprehur më mirë se çdo gjë tjetër fytyra e Edi rejës pas duelit të djeshëm ndaj Kazakistanit. Edi Reja sigurisht që nuk ishte i kënaqur me rezultatin përfundimtar të sfidës me Kazakistanit, por ka parë gjëra pozitive, që do t’i shërbejnë për ndeshjet e ardhshme. Në lidhjen e drejtpërdrejt me emisionin “Kuqezi”, italiani u shpreh i pakënaqur me finalizimin e aksioneve. “I patëm rastet, por nuk arritëm të shënonim. Bëmë një ndeshje të mirë. Broja dhe Kallaku bënë paraqitje të mira. Në përgjithësi, kemi bërë paraqitje të mirë, por nuk konkretizuam dot. Po të kishim pak më shumë eksperiencë, mund të kishim bërë më mirë. Më vjen keq për Seferin dhe Brojën që mund të kishin shënuar. Duhet ta kuptojmë skuadrën”, tha ai. Më pas Reja pranoi se 1 pikë ishte pak për lojën e skuadrës në këtë përballje. “Nuk jam i kënaqur me 1 pikë. Nëse e keni parë ndeshjen, kemi bërë disa raste për shënim. Nëse nuk shtyjmë shumë nga mesfusha në sulm, do të hasim vështirësi në finalizim. Patëm shumë vështirësi pasi patëm shumë mungesa të rëndësishme. Ishin 10 lojtarë që i njihja shumë pak. Duhet pasur parasysh paraqitja. Kemi edhe ndeshje të tjera, do të përpiqemi të marrim maksimumin në ndeshjet e tjera”, shtoi ai. Në fund kritikoi mungesën e grintës, që në ndeshje të tilla është thelbësore. “Grinta nuk blihet në farmaci. Nëse dikush e ka, e ka dhe kaq. Krijuam shumë raste për gol. Ikim nga kjo ndeshje të penalizuar. Lojtarët e rinj duhet të rriten. Na mungoi vetëm konkretizimi. Deri diku jam i kënaqur me paraqitjen e skuadrës”, nënvizoi në fund trajneri italian i Kombëtares kuqezi.