Lajme të tjera
BREAKING NEWS

Paketa e Biznesit në mbështetje të çdo biznesi shqiptar

Paketa e Biznesit në mbështetje të çdo biznesi shqiptar
x

Sport

Konfirmohet miqësorja e parë e Kombëtares, luhet në Erevan ndaj Armenisë, nostalgji për kualifikimin në Euro-2016

Konfirmohet miqësorja e parë e Kombëtares, luhet në Erevan

Shqipëria ka arritur kulmin e saj sportiv në arenën ndërkombëtare me kualifikimin në finalet e Kampionatit Europian të Futbollit, mbajtur në Francë në vitin 2016. Padyshim që kjo ishte një arritje e madhe, që gëzoi mbarë sportdashësit shqiptarë dhe u mundësua falë punës së një grupi të mrekullueshëm sportistësh dhe njëherësh trajnerit me përvojë e shumë të dashur, Xhani de Biazi, por edhe mbështetjes që dha Federata Shqiptare e Futbollit, dhe i gjithë publiku shqiptar. Ishte hera e parë për Shqipërinë që kualifikohej në fazën finale të një eventi të madh futbollistik dhe matematikisht kjo gjë u arrit në ndeshjen ndaj Armenisë në Erevan në vjeshtën e vitit 20154, një ndeshje që ishte emocionuese nga fillimi deri në fund dhe që përbënte edhe shansin e fundit për kualifikim të skuadrës tonë. Ka pasur shumë deklarata, qëndrime profesionistësh dhe amatorësh për këtë ndeshje, por e përgjithshmja dhe ajo që duhet pranuar lidhet me atë fitore bindëse 3-0 që mundësoi për Shqipërinë sigurimin e kualifikimit për në Francë-2016, duke lënë jashtë dy skuadra të nivelit të lartë si Serbinë dhe Danimarkën, por jo Portugalinë, e cila përfundoi e para në grupin tonë në ato kualifikuese. Tani, pas gati 5 vjetësh nga ndeshja emocionuese e Erevanit, disa futbollistë të Kombëtares që ishin në Europian e luajnë akoma, do të kenë një emocion të dyfishtë, pasi do të kthehen në kryeqytetin e Armenisë, këtë herë jo thjesht për të kujtuar triumfin e shkuar, të nëntorit të vitit 2015, por pesë vjet më vonë për të luajtur me përfaqësuesen e Armenisë në një miqësore që për të dy palët konsiderohet miqësore luksi dhe me plot emocion.

Njoftimi i FSHF-së dhe miqësorja e 7 tetorit

Federata Shqiptare e Futbollit ka njoftuar paraditen e sotme se ka arritur marrëveshjen me federatën homologe të Armenisë, për zhvillimin e një ndeshjeje miqësore mes dy kombëtareve. Në njoftimin e FSHF-së thuhet se sfida është vendosur të zhvillohet më datën 7 tetor të këtij viti në kryeqytetin armen Erevan dhe pritet të jetë një test për skuadrën e drejtuar nga Edi Reya, në prag të dy sfidave të vlefshme për Nations League më 10 dhe 13 Tetor, konkretisht ndaj Kazakistanit dhe Lituanisë. Kombëtarja Shqiptare dhe ajo armene janë përballur 5 herë të tjera në histori, në sfida zyrtare dhe miqësore, ndërsa bilanci flet në favor të kuqezinjve që numërojnë 3 fitore, një barazim dhe një humbje. Kujtojmë që kuqezinjtë nuk kanë zbritur në fushë për të luajtur, që prej vitit të kaluar kur përfundoi sezoni eliminator i Euro 2020-ës, kjo pasi miqësoret e planifikuara në gjysmën e parë të këtij viti, u anuluan për shkak të pandemisë.

Grupi i Euro-2016

Nga grupi i lojtarëve që kanë luajtur në ndeshjen e parë në Erevan nuk janë të gjithë të pranishëm, pasi një pjesë janë tërhequr nga përfaqësuesja, e të tjerë që nuk janë në formë dhe po shkojnë drejt “pensionit”, duke mos qenë në grupin e lojtarëve aktivë. Lojtarë si Migjen Basha, Andi Lila, Lorik Cana, Ansi Agolli dhe Mërgim Mavraj, nuk janë më pjesë e skuadrës kombëtare që shkroi historinë në eliminatoret e Euro-2016. Madje Cana është tërhequr në mënyrë përfundimtare nga futbolli i luajur, kurse Agolli e ndonjë tjetër vijojnë të luajnë me skuadrat në nivel klubesh. Në radhët e grupit ka ende lojtarë aktivë të tillë si Elseid Hysaj, Taulant Xhaka, Sokol Cikalleshi, Ledian Memushaj, Armando Sadiku, Frederik Veseli, e ndonjë tjetër, që janë baza e bërthamës së skuadrës përfaqësuese edhe aktualisht. Mbetet të shihet çfarë rezultati do të prodhojë ndeshja miqësore në Erevan, por ajo nuk do të mund ta ketë emocionin që kishte ndeshja zyrtare kualifikuese e vjeshtës së vitit 2015, kur Shqipërisë i duhej medoemos fitorja dhe ajo erdhi në momentin e duhur dhe bindëse në shifra, 3-0, pikërisht në fushën e armenëve. Por për shkak të emocioneve të shkuara, kjo miqësore ngjall shumë interes për kuqezinjtë.