BREAKING NEWS

Rama përjashton rreth 35 deputetë nga lista e 25 prillit, ja emrat e PS, PD, LSI dhe partive të tjera që pritet të kandidojnë në 12 qarqet

Rama përjashton rreth 35 deputetë nga lista e 25 prillit, ja emrat e
x

Sport

KORAB LLAZANI: Basketbolli kaloi një moment të errët, rikthimi i garave do të shoqërohet me zbatim të rreptë të protokollit mjekësor

KORAB LLAZANI: Basketbolli kaloi një moment të errët, rikthimi i

Basketbolli ishte një nga sportet që e ngriti më shumë zërin për të rikthyer garat sportive, një lëvizje që nis që prej majit të vitit 2020, por, me përjashtim të futbollit, qeveria ndaloi të gjitha aktivitetet e tjera sportive, duke sjellë një situatë të pazakontë për klubet dhe federatat. Humbjet e basketbollit gjatë kësaj periudhe kanë qenë të mëdha. E pranon dhe sekretari i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Korab Llazani, i cili, në këtë intervistë për gazetën “SOT”, vë në dukje se kjo humbje është shumëplanëshe, si në aspektin përgatitor, ashtu edhe financiar. Mbi gjithçka, basketbolli humbi freskinë dhe ndërprerja e gjatë ka lënë pasoja në aspektin fizik, ku rikuperimi dhe rikthimi i normalitetit do të ketë jo pak kosto. E megjithatë, garat do të rikthehen dhe më 27 shkurt është programuar të luhen ndeshjet e para të koshit. Ka shumë sfida, por edhe optimizëm. Ndërkohë, duhet kujtuar që ishte presidenti i federatës, Avni Ponari, që ngriti në këmbë FIBA Europën, e kjo e fundit insistoi pranë qeverisë tonë që të kthejë basketbollin në parket. Dhe tani, fatmirësisht, do të ketë garë. Së dyti, FSHB-ja ka projekte bashkëpunimi të fuqishme me FIBA-n dhe këto projekte do të shkonin dëm nëse nuk kthehej basketbolli në fushë dhe kjo është një arritje jo e vogël e federatës dhe presidentit Ponari. - Basketbolli është lejuar më në fund nga qeveria të zbresë në fushë, pas një periudhe teje të gjatë ndërprerjeje. Çfarë humbi basketbolli gjatë kësaj kohe?

Është realisht një kohë e gjatë që kaloi me humbje të rënda. Basketbolli mbi të gjitha humbi përgatitjen, freskinë dhe financat. Ky sport është futur në një dhomë të errët, por fatmirësisht tani po shohim dritë dhe do të nisim së shpejti aktivitetet.

- A ka qenë vendimi i qeverisë në favorin tuaj i kushtëzuar nga insistimi i FIBA Europës? Vendimi i qeverisë u bë i pashmangshëm pasi ne kishim që në majin e vitit të kaluar që kërkonim t’i lejohej basketbollit të bënte garat e tij. U bënë shumë kërkesa por nuk u morën parasysh. Prandaj ndërhyri edhe FIBA Europe, pasi Shqipëria po mungonte në aktivitetet ku kishte deklaruar pjesëmarrjen. U krijua një situatë jo e mirë dhe për FIBA-n, e cila duhej të bënte diçka në këtë drejtim për t’u dhënë garanci palëve, pasi edhe situata e kërkonte një bashkëpunim ndërkombëtar.

 - A rrezikonte Federata Shqiptare e Basketbollit të përjashtohej nga aktivitetet madhore nëse basketbolli do të vijonte ndërprerjen e tij? Po, rreziku ishte i madh, por ne kishim gjetur mirëkuptimin e FIBA Europe, e cila ishte vënë në dijeni prej nesh në mënyrë të përsëritur për këtë gjendje. Ne ishim shndërruar në i vetmi vend europian ku nuk zhvilloheshin garat e basketbollit dhe kjo ishte diçka që FIBA nuk mund ta toleronte, ose të bënte të paktën diçka për të ndërhyrë, sikurse edhe e bëri. Ne kemi mbajtur me ta një korrespondencë të rregullt, duke i vënë në dijeni të situatës, por edhe vendimit të qeverisë dhe realisht ata e kanë kuptuar pozicionin e vështirë të federatës tonë.

- Është fakt që vitet e fundit federata e koshit ka pasur shumë projekte bashkëpunimi me FIBA-n, a rrezikohen këto projekte në vazhdim?

 Ne jemi partnerë në disa projekte madhore të FIBA-s sigurisht, dhe është fakt që ata na kanë mbështetur dhe ne jemi të kënaqur nga qasja e tyre ndaj nesh. Kur nuk merr pjesë në gara dhe krijon probleme, atëherë edhe projektet vihen në dyshim, por siç thashë ne kemi pasur korrespondencë me FIBA-n dhe ata kanë qenë tolerantë ndaj nesh, ndaj situatës që po kalonim. As ne nuk kemi qëndruar pasiv e as ata nuk janë tërhequr nga mbështetja që i dhanë federatës tonë. Madje unë do t’i konsideroja si kontakte me natyrë mjaft pozitive.

- Kur keni planifikuar t’i zhvilloni garat dhe çfarë kushtesh duhet të plotësojnë klubet?

Këtë të hënë të 15 shkurtit ne presim konfirmimin e klubeve për pjesëmarrje. Njoftimin për rikthimin e garës e kemi dhënë që më 28 janar dhe u lamë një muaj kohë që të përgatiten për garat. Këtë të hënë vijnë konfirmimet e më datë 20 shkurt bëhet depozitimi i dokumentacionit, ndërsa më 22 shkurt do të hidhet shorti dhe më 27 shkurt do të luhen ndeshjet e para. Kthim pas nuk ka më, kështu që të gjithë jemi të vendosur të kthejmë lojën e basketbollit aty ku e ka vendin, në parket.

- Federata Shqiptare e Basketbollit kishte fituar të drejtën e pritjes së Europianit të moshave. Çfarë ndodhi me këtë aktivitet?

Kjo ka ra poshtë si ide në mënyrë përfundimtare. Ne nuk mund ta bënim këtë aktivitet, pasi këtu ishin mbyllur dyert për të bërë një veprimtari të tillë, për pasojë ka rënë poshtë si variant. Por ne kemi mundësinë të tregojmë vlerat tona si federatë e si basketboll shqiptar me Konventën U-14, një platformë për këtë moshë të perspektivës, e cila është planifikuar të organizohet në Shqipëri këtë vit, me pjesëmarrjen e 51 federatave të basketbollit në Europë. Në fakt, aktiviteti ishte planifikuar të zhvillohej në tetor të vitit 2020, por do të luhet në tetor 2021. Në pikëpamjen time është një aktivitet madhor, që duhet të marrë përparësi dhe i rrit vlerën federatës tonë të basketbollit. Një politikë e së ardhmes, e cila rrit mbi gjithçka imazhin e Federatës Shqiptare të Basketbollit.

- Çfarë ju bën të mendoni se do të keni sukses?

Sepse kemi dhënë prova edhe në të shkuarën se jemi seriozë dhe kemi fituar mjaft përvojë nga partnershipi ynë me federatat homologe dhe natyrisht me projektet e ndryshme me FIBA-n. Organizimi i konventës në Shqipëri, është dëshmi që FIBA i beson Shqipërisë, pra FSHB-së, dhe kjo është diçka me vlerë të madhe. Ajo që ne duhet të bëjmë është të organizojmë si duhet konventën dhe të rrisim imazhin e basketbollit shqiptar, për më tepër që i kushtohet një grupmoshe (U-14) ku rriten filizat e së ardhmes.

- Të kthehemi tek gara që do të nisë së shpejti. Ju e dini që protokolli mjekësor për ndeshjet sportive është me goxha kritere. Kush do t’i përballojë kostot e testeve?

Federata Shqiptare e Basketbollit nuk mbulon shpenzimet e testimeve, kjo është përgjegjësi individuale e klubeve dhe aktorëve të lojës. Sa na takon ne si federatë, kemi marrë masat e duhura për mbarëvajtjen e garës, duke respektuar normat që kanë vendosur autoritetet shëndetësore, OBSH si dhe FIBA. Para se të nisin ndeshjet duhet të ketë raporte të qarta për gjendjen e sportistëve, ku do të ketë deklarime, por edhe kontrolle. Jemi duke bashkëpunuar me klubet për pajisjet higjenike, si dhe termometrat përkatës për matjen e temperaturës. Kushdo që del me temperaturë 37.2, i bëhet rimatje dhe nëse konfirmohet e njëjta nuk lejohet të hyjë brenda. Në këtë drejtim kontrolli do të jetë i rreptë dhe zbatimi i protokollit mjekësor nuk negociohet. Sepse kjo është pjesë e planeve tona për të zbatuar rregullat që na ka diktuar pandemia e koronavirusit.

-Kombëtarja duket se është prekur, gjithashtu, nga kjo ndërprerje e gjatë. Ç’po ndodh me ekipin?

Ekipi po përgatitet për ndeshjet e radhës, por nuk mund të them se presim mrekulli prej skuadrës. E theksuam dhe më lart se kjo periudhë e errët e zgjatur ka lënë pasoja të dukshme edhe për ekipet përfaqësuese. Skuadra po përgatitet për ndeshjet parakualifikuese të Botërorit ku sfidat e radhës do të jenë ndaj Qipros dhe Bjellorusisë. Kjo është një pjesëmarrje e detyruar dhe skuadra është e detyruar të paraqitet, por s’mund të flasim për objektiva madhore pas gati një viti ndërprerje, një vit shumë i vështirë për basketbollin tonë. - Edhe diçka të fundit, a keni dijeni se si janë terrenet dhe kushtet e klubeve? Pyetja është me vend por ju siguroj se ne si federatë nuk kemi qëndruar duarkryq. Unë edhe sot që është e dielë jam në zyrë, në punë. Së shpejti nisin garat dhe duhet të dimë si është gjendja dhe kapacitetet e klubeve. Kemi informacion për terrenet, por siç thashë për ne ka interes në këtë hap të parë të zbatohen rregullat që vijnë nga protokolli mjekësor. Ndeshjet do të jenë pa tifozë, kjo dihet, kështu që duhen menaxhuar sportistët, trajnerët, stafet e klubeve, si dhe zyrtarët e ndeshjeve. Duhet të presim konfirmimin e klubeve këtë të hënë që të shohim më mirë si paraqitet gjendja. Nuk na mungon optimizmi, edhe pse e dimë vështirësinë me të cilën përballemi.