BREAKING NEWS

Shënohen 124 raste të reja me koronavirus në Shqipëri në 24 orët e fundit

Shënohen 124 raste të reja me koronavirus në Shqipëri
x

Sport

Kukësi mposht Tiranën, rihapet gara për titull në Superiore

Kukësi mposht Tiranën, rihapet gara për titull në Superiore

Kukësi rihapi dje garën për titull në Kategorinë Superiore, pasi mundi në kryeqytet Tiranën favorite, me rezultatin 2-1 dhe ngushtoi diferencën midis tyre nga 9 në 6 pikë. Natyrisht, gara për bardheblutë komplikohet së tepërmi po të mbajmë parasysh se në kuadër të javës së ardhshme do të përballet në derbi me Partizanin dhe një tjetër disfatë mund t’i largonte Tiranës titullin nga duart. Janë dhe katër xhiro deri në fund dhe me 12 pikë në lojë kampionati duket i hapur e tani sytë e Kukësit janë tek Partizani, në derbi, me shpresën se do të fitojnë të kuqtë dhe do të kenë mundësinë të tentojnë deri në fund titullin.

Ndeshja

Tirana krijoi raste gjatë duelit të djeshëm, por pragmatist në fushë ishte Kukësi, që ishte më i qartë në veprimet e tij ofensive. Ashtu siç e kishte paralajmëruar edhe më herët, trajneri Orges Shehi nuk kurseu asnjë prej futbollistëve të tij në ndeshjen e sotme, me përjashtim të Shkurtajt, Teqjas dhe Obanor, të cilët janë të dëmtuar, ndërsa rikuperoi në kohë sulmuesi Godberg Kuper. Sfida nisi e qetë, me të dy skuadrat që preferuan të studiojnë njëra-tjetrën fillimisht dhe të mos lënë shumë hapësira mbrapa, ndërsa kërcënimi i parë erdhi në minutën e 15-të, kur Kristal Abazaj gjuajti bukur në pozicion të prirët me portën, por sfera përfundoi jashtë kuadratit të Likës. Vetëm dy minuta më vonë Tirana zbriti në një kundërsulm të rrezikshëm dhe Kale provoi të shërbejë për Kubinah, por topi u ndal nga mbrojtësi Gëzim Krasniqi. Tirana pretendoi penallti për prekje të topit me dorë, por gjyqtari Bajramaj vazhdoi lojën. Më pas iniciativa ishte sërish e verilindorëve, që kërcënuan fillimisht me Rrocën, por gjuajtja e tij u ndal mbi vijën fatale nga Erjon Hoxhallari dhe më pas dy herë me Et’hemin, por që njëherë ndërhyri Lika dhe njëherë sulmuesi i Kukësit u tregua i pasaktë në gjuajtje. Edhe pjesa e dytë ishte qartazi në favor të Kukësit, që zhvendosi lojën në gjysmëfushën e Tiranës dhe pas i erdhi rrotull zonës për disa minuta, derisa gjeti golin e avantazhit në minutën e 58-të me anë të sulmuesit Kuper. Pas një aksioni të gjatë të kuksianëve, ishte Limaj që lëshoi një predhë nga distanca dhe Ilion Lika u shfaq në gatishmëri për të grushtuar, por Kuper u shkëput bukur nga mbulimi i mbrojtjes dhe arriti ta dërgojë topin në rrjetë. Goli u dha qetësi miqve, që filluan të luajnë lirshëm dhe të afrohen vazhdimisht rrezikshëm në zonën e Tiranës, ndërsa në minutën e 82-të ishte Valon Et’hemi që shënoi një gol spektakolar, pasi mori një top në hyrje të zonës, i vetëm me portierin Ilion Lika. Tirana dorëzohet totalisht dhe hidhet e gjitha në sulm, por lë shumë hapësira mbrapa dhe fillimisht Abazaj e më pas Limaj tronditin shtyllat e portës së Likës, ndërsa pranë golit shkuan edhe Rroca e Domi. Golin e vetëm bardheblutë e gjetën vetëm në sekondat e fundit të kohës shtesë, kur pas një krosimi me kohë, ishte sulmuesi kryesor i Tiranës Majkëll Ngo’o, që kërceu mbi të gjithë dhe mposhti portierin Xhika, por nuk kishte më kohë për të rihapur takimin, pasi vetëm pas nisjes së topit nga qendra, arbitri Bajramaj vërshëlleu fundin e sfidës. Kukësi fiton kështu përballjen e tretë nga 4 gjithsej me Tiranën këtë sezon, duke qenë se vetëm në fazën e tretë triumfuan bardheblutë, megjithatë kryeqytetasit mbeten në krye të renditjes me 6 pikë më tepër se verilindorët, kur kanë mbetur edhe 4 javë nga fundi.

Partizani del me 1 pikë nga Ballshi, Bylis “kockë” e fortë

Në kuadër të javës së 32-të, Partizani zbriti në fushë përballë Bylisit në “Adush Muça” të Ballshit, por nuk shkoi më shumë se një barazim 1-1, ndonëse luajti për pak minuta në fund, me një lojtar më tepër se kundërshtarët. Edison Ndreca zhbllokoi sfidën me një predhë nga një goditje standarde në pjesën e parë, ndërsa Partizani riktheu baraspeshën me anë të sulmuesit Braun në minutën e 70-të, por nuk arriti të shënojë sërish për të marrë tri pikët në transfertë.