BREAKING NEWS

"Jap dorëheqjen nëse merr 71 mandate”/ Rama komenton deklaratën e bujshme të Ilir Metës, zbërthen skenarin e presidentit me Sali Berishën: O pushtetin o kokën e Lulit!

"Jap dorëheqjen nëse merr 71 mandate”/ Rama komenton
x

Sport

Kukësi në vorbullën e krizës, “Asi” i ekipit drejt largimit

Kukësi në vorbullën e krizës, “Asi” i ekipit

Një nga skuadrat që ka zhgënjyer totalisht gjatë këtij sezoni është Kukësi. Kjo pasi verilindorët bënë shumë lëvizje në funksion të objektivave, duke pretenduar titullin kampion. Por edhe pse kanë bërë afrime shumë cilësore, madje duke bërë edhe ndryshime të shumta në pankinë, Kukësi sërish nuk është në rrugën e duhur për të realizuar objektivat e tij. Kanë ndodhur shumë ndryshime dhe Kukësi ka pësuar kriza të njëpasnjëshme, nisur me ndryshimet e shumta të trajnerëve, por edhe me mospërshtatjen sa duhet të afrimeve të reja. Pra, Kukësi ka probleme dhe nisur nga këto probleme të shfaqura në dy fazat e para të lojës, është bërë e mundur që disa element të shihen si alternativa nga klubet e tjera. Madje ka interesime edhe nga kampionate rajonale për disa lojtarë të Kukësit, përfshi dhe njërin që ka ardhur nga Tetova, Besir Demirin. Kjo tregon se objektivat e Kukësit janë në vështirësi dhe lojtarët po mendojnë alternativa të reja për sezonin e ri.

Një largim i mundshëm cilësor nga Kukësi

Klubi i Kukësit mund të humbasë në verë shërbimet e një prej lojtarëve më cilësorë që ka në përbërje, pasi për transferimin e tij po interesohet klubi i Karabakut në Azerbajxhan. Besir Demiri, ndër të paktët futbollistë që ka bindur me paraqitjet e tij në këtë sezon, ka përfunduar në orbitën e klubit të njohur azer dhe nuk është aspak çudi që në verë, rrugët e tij me të Kukësit të ndahen. Demiri firmosi në shtator një kontratë dyvjeçare me Kukësin, duke regjistruar eksperiencën e parë në kampionatin tonë pasi kishte qenë më parë pjesë e Shkëndijës, Vardarit, Mariupolit dhe Zhilinës. Lojtari i cili luan kryesisht në të majtën e prapavijës, është adaptuar nga verilindorët edhe në mesfushë dhe deri tani ka dhënë paraqitje mëse bindëse. Duket se këto paraqitje kanë tërhequr vëmendjen e Karabak pasi VIP Sport mëson se klubi azer ka nisur kontaktet me lojtarin për të mundësuar transferimin e tij. Kuptohet që bëhet fjalë për verën e vitit 2021, pasi merkato është e mbyllur për momentin në Azerbajxhan. Një opsion që sigurisht do të kënaqte lojtarin, pasi bëhet fjalë për një skuadër që tashmë po luan në nivelet më të larta në Europë dhe po paraqitet në fazën në grupe të turneve ndërkombëtarë. Njëkohësisht, një lëvizje e tillë mund të sjellë edhe të ardhura të rëndësishme në klubin e Kukësit, i cili ka një marrëveshje me futbollistin e cila zgjat deri në verën e vitit 2022.

Disiplina e lë Kukësin pa Nexhipin për dy xhirot e ardhshme

Komisioni i Disiplinës i Federatës Shqiptare të Futbollit mori në shqyrtim fenomenet negative të javës së kaluar, ku nuk munguan penalizimet në të gjitha kategoritë, por vëmendjen e mori më shumë penalizimi me dy ndeshje pezullim i drejtorit të Kukësit, Nderim Nexhipi, i cili protestoi ndaj arbitrave në ndeshjen që kuksianët e humbën fundjavën e kaluar. “Zyrtari i FK Kukësi, Nderim Nexhipi, për protestë ndaj vendimeve të zyrtarit të ndeshjes, në bazë të nenit 55/1 të KDS, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktiviteti. Zyrtari i KS Kastrioti, Gazmend Vogli, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 48/2/a të KDS, dënohet me 8 (tetë) ndeshje pezullim nga aktiviteti. Zyrtari i KF Egnatia, Klaudian Dervishi, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 48/2/a të KDS, dënohet me 8 (tetë) ndeshje pezullim nga aktiviteti. KF Turbina, në bazë të nenit 12 të KDS, paralajmërohet se në rast të përsëritjes së dështimit në përmbushjen e përgjegjësive, do të jetë subjekt i masave disiplinore që parashikon Kodi i Disiplinës Sportive dhe Rregulloret e FSHF”, ishin disa prej vendimeve të dhëna të mërkurën nga Komisioni i Disiplinës, ku bie në sy sigurisht penalizimi i Nderim Nexhipit, mungesa e të cilit në dy sfidat e radhës mund të ndikojë negativisht në emocionin e grupit verilindor.