BREAKING NEWS

Më në fund ‘zhbllokohet' Gjykata e Lartë/ Zgjidhet nënkryetari që do të ketë kompetencat e kryetarit, ja kush emërohet

Më në fund ‘zhbllokohet' Gjykata e Lartë/ Zgjidhet
x

Sport

Kupa përcakton gjysmëfinalistët, Teuta dhe Bylis rrisin shanset për trofe dhe Europën

Kupa përcakton gjysmëfinalistët, Teuta dhe Bylis rrisin shanset

Kupa e Shqipërisë mbylli dje etapën e çerekfinaleve, në pritje për të mësuar shortin e gjysmëfinaleve dhe për t’iu afruar verdiktit në fushë të një prej aktiviteteve kryesore futbollistike në vend. Skuadrat e mëdha nuk zhgënjyen këtë herë, duke fituar dhe duke vijuar më tej. Kryendeshja ishte ajo që luhej në Durrës mes Teutës dhe Vllaznisë, që u fitua nga durrsakët, të cilët tani kanë një shans ta mbyllin sezonin me trofe e falë tij të shkojnë në Europa League. Por në garë për trofeun është dhe Kukësi i vendit të dytë në kampionat, apo Tirana kryesuese, e cila nëse e fiton edhe Kupën do të bëjë “bis” këtë edicion. Kurse një nga ndeshjet më të bukura dhe më emocionuese ishte ajo e luajtur dje në Korçë mes Skënderbeut dhe Bylisit, e cila ishte e hapur derin në fund.

Teuta ka shans të fitojë trofeun e Kupës

Teuta dominoi çerekfinalen e kthimit ndaj Vllaznisë dhe arriti të triumfojë me rezultatin minimal 1-0, duke siguruar kështu kalimin me meritë në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë, pasi takimi një javë më parë në Shkodër kishte përfunduar në barazim 2-2. Rubin Hebaj fitoi një 11-metërsh, ndërsa topi i gjuajtur nga Sherif Kallaku u prit mjaft mirë nga portieri Alen Sherri, i rikthyer në formacion, pas disa javësh në pankinë. Gjatë gjithë pjesës së parë durrsakët iu afruan disa herë golit, por në të paktën dy raste ishte Mevlan Adili që hoqi topin mbi vijën fatale. Gjërat u komplikuan më shumë për të besuarit e Hysen Dedjas, pasi menjëherë pas startit të pjesës së dytë, mbrojtësi Dajan Shehi u ndëshkua me karton të kuq dhe la skuadrën me 10 futbollistë për gjithë 45-minutëshin e dytë. Gjithsesi, Vllaznia ia doli të rezistojë mirë deri në minutën e 76-të, kur mungesa e vëmendjes nga i riu Repaj bëri që topi të përfundonte te kapiteni Renato Arapi, i cili këtë herë gjuajti saktë dhe shënoi golin e avantazhit. Ky gol u preu gjunjët shkodranëve që e patën të vështirë të dalin rrezikshëm në gjysmëfushën durrsake, ndërsa rezultati mbetu i pandryshuar deri në fund. Duhet thënë se Teuta ka shans real të fitojë Kupën, pasi nuk ka angazhim tjetër në kampionat. Nëse i përkushtohet mund t’ia dalë.

Kukësi nuk e nënvlerëson Apoloninë, shkon në gjysmëfinale

Kukësi është një skuadër që në këta vitet e fundit nuk del pa sukses në kampionat, herë si fitues kampionati e herë kupe, por kryesorja është se kualifikohet çdo sezon në kompeticionet e UEFA-s. Këtë herë në Kupë pati edhe shortin me vete, sepse përballë ishte skuadra modeste e Apolonisë. Ndonëse me avantazhin minimal 1-2 në ndeshjen e parë, Kukësi nuk e nënvlerësoi aspak Apoloninë as në sfidën e djeshme në “Elbasan Arena”, ku dominoi dhe ia doli të fitojë me rezultatin 3-1. Verilindorët zgjidhën gjithçka që në pjesën e parë, kur fillimisht Bruno Lulaj dhe më pas Vasil Shkurtaj shënuan për t’u dhënë avantazhin e dyfishtë, ndërsa në pjesën e dytë shënuan Ethemi për Kukësin e gjata me penallti për fierakët.

Besëlidhja flirton me fitoren, por Tirana ia “ngrin” buzëqeshjen

Tirana është shumë afër një objektivi të dyfishtë këtë edicion. E gjendur 9 pikë para vendit të dytë në kampionat 5 xhiro nga fundi, skuadra bardheblu është në rrugë të mbarë edhe në Kupë. Shorti e ndihmoi në këtë raund, pasi pati përballë skuadrën e Kategorisë së Parë, Besëlidhjen. Ndonëse e eliminuar që në ndeshjen e parë, kur humbi me rezultatin e thellë 5-1 në “Selman Stërmasi” përballë Tiranës, Besëlidhja respektoi maksimalisht Kupën e Shqipërisë, pasi u përball denjësisht me bardheblutë dhe mori një barazim 1-1, ndonëse kryesoi deri në minutat shtesë, kur sulmuesi Ernest Muçi riktheu baraspeshën.

Bylis eliminon Skënderbeun

Skënderbeu u përball në mbrëmje me Bylisin. Mensah shënoi në minutën e 34-t golin e epërsisë për Skënderbeun, duke i dhënë qetësi ekipit të Dajës, i cili e kishte humbur duelin e parë në Ballsh me Bylisin, 1-0. Kjo ndeshje kërkonte guxim, kujdes, teknikë dhe taktikë, por edhe trajtim psikologjik të kundërshtarëve në fushë, gjë që Skënderbeu në pjesën e parë i pati me tepri. Në pjesën e dytë Bylisi rriti shumë presionin dhe barazoi me anë të Malçit në minutën e 75-të, duke ia bërë të pamundur Skënderbeut kalimin në gjysmëfinale. Në këtë pjesë u dha edhe një penallti nga gjyqtari Enea Jorgji e po nga ai u anulua, duke shkaktuar tension tek të dy palët re duke dëshmuar se arbitrimi në Shqipëri lë për të dëshiruar. Si përfundim, ndeshja mbyllet 1-1 dhe në gjysmëfinale kalon Bylis falë fitores në ndeshjen e parë.