BREAKING NEWS

Bien shifrat, MSH publikon bilancin çfarë ka ndodhur në 24 orët e fundit

Bien shifrat, MSH publikon bilancin çfarë ka ndodhur  në 24
x

Sport

Kutinjo konfirmohet si zhgënjim i madh, Bajerni ia kthen mbrapsht Barcelonës

Kutinjo konfirmohet si zhgënjim i madh, Bajerni ia kthen mbrapsht

Bajerni i Mynihut është klub pragmatist. Bavarezët nuk zhgënjejnë pothuajse kurrë në financa dhe pavarësisht se rivalët e tjerë shpenzojnë miliona më shumë në treg, gjermanët janë më studiues të merkatos dhe natyrës së futbollistëve dhe kanë ditur të ndërtojnë skuadër të madhe me lojtarë që përshtaten në skemë, por nuk janë më të shtrenjtët në qarkullim.

Kohë më parë, drejtori Rumenige thoshte se asnjë lojtar nuk vlen mbi 100 mln euro dhe se Bajerni nuk kishte arsye të shpenzonte shuma të tilla. Me brazilianin Felipe Kutinjo dështimi duket të jetë spektakolar dhe bavarezët besohet se nuk do ta mbajnë asnjë minutë më shumë e po presin të mbyllet sezoni për ta kthyer prapa, pikërisht tek Barcelona në Spanjë. “E ardhmja e Filipe Kutinjos nuk do të jetë te Bajerni i Mynihut”, shkruajnë mediumet e mëdha sportive në Gjermani dhe në Spanjë. I transferuar gjatë verës së kaluar në formë huazimi te kampionët e Gjermanisë për 8,5 milionë euro më të drejtë blerjeje për 120 milionë euro në fund të sezonit, mesfushori me tipare sulmuese nuk ka bindur në këto muaj të parë në Bavari dhe sipas asaj që raporton “Bild”, drejtuesit bavarezë nuk kanë mbetur shumë të kënaqur nga paraqitjet e Kutinjos në këtë pjesë të parë të sezonit dhe kanë vendosur t’ia kthejnë mbrapsht Barcelonës në verën e ardhshme.

120 milionë euro për kartonin e një 27-vjeçari karriera e të cilit është në rënie konsiderohen shumë nga drejtuesit bavarezë të cilët një shifër të tillë do të provojnë ta shpenzojnë për lojtarë më të rinj në moshë si Sanço apo Hravetz duke i ngecur në derë Barçës brazilianin Kutinjo. Sulmuesi deri në këtë fazë të sezonit ka shënuar 7 gola në të gjitha kompeticione me Bajernin duke regjistruar edhe 6 asiste. Ku e ku larg sulmuesve të tjerë e sidomos lojtarit kryesor, polakut Robert Levandovski, i cili po kalon një rini të dytë në Bundesligë, një makineri golash këtë sezon dhe thuajse i pandalshëm, duke vënë kandidaturën për këpucën e artë europiane me Ronaldon, Mesin dhe sulmuesit më të mirë në top-5 ligat e mëdha europiane të këtij sezoni.

Kërkohet kthimi i Dagllas Kostës

E ndërsa për Kutinjon do të ketë kthim mbrapsht, Bajerni nuk ka humbur kohë por ka fokusuar në treg një ish-futbollist të tij, Dagllas Kostën, i cili po kalon një moment tensioni tek Juventusi. Dhe për këtë arsye një rikthim në Bavari nuk është i pamundur. Kështu, nga mediat gjermane mësohet se Bajerni i Mynihut ka shprehur interesim për rikthimin e Dagllas Kostës. Bavarezët janë në kërkim të një anësori pas lëndimeve të Serzh Gnabrit e Kingsli Komanit, ndërsa Kosta, që ka munguar te Juventusi për shkak të problemeve të tij me dëmtimet dhe disi jashtë forme, shihet si zëvendësues ideal. E përditshmja “Bild” shkruan se gjiganti gjerman e do rikthimin e brazilianit në formë huazimi për pjesën e mbetur të sezonit. Kosta ishte larguar nga Bajerni për te Juve në verën e vitit 2017.