BREAKING NEWS

E papritur/ Jep dorëheqjen nënkryetari i Bashkisë Durrës, ja cilit koalicion do t’i bashkohet për zgjedhjet e 25 prillit

E papritur/ Jep dorëheqjen nënkryetari i Bashkisë Durrës, ja
x

Sport

Laçi është “macja e zezë” e Superiores, frenon Vllazninë dhe rihap garën për titull

Laçi është “macja e zezë” e Superiores, frenon

Kategoria Superiore hapi dje javën e 18-të të saj, pikërisht me një ndeshje të kryesuesve, Vllaznisë, e cila u vu përballë Laçit, skuadër që po tregohet gjithnjë e më shumë e aftë për të qenë konkurrente në garën për titull. Madje kurbinasit mposhtën dje kryesuesen e pamposhtur të garës, Vllazninë, brenda në “strofullën” e saj në Shkodër, në “Loro Boriçi”, me rezultatin 2-1, madje duke e mbyllur ndeshjen me 10 vetë, por duke treguar heroizëm në fushën e lojës dhe duke marrë tri pikë që jo vetëm e ngjisin në vend të dytë, por laçianët kanë hapur praktikisht garën e titullit ditën e djeshme, duke i dhënë një shans edhe Partizanit apo Teutës, skuadra që rivalizojnë Vllazninë në garën për titull.

Ndeshja

Ka qenë një spektakël ndeshja hapëse e javës së fundit të fazës së dytë të Superligës, e luajtur në kryetempullin e futbollit shkodran, në “Loro Boriçi”. Dhe konfirmohet edhe një herë tjetër se Laçi është “macja e zezë” e Vllaznisë (e jo vetëm) në këtë sezon të Kategorisë Superiore. Kurbinasit i mposhtën sërish shkodranët këtë herë në Loro Boriçi në sfidën që hapi javën e 18-të të Kategorisë Superiore të fundit për fazën e dytë. Një sukses me shifrat 1-2 për skuadrën e Shpëtim Duros nën shenjën e dy sulmuesve me origjinë afrikane Kyrian Nëabueze protagonist kryesor me një gol dhe një asist dhe Dave Harmon që shënoi golin e fitores dhe të 3 pikëve për Laçin. Një sukses shumë i rëndësishëm për skuadrën e Shpëtim Duros që u ngjit në vendin e 2-të në kuotën e 30 pikëve, duke ringjallur shpresat në garën për titull pasi tashmë Vllaznia është vetëm 7 pikë larg. Pas një pjese të parë pa gola pavarësisht përpjekjeve të të dyja skuadrave, rezultati u zhbllokua në minutën e 59-të nga Kirian Nuabueze, i cili shfrytëzoi asistin e Julian Shehut. Por festa e laçianëve zgjati fare pasi në minutën e 66-të erdhi kundërpërgjigjia e Vllaznisë, që barazoi shifrat me Demir Imerin. Tentativa nga distanca e Krujës u ndal nga shtylla ndërkohë që Imeri u gjend në vendin dhe në kohën e duhur për të shtyrë topin drejt rrjetës. Por në momentin të mirë të Vllaznisë kur skuadra e Brdaric po shikonte më shumë drejt portës së shkodranëve një kundërsulm i shpejtë i Laçit ishte vrastar me Nëabuezen që ftoi në aksion të ardhurin në fushë nga stoli Dave Harmon, i cili dogji me shpejtësinë e tij Gurishtën dhe mposhti për herë të dytë në këtë sfidë portierin Zogovic. Emocionet nuk kishin fund në pjesën e dytë pasi një largim i gabuar i topit nga ana e Shehit, detyroi Obanor të pengonte Demir Imerin i cili po dilte i vetëm përpara portës, me gjyqtarin Cjapi që e ndëshkoi me karton të kuq nigerianin e kurbinasve. Por pavarësisht kësaj Laçi rezistoi fort deri në fund duke marrë tre pikë të arta dhe duke rihapur kampionatin, pasi me këtë fitore nuk i bëri nder vetëm vetes por edhe skuadrave të tjera ndjekëse si Partizani, Teuta e Kukësi. Mbetet të shihet a do ta shfrytëzojnë rastin skuadrat rivale të Vllaznisë pas kësaj ndalese të papritur, ndalesë që mund të jetë përcaktuese për fatet e sezonit.

Trajnerët

Pas ndeshjes, trajneri i Vllaznisë, Thomas Bërdariç, tha se Laçi e meritoi fitoren dhe për këtë më shumë e kishte ndihmuar vetë Vllaznia. “Dua të uroj skuadrën e Laçit për fitoren, e merituan. Sot kishim një mundësi shumë të mirë për të vazhduar rrugën tonë. Laçi ka shumë lojtarë me eksperiencë dhe shumë të mirë. Megjithatë edhe ne i ndihmuam ata për të ecur përpara. Kjo humbje nuk do ndikojë shumë në ecurinë e skuadrës, kemi treguar edhe herët e tjera, se dimë të rikthehemi. Duhet të punojmë shumë për t’u rikthyer te fitoret”, theksoi Bërdariç. Rivali i tij i skuadrës kurbinase, Shpëtim Duro, u shpreh: Tani mund të them që është rihapur kampionatin. Janë në ndjekje edhe Partizani, Kukësi dhe Tirana. Vllaznia do ta ndjejë më shumë presionin e 4 skuadrave. Unë them tani është rihapur kampionati. E thashë që Vllaznia ishte 99% kampione, kur ishte 10 pikë para. Nuk e parashikova që do të linte kaq shumë pikë dhe do të gabonte. Tani jemi në një situatë tjetër”.