BREAKING NEWS

Shëndetësia shqiptare promotore mediatike e koronavirusit që po ushtron terror mbi psiqikën e shqiptarëve nën regjinë e supernovës të Surrelit

Shëndetësia shqiptare promotore mediatike e koronavirusit që po
x

Sport

Laçi kalon me vështirësi Flamurtarin, Vllaznia merr 3 pikë në Gjirokastër

Laçi kalon me vështirësi Flamurtarin, Vllaznia merr 3 pikë

Kategoria Superiore u kthye dje me ndeshjet e para të javës së 32-të të saj, ku spikatën duelet e skuadrave të fundtabelës që siç dihet e kanë prerë biletën” për në Kategorinë e Parë. Bëhet fjalë për Luftëtarin që priti Vllazninë dhe humbi përballë saj, si dhe Flamurtari që ishte udhëtues dje në Kurbin, ku u përball me Laçin, duke humbur 2-1. Me pak fjalë fituan favoritët dhe Laçi me fitoren e djeshme arriti të pozicionohet mirë në garën për një vend në Europa League, por fitorja e djeshme e kurbinasve ishte jo vetëm e vështirë por edhe e dhimbshme, pasi vlonjatët rezistuan deri në fund dhe portieri Moçka ishte thuajse i pakalueshëm. Duhet thënë se Flamurtari luajti në këtë ndeshje me një lojtar më pak që nga minuta e 22-të, pasi Oliveira doli me karton të kuq.

Sa i takon ndeshjes, Laçi i trajnerit Armand Cungu, hasi në vështirësi, pasi pati përballë një skuadër që tentoi të bënte surprizën e madhe, duke tentuar pikë. Pjesa e parë përfundoi në barazim 0-0, duke bërë që kurbinasit të stresoheshin jo pak. Por një 11-metërsh i shënuar në gol nga Nuabueze në minutën e 50-të solli pak qetësi në kampin kurbinas. Megjithatë, epërsia do të zgjaste vetëm 10 minuta, pasi Flamurtari do të barazonte shifrat në minutën e 61-të me anë të Hoxhës. Nga ana tjetër, portieri Moçka bëri pritje të shumta në duelin e djeshëm, duke qenë një barrierë e madhe për sulmuesin e Laçit. Barazimi e stresoi shumë edhe trajnerin Cungu, i cili mobilizoi skuadrën në minutat në vijim për ta fituar ndeshjen, duke krijuar shumë raste shënimi. Dhe goli i dytë dhe i fitores do të vinte në minutën e 76-të nga Turkaj, i cili shënoi me kokë pas krosimit nga këndi. Ai kërceu mbi mbrojtësit vlonjatë dhe goditi saktë, duke mos i dhënë shans reagimi portierit Moçka. Mjaftoi ky gol që Laçi ta fitonte ndeshjen 2-1 dhe të siguronte një trepikësh që e ngjiti në vend të tretë, me 52 pikë, 4 pikë më pak se Kukësi i vendit të dytë. Në fakt, qëllimi i Laçit është pjesëmarrja në Europa League dhe për këtë i duhet vendi i dytë ose i tretë në garë (vendi i parë shihet i kapur nga Tirana).

Luftëtari mbetet i fundit, Vllaznia 3 pikë shprese për mbijetesë

Vllaznia ka dalë me tri pikë nga përballja e djeshme në Gjirokastër, ndaj Luftëtarit, duke marrë tri pikë me vlerë për mbijetesën, gjithmonë nëse do t’i ikë vendit të tetë dhe të kapë të paktën vendin e shtatë që mbahet nga Bylis, i cili ka një pikë më shumë se shkodranët. Ka ende shumë javë garë deri në fund, kështu që Vllaznia shpreson të mos shkojë në “play-out”. Në takimin e djeshëm pati luftë të fortë sportive, por shkodranët, falë eksperiencës dhe motivimit më të mirë, shënuan shpejt, që në minutën e 40-të të pjesës së parë, me anë të brazilianit Silvo. Ky gol rezultoi vendimtar për fitoren e miqve, të cilët e ruajtën epërsinë deri në fund të takimit, pavarësisht se e mbyllën ndeshjen me 10 lojtarë pas daljes me karton të kuq të Malotës në minutat e fundit të ndeshjes. Futbollisti mori karton të verdhë, por debatoi me fjalë të rënda me gjyqtarin e për pasojë doli me të kuqe. Për trajnerin Hysen Dedja kjo ishte fitorja e parë në krye të Vllaznisë, ndërsa shpreson të marrë të tjera rezultate pozitive për qëndrimin në Superiore pa qenë nevoja të shkojë në “play-out”. Kjo fitore e çon Vllazninë në kuotën e 42 pikëve, një më pak se Bylisi që është rival me shkodranët për t’i ikur zonës “play-out”. Kjo fitore në transfertë e ndihmon sadopak Vllazninë, por nuk ia heq stresin dhe frikën e një rënie të mundshme nga kategoria, prandaj drejtuesit e Vllaznisë dëshirojnë sa më shumë pikë deri në fund. Ndërkohë, në kuadër të javës së 32-të, sot do të luhen tri ndeshjet e tjera, ku spikat dueli Tirana-Kukësi, një përballje ku verilindorët kanë shansin e fundit të rivalizimit për titull, ndërsa vonë në mbrëmje, Teuta do të presë Skënderbeun në një duel direkt për Europa League.