BREAKING NEWS

Shënohen 124 raste të reja me koronavirus në Shqipëri në 24 orët e fundit

Shënohen 124 raste të reja me koronavirus në Shqipëri
x

Sport

Legjionarët/ Tjetër shans për Vrionin tek Juve, Gatuzo i “dashuruar” me Hysajn

Legjionarët/ Tjetër shans për Vrionin tek Juve, Gatuzo i

Kuqezinjtë po kalojnë një moment të mirë me skuadrat e tyre, pasi janë në formacion, luajnë dhe përbëjnë kontigjent që mund ta ndihmojnë trajnerin e Kombëtares Edi Reja të bëjë një përzgjedhje të mirë për objektivat që ai ka në krye të skuadrës përfaqësuese. Ka prej atyre lojtarëve që luajnë rregullisht, sikurse është Strakosha, Berisha, Kumbulla e Gjimshiti, por ka dhe të tjerë që janë në kërkim të vetvetes, e një prej tyre është kapiteni Elseid Hysaj, i cili nuk e ka të qartë nëse do të mbetet apo jo pjesë e Napolit, pasi në horizont është shfaqur një ofertë e Romës dhe mbrojtësi kuqezi mund të largohet nga napolitanët në fund të këtij sezoni. Nga ana tjetër, një nga lojtarët e rinj, Xhakomo Vrioni, ka bërë progres dhe ka mundur të marrë ftesën e Mauricio Sarrit për t’u stërvitur me ekipin e parë të Juventusit, një arritje për futbollistin e U-21 të Shqipërisë.

Vrioni ka vëmendjen e Sarrit, tjetër shans tek Juventusi

Sportdashësit shqiptarë u mësuan që Xhakomo Vrionin ta shihnim rregullisht në listën e të grumbulluarve të Juventusit pas periudhës së koronavirusit. Kjo edhe sepse në repartin ofensiv mungonte Gonzalo Higuain, ndaj trajneri Mauricio Sarri ktheu sytë nga ekipi i të rinjve, pjesë e të cilës është sulmuesi shqiptar. Megjithatë, në ndeshjet e fundit, 21-vjeçari ka qëndruar larg ekipit të parë duke qenë pjesë e Primaverës bardhezi me të cilën fitoi edhe Kupën e Italisë. Por, në listën e të grumbulluarve të shpallur sot nga trajneri Mauricio Sarri për ndeshjen ndaj Milanit është edhe emri i Xhakomo Vrionit. Sulmuesi i talentuar ka përfituar nga mungesa e Paulo Dibalës dhe ia ka dalë të jetë pjesë e bardhezinjve që udhëtojnë drejt “San Siros”. Një eksperiencë unike kjo për Vrionin, i cili ende është në pritje të debutimit me ekipin e parë teksa pritshmëritë për të janë të mëdha.

Hysaj do të ketë prioritet, Gatuzo e do shqiptarin në ekip

Kapiteni i Kombëtares Kuqezi, Elseid Hysaj, është ulur në stol në dy ndeshjet e fundit të kampionatit, teksa trajneri Xhenaro Gatuzo preferoi të mos e aktivizonte shqiptarin. Kjo lidhet edhe me shpeshtësinë që ndeshjet luhen tashmë në këtë periudhë duke qenë se kampionati pësoi një ndërprerje të gjatë si pasojë e koronavirusit. Por, përsëri si pasojë e rotacionit, tashmë sipas mediave pranë klubit napoletan, shkodrani do të rikthehet të jetë titullar në ndeshjen e nesërme të Serisë A, atë në transfertë ndaj Xhenoas. Një takim i vështirë teksa të kaltërve iu duhen pikët e plota për të qenë në Kupat e Europës. Ndërkohë, mbetet ende një mister e ardhmja e mbrojtësit të kombëtares në sezonin e ardhshëm, pasi Hysaj ka opsionin e rinovimit dhe atë të zgjedhjes së një klubi të ri.

Keidi Bare e tepron me kartonët, shqetësohen në klubin e Malagës

Një tjetër lojtar shqiptar bën lajm gjatë ditëve të fundit, por në sensin negativ. Ai është mesfushori teknik Keidi Bare, i cili, në këtë rinisje pas ndalesës prej pandemisë, nuk po arrin të fitojë qetësi dhe po tregon shenja të shumta nervozizmi, çka ka sjellë edhe ndëshkime të rënda me kartonë në dëm të tij. Para pak javësh u ndëshkua me dy kartonë të verdhë në tre minuta (40’, 43’) dhe e dëmtoi jo pak ekipin e tij, që në fund mori me shumë vështirësi një barazim pa gola, në një ndeshje që mund ta kishte administruar ndryshe nëse fieraku do kishte kontrolluar nervat e tij. E njëjta gjë ndodhi edhe dy ditë më parë ndaj Albasetes kur mesfushori u ndëshkua me dy kartonë të verdhë brenda dy minutave (69’, 71’), duke lënë edhe një herë skuadrën e tij me 10 lojtarë dhe krijuar probleme për shkak nervozizmi, që në shqiptarët në fakt e kemi në gjak. Pas këtij episodi, prestigjiozja “AS” zbulon se trajneri Serxho Peliser ka vendosur të zhvillojë një bisedë të veçuar me 22-vjeçarin rreth këtyre episodeve negative të regjistruara nga mesfushori. Ka patur kritika me tonë të ulëta dhe këshilla për të ulur nervozizmin dhe reagimin e ashpër në momente të tilla, pasi Bare është një prej më të mirëve të skuadrës dhe i duhet me patjetër Malagës në këtë fazë të kampionatit.