Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Lerda ka firmosur me Partizanin, prezantimi “peng” i Demit që dekorohet si hero në Kosovë

Postuar: 15/06/2019 - 07:20

Mediat italiane e bëjnë fakt të kryer që Partizani ka arritur marrëveshje me Franko Lerdën, teknikun e njohur italian që ka drejtuar më parë Torinon. Në të vërtetë, duket e habitshme por ngjan e besueshme, pasi lajmin e përcjellin mediat italiane që japin të dhëna të besueshme që duket e kanë dalë nga burimet pranë vetë aktorëve të përfshirë në bisedime. Edhe pse vetë klubi i Partizanit nuk ka dhënë ndonjë informacion rreth kësaj çështjeje, gazetarët italianë besojnë se Partizani dhe Lerda e kanë arritur marrëveshjen dhe mbetet vetëm që tekniku italian të prezantohet në krye të “demave”. Arsyeja pse nuk u bë dje prezantimi ka lidhje me praninë e Gazmend Demit në Kosovë, ku mori një vlerësim të lartë për kontributin në pavarësinë e Kosovës nga presidenti Hashim Thaçi. Mund të jetë pikërisht kjo që vetë klubi “refuzoi” të informojë gazetarët e interesuar rreth këtij problemi apo më saktë rreth kësaj marrëveshjeje, pasi, nëse do t’u besojmë gazetarëve italianë atëherë i bie që Franko Lerda të jetë përfundimisht trajneri i ri i të kuqve për sezonin në vijim. Dhe duhet pranuar që lajmi është bërë i ditur nga i njëjti burim që konfirmoi një ditë më parë negociatat mesa palëve, gazetari i njohur për merkaton në Itali, Alfredo Pedulla, i cili i ka “vënë vulën” marrëveshjes së arritur në kryeqytet të enjten në darkë. “Sot u zhvillua vizita blic në Shqipëri për të rregulluar detajet, me palët që kanë arritur mirëkuptimin mbi bazën e një kontrate njëvjeçare. Për Lerda do të jetë një eksperiencë e vyer jashtë, shumë tërheqëse, duke marrë në konsideratë faktin se Partizani merr pjesë në eliminatoret e Ligës së Kampioneve”, ishte shkrimi i Pedulla në orët e vona të natës së të enjtes, duke mbyllur diskutimet rreth kësaj teme. Sot duhet të jetë dita e zyrtarizimit të trajnerit të ri nga klubi, i cili ka caktuar të dielën si ditën e parë të grumbullimit të lojtarëve që kthehen nga pushimet e tyre, për të filluar fazën përgatitore të hënën për përgatitjet e pjesëmarrjes në Champions. Gjatë javës në vijim, klubi do të fillojë të konkretizojë edhe afrimet në merkaton e verës për aktivitetin ndërkombëtar, por edhe për edicionin e ardhshëm ku do të synojë mbrojtjen e titullit nën drejtimin e trajnerit italian.

Demi dekorohet në Kosovë me “Urdhrin e Pavarësisë” nga Hashim Thaçi

Kreu i klubit të kuq, Gazmend Demi, nuk ishte dje në Tiranë. Ai ndodhej në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, për të marrë një dekoratë të veçantë, një vlerësim që sipas motivacionit që përmban raporti vjen për kontributin e tij dhënë në pavarësinë e Kosovës. “Kosova nderon Gazmend Demin me rastin e 20-vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, që solli çlirimin e vendit”, shkruajnë mediumet e ndryshme në Prishtinë. Deklarata e lartë jepet me motivacionin “Për kontributin e dhënë për Pavarësinë e Kosovës”, Presidenti i FK Partizanit, ka qenë i ftuari special i Presidentit të Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi, i cili i ka akorduar “Medaljen” përkatëse dhe “Urdhrin e Pavarësisë”. Kjo është dekorata më e lartë presidenciale që dorëzohet në Republikën e Kosovës. “Familja e FK Partizanit ndihet krenare dhe uron Presidentin Demi për këtë vlerësim të çmuar dhe kuptimplotë”, shkruhet në njoftimin e përcjellë nga të kuqtë. Nuk është vetëm kjo, por edhe koha e nevojshme që ka marrë Demi para se të vendosë rreth trajnerit të ri. Demi nuk do të nxitohet sikurse bëri dy vjet më parë me Moxhin, duke i besuar stafit drejtues e teknik italian skuadrën e tij dhe dështimi ishte i plotë. Me Skënder Gegën dhe me një grup më modest lojtarësh dhe një drejtor sportiv si Olsi Rama, Partizani ktheu titullin në gjirin e tij pas 26 vjetësh pritje. Vetë klubi dy ditë më parë as konfirmoi e as mohoi gjë, por la të hapur mundësinë e tratativave por të bërë zgjedhjen e duhur në të mirë të klubit të kuq të Partizanit.

Adriatik BALLA

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 18/07/2019 - 07:23

Juventusi do të jetë një superskuadër gjatë edicionit të ri.

Postuar: 18/07/2019 - 07:21

Agim Canaj duket qartë se nuk do të jetë trajner i Vllaznisë për sezonin e ri.

Postuar: 18/07/2019 - 07:20

Partizani është eliminuar nga Liga e Kampioneve.

Postuar: 17/07/2019 - 23:12

Mbyllet shumë shpejt aventura e Partizanit në Champions League.
 

Postuar: 17/07/2019 - 17:42

Ish-futbollisti i Kombëtares, aktualisht drejtor sportiv tek Lacio, Igli Tare, vijon të tregojë m

Postuar: 17/07/2019 - 17:29

Te Arsenali ka pa plasur një tjetër problem pa filluar ende sezoni.

Postuar: 17/07/2019 - 17:23

Klubi i Vllaznisë ka zgjedhur trajnerin e ri në stol dhe ai është, Mirsad Jonuz.