BREAKING NEWS

“Ky është problem”, Artan Hoxha zbardh detaje nga videoja ‘bombë’ që disponon për zyrtarin e lartë: E kanë kapur 'mat' duke...

x

Sport

Lerda: Partizani i ka të qarta objektivat, në Ballsh për të thelluar kryesimin

Partizani do të luajë këtë javë në Ballsh, përballë Bylisit, duke pasur objektiv trepikëshin që do të fuqizonte dhe më tej rolin e klubi të kuq në këtë kampionat, domethënë do të forconte pozitat e “demave” në Kategorinë Superiore. Trajneri i Partizanit Franko Lerda doli dje në një konferencë për shtyp, pikërisht për të analizuar ndeshjen e radhës që do të luhet këtë të shtunë në stadiumin “Adush Muça” të Ballshit. “Bylisi është një skuadër që po bën mirë. Është një nga surprizat e sezonit. Më ka lënë përshtypje të mirë në Tiranë. Do jenë të motivuar prej dy humbjeve. Ekipi ynë duhet të jetë i përqendruar dhe të japë maksimumin. Nuk e kam thënë kurrë se kemi probleme me sulmuesit. Flas gjithmonë për skuadrën, jo për sulmuesit. Kam thënë që duhet të jemi konkretë, jo vetëm sulmuesit. Pse të shqetësohem për fitoret 1-0. Firmos t’i fitoj me këtë rezultat të gjitha ndeshjet. Jemi përgatitur për të bërë mirë, kemi punuar taktikisht dhe fizikisht. Është e vështirë të imagjinosh si do dalë ndeshja. skuadra është rritur dhe grupi është i shëndoshë. Rezultatet e kanë rritur skuadrën në aspektin psikologjik”, tha Lerda. Më pas tekniku i skuadrës së kuqe foli për grupin dhe formacionin që do të hidhte në fushë në duelin e sotëm me ballshiotët. “Nuk di të them diçka për formacionin, të shohim. Vendosim deri nesër për ata që e nisin nga fillimi. Nuk është e thënë të mos ndryshojë formacioni fitues. Kemi punuar psikologjikisht dhe mendoj se lojtarët janë gati”, nënvizoi më tej ai. Më pas foli për Tiranën dhe derbin e ardhshëm me bardheblutë, një duel që ka gjasa të luhet në stadiumin e ri kombëtar “Air Albania”. Çdo ndeshje është e rëndësishme. Edhe pse luajmë derbin javën tjetër, kërkojmë të ruajmë vazhdimësinë. E respektojmë, por nuk kemi frikë. Duhet të respektojmë veten dhe të japim më të mirën ndaj Bylisit. Dhe nuk mendoj për barazimin, gjithmonë futemi në fushë për të fituar. Nuk e di si del rezultati, di që dua të fitoj. Çfarë ndodh në fushë nuk e di. Ti a mërzitesh kur barazon në kalçeto me shokët? Unë jo për vete. Partizanin gjithmonë e përgatis për të marrë fitoren”, theksoi më tej Lerda. Në konferencën e djeshme kishte vend për të folur edhe rreth merkatos por edhe klasifikimit, duke shprehur dëshirën që Partizani të thellonte avantazhin në kryesim. “Nuk e kemi mendjen te merkato, është herët. Të shohim ndeshjen e radhës me Bylisin. Kampionati është i ekuilibruar, nuk ka shumë shkëputje. Të gjitha skuadrat janë aty, përveç Flamurtarit dhe Luftëtarit. Me dy ndeshje ngjitesh në krye dhe nuk e mendojmë diferencën me skuadrat e tjera”, përfundoi Lerda.

Bylis i kundërpërgjigjet me Peposhin: Në Ballsh jemi të pathyeshëm

Ardit Peposhi i Bylisit foli dje për “Rtsh Sport” në prag të sfidës me Partizanin. Një nga lojtarët që ka një të kaluar me të kuqtë, flet dhe për gjendjen te Bylisi pas dy humbjeve radhazi në kampionat. “Pushimi na ka bërë mirë që ne të përqendrohemi te sfida me Partizanin. Normalisht që janë kampionët në fuqi, meritojnë respekt dhe aq më tepër që unë kam luajtur aty. Por, nuk ka më mirë se kur kthesa vjen nga një fitore me Partizanin. Kështu që ne do të hyjmë në fushë për ta fituar ndeshjen”, tha Peposhi. Më tej futbollisti i Bylisit foli dhe për atmosferën që ekziston në kampin ballshiot, duke thënë se grupi është i plotë dhe i gatshëm. “Me përjashtim të Ymeralilajt, të gjithë lojtarët janë gati dhe kemi punuar shumë gjatë kësaj periudhe. Kështu që me grup të plotë, besoj se do të jetë edhe më mirë për ne, ndaj edhe do të guxojmë për 3 pikët. Atmosfera është optimiste dhe të gjithë e kemi të qartë se duhet që të bëjmë kthesën”, shtoi ai. Më tej Peposhi thotë se e njohin Partizanin, cilësitë që ka si grup, pro edhe kualitete që nuk mungojnë. “Ne e dimë shumë mirë se çfarë ndeshje na pret. Por, edhe Partizani e di mirë se çfarë ka hequr nga Bylisi. Kështu që ne do të japim më të mirën, shpresojmë që të kemi edhe fatin me vete në këtë ndeshje që e luajmë në shtëpi dhe sigurisht që edhe mbështetja nuk do të na mungojë”, përfundoi Peposhi.

Adriatik BALLA