BREAKING NEWS

“E përdorte emrin e babait tim për t’i hedhur gurë Berishës’, Erion Braçe i jep përgjigjen e fortë djalit të Remzi Hoxhës

“E përdorte emrin e babait tim për t’i hedhur gurë
x

Sport

Liga i vë kushte qeverisë, por u bë palë në degradimin e akademive

Liga i vë kushte qeverisë, por u bë palë në degradimin

Liga profesioniste i ka vënë qeverisë katër kushte për t’i plotësuar, përndryshe do të zgjasë bojkotin e kampionatit, duke sjellë futbollin shqiptar në kolaps të vërtetë. Kemi të bëjmë me një situatë të pazakontë e të padëgjuar më parë, pasi nëse më herët ishte tërmeti i nëntorit, pandemia e koronavirusit e ndonjë tjetër që kishin sjellë zgjatje të sezonit, anulim aktivitetesh etj. e megjithatë, pavarësisht vështirësive, sërish ata ia kanë dalë. Në këto rrethana, garat, edhe pse pa spektatorë janë zhvilluar. Po në Shqipëri? Ka prej më shumë se një muaji që FSHF është bashkuar me Ligën për të dhënë një forcë në rritje që qeveria të miratojë kërkesat e presidentëve të klubeve të Superiores dhe jo vetëm, që të evitojnë shpenzimet. Qeveria ka kërkuar me ligjin e ri që sponsorët të deklarojnë pagat e lojtarëve, domethënë çdo president klubi është i detyruar që të deklarojë pagën e vërtetë të lojtarëve, por këtë gjë nuk e pranojnë krerët e klubeve. Jo vetëm kaq, ata duan që të falën edhe gjobat dhe kamatëvonesat e tjera që kanë të bëjnë me tatimet në shtet. Në këto rrethana, qëndrimet e Ligës Profesioniste janë parë nga qeveria si shantazh i pastër politik dhe ka qenë vetë kryeministri Edi Rama, i cili, edhe pse pranoi se mund të dialogonte me klubet për kërkesat e tyre, refuzoi në mënyrë kategorike të pranojë diktatin e tyre, duke thënë se është e papranueshme që presidentët e klubeve të mos derdhin kontribute apo taksa sikurse të gjithë shtetasit e tjerë. Gjithsesi, një rrugë komunikimi mes palëve është lënë, ku Fidel Ylli nga qeveria dhe ndonjë anëtar nga Liga bëjnë negociatori. Por sërish palët duken të vendosur në llogoret e tyre dhe duket se nuk do të ketë për së shpejti ndonjë marrëveshje që do t’i hapte rrugën nisjes së garës.

Degradimi i akademive, Liga nuk foli asnjëherë

Futbolli shqiptar është në një udhëkryq, kjo jo vetëm për shkak të ligjit të sportit që ende nuk ka nisur të zbatohet, por edhe për një fenomen që e ka brejtur futbollin deri në palcë e që ka të bëjë me keqmenaxhimin në shumë fusha. Infrastruktura e mëparshme është dëmtuar dhe këtu është fjala për pakësimin e terreneve krahasuar me vitin 1990. Ka rënie të cilësisë trajnuese, ka pak motivim tek të rinjtë dhe shumë korrupsion në përzgjedhjen e elementëve. Nepotizmi, bakshishet, allishverishet etj, kanë zaptuar deri në qelizë klubet e futbollit në Shqipëri. Akademitë e klubeve janë jo funksionale për shkak të këtyre probleme dhe paaftësisë së vetë klubeve për të bërë kontroll. Vllaznia, dikur një klub me shumë traditë në prodhimin e elementëve të rinj ka nisur të shkërmoqet, Dinamo gjithashtu. Në Elbasan dhe në Vlorë ku më parë dilnin shumë elementë ka pak prodhim, për të mos thënë fare. Lushnja dhe Fieri kanë pasur gjithmonë kualitete por me organizimin e tanishëm rënkojnë si mos më keq dhe i gjithë faji është i presidentëve, që i kanë degraduar deri në pikën e hallit sistemet e ekipeve zinxhirë, duke mos u dhënë të ardhme klubeve. FSHF ka bërë “të paditurin”, duke u mjaftuar me investimin tek ekipi kombëtar. Harrohet se Shqipëria sot është një skuadër me elementë gati 100% që vijnë nga kampionatet e tjera. Asnjë trajner nuk i preferon lojtarët e kampionatit tonë, pasi nuk kanë formimin e duhur fizik e tekniko-taktik. Asnjë ditë, prej shumë e shumë vitesh, nuk është dhënë llogari se kush e mban përgjegjësinë për dështimin katastrofik të akademive të klubeve. Liga e para duhet të fliste për këtë çështje, përfshi dhe kreun e federatës Duka. Sa lojtarë për nivelin e Kombëtares prodhon kampionati? Pse nuk përgjigjen presidentët anëtarë të Ligës, që mblidhen kafeneve të Europës e sajojnë letra me ultimatume kundër qeverisë së Edi Ramës, duke shpalosur kushte të drejta sportive (për hir të së vërtetës), por me qasje politike të ngjashme me opozitën, duke e shndërruar problemin e vërtetë të futbollit tonë në një lojë politike të rëndomtë të ditës. Dhe e vërteta tjetër, ajo që ka të bëjë me shkretizimin e akademive të klubeve dhe krejt menaxhimin e futbollit në vend, fshihet, pasi në logjikën e Ligës dhe të FSHF-së, faji, nëse nuk është i qeverisë, mbetet gjithmonë jetim.