BREAKING NEWS

Reagon Ambasada e Francës me ‘notë proteste’ MJP për deklaratat e forta të kryeministrit: Rama po sulmon vendet mike dhe aleate, Bashkimi Evropian është donatori më i madh në Shqipëri

Reagon Ambasada e Francës me ‘notë proteste’ MJP për
x

Sport

Llazani: Alarmante, jemi i vetmi vend me basketboll të pezulluar

Llazani: Alarmante, jemi i vetmi vend me basketboll të pezulluar

Pas letrës së Drejtorit Ekzekutiv të FIBA Europë, Kamil Novak, Federata Shqiptare e Basketbollit ka vepruar menjëherë, duke i nisur një shkresë autoriteteve përgjegjëse për sigurinë shëndetësore, për dijeni edhe kryeministrit Edi Rama, ku i kërkon heqjen urgjente të pezullimit dhe dhënien e lejes për të zbritur basketbollin në parket. Letra është dërguar nga sekretari i FSHB-së, Korab Llazani, i cili ka radhitur një sërë pikash ku vihen në dukje humbjet e rënda të basketbollit shqiptar gjatë kësaj periudhe.“Si udhëtarë në të njëjtën varkë, të prekshëm nga sfidat që na përballi viti 2020, jemi të alarmuar, siç edhe jeni në dijeni nga kërkesat dhe thirrjet tona të vazhdueshme, për stopimin e aktivitetit basketbollistik në vend. Nga koha kur kemi shkëmbyer, kërkesat fillestare e deri në atë të fundit në Nëntor të vitit 2020, kanë rrjedhur ngjarje të pakëndshme në basketbollin shqiptar si në arenën kombëtare ashtu edhe në atë ndërkombëtare”, shkruan ndër të tjera Llazani, teksa më poshtë radhit disa pika që dëshmojnë krizën ku është përfshirë basketbolli shqiptar.

1. Përjashtimin e Shqipërisë në garat europiane të Eurobasket Femra 2021, shkak i vonesës së kthimit të përgjigjes nga ana juaj duke shkaktuar mos paraqitjen, sipas kërkesave të parashtruara nga FIBA, në Stamboll të Turqisë nga 9-15 Nëntor 2020.

2. Pjesëmarrja e sforcuar me ekipin kombëtar meshkuj të rritur, për shkak të ndërprerjes së aktivitetit në vend, delegacioni udhëtoi si "ekip klandestin" ku ne vendin e tij nuk mund të përgatitej, ndërsa në vendin organizator-Portugali, mund ta bënte lehtësisht.

3. Po përballemi me një eksod lojtarësh vendas, të cilët kalojnë kufirin jo më larg se Kosova, vendi që aq shumë përpjekje ka bërë deri në paraqitjen e kandidaturës për vend organizator të raundit të ardhshëm të ndeshjeve të Botërorit 2023.

Shqipëria i vetmi vend në botë me basketboll të pezulluar

Në vijim të letrës së tij, Llazani bën një analizë të përgjithshme të situatës, duke shtruar edhe një pyetje që duhet t’i vërë në siklet autoritetet: Pse gjithë bota e ka basketbollin në parket, përfshi dhe rajonin, e Shqipëria e mban pezull? “Kemi hyrë në muajin e 11-të të mos zhvillimit të aktivitetit tonë sportiv, që jo vetëm sjell humbje të mëdha në burime njerëzore, me efekte të jashtëzakonshme financiare, sociale dhe shëndetësore, por ndjell frikë dhe pasiguri për vazhdimësinë, - shkruan Llazani, - akoma nuk kemi një komunikim zyrtar, përveç një video shpresëdhënëse të znj.Kushi në rrjetet sociale, mesazh i të cilës nuk dihet akoma se kur do të realizohet. Ju lutemi përzemërsisht, në emër të investimeve të bëra përgjatë gjithë këtyre viteve, të shoqatave tona sportive po ashtu të federatës për të rritur cilësinë sportive, e cila nga viti në vit po shënonte rritje të dukshme, të na arsyetoni, pse Basketbolli në Shqipëri, nuk mund të zhvillohet, si në të gjithë vendet e tjera të Botës, Europës dhe Rajonit?! Kemi shënuar statistikën më negative, duke u bërë I vetmi vend në botë, me aktivitet të pezulluar. Nëse masat merret në mënyrë rigoroze, për të cilat Ju garantojmë angazhimin tonë maksimal, duhet të na jepet drita jeshile për të rifilluar. Jemi të bindur, se vëmendja juaj do të jetë më e madhe ndaj kërkesës tonë, të kësaj here, gati-gati ndjehemi të harruar, si komunitet që zhvillon aktivitetin në territorin e Republikës së Shqipërisë. Në nivel kombëtar ashtu dhe ndërkombëtar nuk duam të humbim imazhin e një organizate të motivuar për të bashkëpunuar dhe sjellë kontributin e saj edhe në sferën shëndetësore”. Në fund, Llazani thirr në ndërgjegje zyrtarët e institucioneve shëndetësore, ku i vë para faktit që asnjë basketbollist nuk rezulton pozitiv nga testet antikovid. “Znj. Rakacolli, kemi një mini-statistikë të provuar nga muaji Nëntor, sportistët tanë dolën të gjithë Negativ ndaj Covid19, pas disa testimeve të njëpasnjëshme, gjë e cila dëshmon se aktiviteti ynë parandalon, dhe ul mundësinë e prekjes nga virusi. Ndaj lutemi, në prag të ndeshjeve të ardhshme, të ekipit kombëtar meshkuj të rritur 15-21 Shkurt - Qipro, të alarmoheni njësoj si ne, për të zhvilluar në kushte optimale aktivitetin. Me shpresën, që kësaj here të marrim lajmin e shumëpritur, atë të rifillimit”, nënvizon në fund Llazani në letrën e tij dërguar titullarëve të shëndetësisë.