Lajme të tjera
BREAKING NEWS

Paketa e Biznesit në mbështetje të çdo biznesi shqiptar

Paketa e Biznesit në mbështetje të çdo biznesi shqiptar
x

Sport

Lojë skandaloze e Shqipërisë në “Air Albania”, fiton Lituania, komplikohet grupi

Lojë skandaloze e Shqipërisë në “Air Albania”,

Suksesi në Bjellorusi kishte rritur premisat e skuadrës kuqezi për të qenë e para në grupin e 4-t të Divizionit C në Ligën e Kombeve. Por gjithë ajo famë u tret si bora, pasi ndeshja e mbrëmshme në “Air Albania”, tregoi dhe një herë dobësitë e skuadrës përfaqësuese, mungesën e saj të qëndrueshmërisë dhe padyshim rezervën që ky ekip mund të sigurojë vendin e parë në grup. dje Shqipëria humbi përballë Lituanisë, një skuadër më shumë se modeste, e cila erdhi, pa dhe fitoi brenda fushës tonë. Kuqezinjtë bënë lojë skandaloze në tërësi, duke mos merituar më shumë. Padyshim që kjo paraqitje dhe kjo humbje meritojnë analizë të thellë dhe kritikë serioze, pasi kjo skuadër ishte shëmbëlltyrë krejt e kundërt me ndeshjen që bëri në Bjellorusi. Humbja e mbrëmshme ishte më e rënda ndër vite, për më tepër ndaj një kundërshtari shumë të dobët.

Pjesa e parë

Ndeshja nisi e qetë, por minutë pas minute loja tregoi se skema e trajnerit Reja, me 4-3-3 nuk funksionoi aq mirë, dëshmuar me mungesën e rasteve për shënim nga tanët, ndërkohë që Lituania ishte më pragmatiste në lëvizjet e saj, aq sa në fraksionin e parë të lojës krijoi 2-3 raste të mira shënimi,  duke qenë më afër golit sesa skuadra jonë. Pati ngërç në planin sulmues, diapazon të thellë midis mesfushës dhe sulmit dhe mungesë idesh për të depërtuar. Thuajse të gjitha aksionet tona u shuan në hyrje të zonës, jo për meritë të lojtarëve miq sesa dobësisë në finalizim. Sinjali i parë sulmues nga tanët u dha në minutën e 10-të, kur Manaj tentoi të rrotullohet në zonë e të gjuajë, por nuk konkretizon si duhet. Për minuta të tëra kuqezinjtë mbajnë topin, duke i marrë mesfushën kundërshtarit, por kjo nuk mjafton, pasi Lituania është korrekte në veprimet mbrojtëse. Në minutën e 30-të lituanezët afrohen ndjeshëm tek goli, por Strakosha bëhet vendimtar. Në kushtet kur sulmi ynë nuk depërton dot, Trashi bën në kokën e tij në minutën e 33-të, duke tentuar të gjuajë vetë në një pozicion të prirët. Në fakt shpërdoron një rast të mirë. Një minutë më pas Sadiku bëhet “i gjallë”, godet fluturimthi, por topi përfundon jashtë. Në minutën e 38-të Hysaj jep një asist të bukur në zonë për Sadikun, por topi ka forcë dhe sulmuesi nuk mund të gjejë kohën e goditjes. Një minutë më pas, në të 39’, Lituania i afrohet ndjeshëm golit, por goditja e njërit prej tyre devijohet në ekstrem nga Strakoha, që shpëton portën nga një gol i sigurt.

Pjesa e dytë

Pjesa e dytë ishte akoma më skandaloze se e para për skuadrën tonë. Asnjë lloj skeme nuk i jepte ngjyrim optimist këtij ekipi, i cili dukej i lodhur, i paorientuar dhe tërësisht jashtë planeve që kishin dhënë trajneri. Në minutën e 51-të vjen ndëshkimi për kuqezinjtë, ku një gabim trashanik i Gjasulës shfrytëzohet nga Donatas Kazlauskas, i cili kupton mjaft mirë qëllimin, kap topin dhe shmang daljen e Strakoshës, duke gjuajtur saktë në portë dhe duke evituar edhe ndërhyrjen e pasaktë të Hysajt. Për pasojë 1-0 për Lituaninë, e cila me këtë gol jo vetëm i dha qetësi vetes, por diti ta menaxhojë epërsinë mjaft mirë. Trajneri Reja nxiton të bëjë ndryshime në formacion. Fut Roshin dhe Uzunin në vend të Trashit dhe Gjasulës. Por “raketa” Roshi rezulton i pafat. Dëmtohet dhe detyrohet të lerë fushën pas 7 minutash, duke i bërë vend të riut Broja. Edhe lituanezët bëjnë ndërhyrjet e tyre, duke i dhënë freski skuadrës. Pritej një reagim nga tanët në fazën ofensive dhe një goditje dënimi e ekzekutuar nga Manaj në minutën e 65-të, por portieri mik bën një pritje spektakolare. Më pas janë minuta të vakta të skuadrës tonë, që vetëm përpiqet të shkojë në sulm, por nuk ka kurrfarë fantazie. Madje lituanezët mund ta kishin dyfishuar shifrën e rezultatit me rastet e paraqitura si pasojë e gafave të pambarimta që bënë mesfushorët dhe mbrojtësit tanë. Minutat e fundit janë dramatike. Hysaj, i nevrikosur ne ekstrem shkakton faull dhe merr kartonin e dytë të verdhë, duke lënë fushën me karton të kuq. Skemat e Rejës nuk funksionojnë dhe lojtarët janë tërësisht të papërqendruar. Për pasojë fitoi Lituania 1-0, duke marrë tri pikët e para në grupin e 4-t në Divizionin C të LIgës së Kombeve. Shqipëria nuk e shfrytëzoi rastin të marrë kreun e grupit. Ajo e nënvlerësoi kundërshtarin, bëri eksperimente të panevojshme në skemë dhe në emra, doli që ishte një ekip mediokër në fushë që nuk bëri një aksion të mirë e të saktë drejt portës kundërshtare.