BREAKING NEWS

Shqipëria nuk gjen qetësi / Plas arma në Elbasan, ekzekutohet një person në makinë

Shqipëria nuk gjen qetësi / Plas arma në Elbasan, ekzekutohet
x

Sport

Lojtarët cilësorë që erdhën nga Kosova e Maqedonia nuk bënë diferencë, më i miri Mazrekaj

Lojtarët cilësorë që erdhën nga Kosova e Maqedonia nuk

Në kampionatin shqiptar të këtij sezoni janë afruar shumë lojtarë nga vendet fqinje, kryesisht Maqedonia e Veriut dhe Kosova. Kjo ndodhi për shkak se në kohën e pandemisë afrimi i lojtarëve në treg nga Amerika Latine dhe Afrika ishte i vështirë. Mungesa e lëvizjeve vitin e kaluar solli përqendrimin e klubeve në tregon rajonal dhe shumë futbollistë maqedonas, malazezë, boshnjakë e veçanërisht nga Kosova zbarkuan në radhët e kampionatit tonë. Një pjesë e lojtarëve që janë pjesë e Tiranës, Vllaznisë, Kukësit, Partizanit, Teutës e ndonjë tjetri kanë rezultuar cilësor dhe kanë mundur të bëjnë diferencë, por janë disa emra prej të cilëve është pritur më shumë por performanca e tyre ka rezultuar e dështuar deri tani. Nga kjo kategori bëhet fjalë për lojtarë shumë të njohur shqiptarë që kanë qenë më parë pjesë e skuadrave në Maqedoni dhe në Kosovë, ku kanë lënë gjurmët e tyre të spikatura. Një i tillë është Ferhan Hasani, që ka qenë kampion me Shkëndijën e Tetovës e që këtë edicion luan me Partizanin tonë. “Buba”, siç e njohim Hasanin, pritej të kishte rendiment të lartë, por ai as lojtar formacioni nuk po luan tek të kuqtë. Një situatë jo e mirë për të, plus problemet që e shoqëruan. Një tjetër futbollist që nuk e arriti kulmin e tij në kampionatin shqiptar është Agim Ibraimi, pjesë e Kukësit, që ka luajtur më parë në kampionate cilësore dhe është një sulmues me potencial. Ka shënuar disa gola dhe ka bërë ndeshje të mira, por është larg atij Ibraimit që të gjithë presin. Edhe Beka, portier i Tiranës, ka luajtur mirë, por prej tij pritet akoma më shumë, pasi është futbollist që ka pretendime të mbrojë portën e përfaqësueses së Kosovës. Por pikëpyetja e madhe është Hasani i Partizanit.

Daja: Hasani nuk është ende gati, duhet të presë për të luajtur titullar

Pranohet nga opinionistët dhe specialistët tanë të futbollit që Ferhan Hasani ishte një nga afrimet më të bujshme të merkatos së kryeqytetasve në janar, por deri në këto momente “Buba” nuk ka luajtur ende titullar dhe nuk ka arritur të lërë gjurmë me fanellën e kuqe. Trajneri Daja pranon se Hasani po rritet fizikisht dhe po punon mirë, por thekson se ka ndërmend t’i besojë grupit që mposhti Bylisin një javë më parë, edhe në ndeshjen ndaj Kastriotit, në kuadër të javës së parë të fazës së katërt të Superiores. “Hasani po përmirësohet fizikisht nga java në javë, por fokusi ynë është te grupi dhe jo te individi, ndaj edhe ndaj Kastriotit do t’i jap besim grupit që fitoi ndaj Bylisit. Dihen vlerat e Hasanit, por dëmtimet e lanë disi mbrapa dhe tani do të provojmë ta përfshijmë gradualisht në manovrën tonë të lojës”, u shpreh tekniku i të kuqve.

Mazrekaj, më i miri nga veteranët e rajonit

I vetmi lojtar që ka dhënë prova se mund të bëjë diferencën është Mentor Mazrekaj, i cili ka eksperiencë në kampionatin shqiptar. Këtë edicion ai është pjesë e Laçit dhe falë lojës së tij të mirë skuadra kurbinase ka marrë rezultate pozitive. Mazrekaj e njeh mirë kampionatin shqiptar pasi ka luajtur më herët me Partizanin, por ka luajtur edhe në Kosovë. Një koment u tërhoq fare nga futbolli i luajtur por u kthye sërish duke mos qëndruar dot larg sferës magjike të fushave. Në Kurbin ai është pjesë e formacionit dhe trajneri Shpëtim Duro e ka cilësuar lojtarin më të mirë të kampionatit shqiptar, madje një lojtar që meriton të ftohet në ekipin kombëtar. Ndryshe nga Hasani, Ibraimi e ndonjë tjetër që nuk është ngjitur në nivelin e kërkuar, Mazrekaj nuk ka pasur probleme përshtatjeje sepse ka cilësi dhe është sprovuar më herët në kampionatin tonë. Kjo e bën atë që të krijojë diferencë në fushën e lojës dhe nuk kanë qenë të pakta rastet kur ai është treguar vendimtar për skuadrën laçiane gjatë këtij edicioni. Mbetet të shihen statistikat përfundimtare në rang individual për lojtarët që erdhën me bijë në merkaton e shkuar, por deri tani vetëm Mentor Mazrekaj e ka justifikuar veten, të tjerët janë larg asaj që priste publiku dhe vetë klubet që i kanë blerë.