BREAKING NEWS

71 raste të reja në Shqipëri me Covid-19

71 raste të reja në Shqipëri me Covid-19
x

Sport

Lotito motivon Taren dhe Strakoshën, shpërblime të majme nëse fitojnë titullin

Lotito motivon Taren dhe Strakoshën, shpërblime të majme

Dy ditë më parë Thomas Strakosha ishte në faqet e para të shtypit sportiv italian si “i dyshuar” që është prekur nga koronavirusi, pas deklaratave të ish-lacialit Brambati. Por kjo jo vetëm u hodh poshtë nga familjarët dhe klubi, por është vetë presidenti Klaudio Lotito që ka menduar për ta motivuar gardianin e kombëtares kuqezi, duke premtuar shpërblime të majme nëse Lacio fiton titullin këtë edicion në Itali. Në fakt, Lacio këtë sezon është një nga skuadrat që ka pasur formën më të mirë dhe kjo ka bërë që bardhekaltrit të jenë të përfshirë në garën për titullin kampion. Kryeqytetasit janë në vendin e dytë, vetëm një pikë pas kryesuesve të Juventus. Ndërkohë, në klubin lacial po përgatiten tashmë për rifillimin e kampionatit për të pasur të njëjtën vazhdimësi si para ndërprerjes prej koronavirusit. Për këtë ka menduar edhe presidenti, Klaudio Lotito. Presidenti ka vendosur një premio të majme prej 10 milionë eurosh nëse ekipi ia del të shpallet kampion dhe të thyejë hegjemoninë e Juventusit në këto tetë vite. E shpërndarë për të gjithë skuadrën, i bie që futbollistët të përfitojnë nga 400.000 mijë euro secili nëse përmbushin objektivin titull. Tashmë, është në dorë të Strakoshës me shokë të bëjnë pjesën e tyre, pasi Lotito e bëri hapin e tij.

Strakosha me koronavirusi? Tek Lacio tallen me Brambatin

Ndërkohë, deklarata e ish-futbollistit Brambati se Thomas Strakosha është pozitiv me Covid-19 dhe se Lacio po e fshihte një gjë të tillë, ka bërë xhiron e të gjithë mediave në Itali dhe ka sjellë një reagim të ashpër nga klubi i portierit shqiptar. Te Lacio e kanë përgënjeshtruar menjëherë këtë deklaratë duke kujtuar se jo më kot Strakosha kishte kaluar ditët e fundit në fizioterapi në ambientet e qendrës stërvitore, në kontakt me shokët e tjerë, ndërsa rikuperonte nga dëmtimi i pësuar që i kishte ndërprerë në mes stërvitjet me pjesën tjetër të skuadrës. Mediat pranë klubit të Lacios tregojnë se në klub janë të bindur se deklarata të tilla, ashtu si edhe intervista e “Le Iene” me ish-menaxherin e Zarate që deklaronte se Lotito e kishte paguar nën dorë ishin sulme të organizuara për të përbaltur imazhin e klubit. Gjithçka vjen nga fakti se Lacio tashmë po shqetëson “fuqitë e mëdha” në futbollin italian duke u kthyer në një pretendente të vërtetë në luftën për titull. Por te Lacio janë gati për luftë ndaj kujtdo dhe kjo duket qartë edhe nga fjalët e Ivo Pulçinit, shefit sanitar të klubit. Ai ka bërë të qartë se nuk ka ndër mend të zbatojë protokollin e izolimit të gjithë skuadrës nëse del një rast pozitiv. “Po më thoni që duhet të mbyll në shtëpi 50 persona të shëndoshë nëse ka një të sëmurë, çfarë kuptimi ka? Komiteti Tekniko-Shkencor duhet të marrë për bazë edhe kurbën zbritëse të virusit. Ajo që ishte e vërtetë një muaj më parë, tani ka ndërruar plotësisht”, tha ai.

Rikthimi në stërvitje, qetësohen të gjithë tek Lacio

Portieri kuqezi, Strakosha, ka kaluar ditë intensive kohët e fundit, teksa akuzat e ish-futbollistit, Masimo Brambati, i cili u shpreh se shqiptari nuk është i dëmtuar, por është me Covid-19 i kanë prishur qetësinë gardianit. Ditën e djeshme dhe të sotme Lacio është kthyer në stërvitje, por Strakosha nuk ka qenë i pranishëm. Shkaku i mungesës së tij në fushën e trajnimit vazhdon të jetë shqetësimi muskular. Për ta kaluar këtë problem fizik mësohet se 25-vjeçari i është nënshtruar seancave të gjata të fizioterapise dhe në ditët e ardhshme ai do të jetë bashkë me shokët për tu bërë gati në rinisjen e Serie A, ku Lacio synon titullin kampion. Dëmtimi i Strakoshës trazoi jo pak mendimet e klubit të Lacios, për shkak se ai është i vetmi portier në skuadër, që i përgjigjet kërkesave të trajnerit dhe nivelit të kërkuar për të fituar një kampionat si Serie A. Gjithashtu, portieri i dytë është i dëmtuar dhe në skuadër, pa Tomasin mbetet vetëm një portier, ai i tretë.