BREAKING NEWS

Ministria e Shëndetësisë publikon bilancin: 130 raste të reja brenda 24 orëve

Ministria e Shëndetësisë publikon bilancin: 130 raste të
x

Sport

Malaga bën lojëra merkatoje me shqiptarët, Sadikun e blen, Baren e shet

Malaga bën lojëra merkatoje me shqiptarët, Sadikun e blen, Baren

Legjionarët po shfrytëzojnë kohën për të arritur maksimumin në merkaton e verës, pë2r të gjetur ekipet e dëshiruara për sezonin e ri. Në Spanjë ka pasur këtë sezon një kontigjent të rëndësishëm lojtarësh të ekipit kombëtar, por që janë me valixhe në duar, duke kërkuar destinacione të reja. Ky destinacion mund të jetë sërish kampionati spanjoll, por nuk përjashtohet lëvizja edhe në kampionate të tjera. Padyshim, elementi më i spikatur dhe i rëndësishëm nga Kombëtarja që luan në Spanjë është Armando Sadiku, i cili ka ende një shpresë të mbetet tek Malaga, ndërkohë që lojtari tjetër shqiptar i kësaj skuadre, Keidi Bare, duket se do të ndryshojë ambient dhe klubi vetë shprehet i kënaqur me largimin e tij. Në Spanjë luajnë edhe Rei Manaj dhe Ivan Balliu, që të dy pjesë e skuadrës kombëtare dhe po ashtu pritet me interes edhe lëvizja e tyre, pavarësisht se nuk kanë dhënë shenja të forta të një transferimi të mundshëm në merkaton e verës.

Malaga: Sadikun duam ta blejmë

Drejtori teknik i Malagës, Manolo Gaspar, konfirmon interesimin e Espanjol për Keidi Baren ndërsa nuk e fsheh dëshirën që klubi andaluzian ka për të blerë kartonin e Armando Sadikut nga Levante. Në një intervistë për mediat spanjolle drejtori teknik i Malagas u shpreh: “E dimë për interesimin e Espanjol për Keidi Baren, normalisht që do të vendosim në të mirë të klubit. Kur të vijë oferta e duhur, do të vendosim. Për Sadikun, situata është shumë më e komplikuar. Ai do të rikthehet te Levante, ka dhe 1 vit kontratë me ata. Duhen bindur dy klube, me aq sa di unë ai do të shitet. Levante ka marrë oferta në dijeninë time, gjithsesi do të studiojmë me kujdes situatën e tij. Normalisht që dhe ne duam ta mbajmë këtu”, përfundoi Gaspar.

Keidi Bare po largohet

Keidi Bare duket se në sezonin e ri do ta shohim në një tjetër klub spanjoll. Në ditët e fundit ka pasur shumë zëra se Espanjol është klubi që kërkon me ngulm në ekip mesfushorin e kombëtares. Dhe, duket se katalanasit janë shumë pranë t’ia arrijnë qëllimit, teksa mediat pranë klubit të Malagës bëjnë të ditur se fieraku ka gjetur gjuhën e përbashkët me drejtuesit e Espanjol. Tashmë, mbetet që klubet mes tyre të arrijnë akordin, teksa shifra pritet të jetë mes një milion e gjysmë deri në dy milionë euro. Ndërkohë, Espanjoli në këtë sezon gjithashtu do jetë pjesë e La Liga 2, pasi nuk mundi të mbijetonte në elitën e futbollit spanjoll, mirëpo objektivi është të rikthehet menjëherë në nivelet e larta. Ndaj, edhe plani për të transferuar Keidi Baren është në funksion të këtij objektivi.

Llullaku pas marrëveshjes me Kukësin: Dëshirë e madhe të luaj në Shqipëri

Sulmuesi i krahut të majtë të Kombëtares, Azdren Llullaku, mund të jetë goditja e madhe e merkatos së verës për skuadrën e Kukësit. Sulmuesi i cili ka veshur edhe fanellën e përfaqësueses shqiptare, sapo ka ndërprerë kontratën e tij me Shakhtor Soligorsk në Bjellorusi dhe është në kërkim të një sistemimi tjetër, ndërsa duket se ka gjetur një akord parimor me Kukësin, siç e pranon edhe ai. “Ka interes nga të dy palët, por tani duhet të kuptohemi në të gjitha aspektet”, u shpreh fillimisht sulmuesi 32-vjeçar i cili në vitin 2017 u shpall golashënuesi më i mirë i kampionatit rumun të futbollit ku luante me Gas Metan Medias. “Ky është një nga variantet që kam dhe dëshira që të luaj në Shqipëri ekziston. Por në këtë moshë që jam duhet të shikoj variantin më të mirë për mua dhe për familjen time”, shtoi ai, duke mos mohuar se ka edhe oferta të tjera. “Sapo kam ndërprerë kontratën, të shohim tani në vijim”, theksoi Llullaku në prononcimin e tij. Pra palët ende nuk e kanë zyrtarizuar marrëveshjen, por Llullaku duket gjithnjë e më pranë Superiores dhe konkretisht skuadrës verilindore.