BREAKING NEWS

“S’ka forcë në tokë ta ndalojë rotacionin”/ Nuk përmbahet Lulzim Basha, reagon ashpër pas takimit me Metën dhe aleatët: Presidenti më informoj me detaje tronditëse

“S’ka forcë në tokë ta ndalojë
x

Sport

Mbyllet faza përgatitore në Turqi, ja strategjitë e reja të pretendentëve për titull

Mbyllet faza përgatitore në Turqi, ja strategjitë e reja të

Faza përgatitore e klubeve të Kategorisë Superiore po shkon drejt fundit dhe ekipet po bëjnë analizën e ecurisë së grupit gjatë këtyre ditëve stërvitore intensive. Katër pretendentet për titull, Partizani, Kukësi, Tirana dhe Teuta, kanë pasur në fokus një fazë përgatitore të fortë, që lidhet me objektivin, por vetëm tri skuadrat e para kanë qenë jashtë vendit, kurse Teuta e ka zhvilluar këtu fazën e saj. Sidoqoftë, një nga karakteristikat e kësaj faze përgatitore ka qenë kombinimi i saj me lëvizjet në merkato dhe me duelet miqësore si test për grupit. Këto tre elementë kanë gjetur shprehjen e tyre edhe në funksionimin e grupeve respektive, pasi Partizani është i kënaqur me ecurinë e grupit në aspektin fizik, por jo në rezultatet e ndeshjeve, sepse luajti dy miqësore dhe i humbi. Kurse Tirana kishte një ekuilibër më të mirë në lojë e në rezultate por ka dyshime se nuk ka marrë ngarkesën e duhur fizike. Sa i takon Kukësit, rezultatet janë në funksion të ekipit dhe ecuria pretendohet se ka qenë e mirë, prandaj ka edhe humor trajneri Shpëtim Duro. Por problemi i Kukësit janë lëvizjet kryesisht dalëse, që mund të sjellin disbalanca për vazhdimësinë. Sa i takon Teutës, skuadra e trajnerit Edi Martini ka bërë një fazë përgatitore pa zhurmë, por vetë trajneri ka shprehur dëshirën të ketë dy elementë cilësorë më shumë, por besohet, edhe nga ecuria e deritanishme, që Teuta mund të jetë surprizë në ditët në vijim. Duke e përmbledhur këtë situatë, ku katër skuadrat për titull mbyllin fazën e tyre përgatitore, mund të thuhet se ka avantazhe dhe disavantazh për secilën prej tyre. Kukësi dhe Partizani kanë avantazh grupin e konsoliduar dhe eksperiencën e futbollistëve, që janë në shumicë nga edicioni i shkuar, kurse Tirana e Teuta, pavarësisht oshilacioneve, kanë dhënë shenja që mund të bëjnë diferencë me reparte të veçanta. Kështu, durrsakët kanë mbrojtjen më efikase në Superiore dhe punojnë me skema difensive që marrin rezultat minimal pozitiv, kurse Tirana ka sulm më të mirë. Mbetet enigmatike merkato e Tiranës, por nga deklarata e trajnerit Egbo mund të nxjerrim si konkluzion që miqësoret e luajtura në fazën përgatitore e kanë konsoliduar më tej grupin dhe Tirana e tij mund të bëjë surprizë në vijim.

Avantazhet dhe disavantazhet e pretendentëve për titull

Partizani

Avantazhet: Grup i konsoliduar, eksperiencë, taktikë italiane, përgatitje fizike e mirë, disiplinë, pozita e mirë në renditje, tifozët e shumtë, mbështetje financiare. Disavantazhet: Ka largime dalëse, nuk ka sulmues cilësor, nuk ka grup që bën diferencë të madhe.

Tirana

Avantazhet: Lojtarë teknikë, grup i larmishëm, eufori, lojë në përmirësim, rezultate në përmirësim, trajner pozitiv, trend në rritje të treguesve sportivë. Disavantazhet: Mbrojtje e dobët, përgatitje e shpërndarë, largime elementësh cilësorë, kriza të pakuptimta në klub, raporte të tensionuara me tifozerinë.

Kukësi

Avantazhet: Grup i konsoliduar, lojtarë me eksperiencë, trajner me eksperiencë, investim i fuqishëm financiar, rezultate në rritje, lojë në përmirësim, kryesim në renditje. Disavantazhet: ka pasur largime elementësh, rivalitet i dëmshëm në brendësi të formacionit, disiplinë diktatoriale nga drejtuesit, mungesa e ndeshjeve në shtëpi dhe numri i paktë i tifozëve.

Teuta

Avantazhet: Grup cilësor ku gërshetohen elementët me përvojë me ata të rinj, trajner energjik, lojë racionale, rezultate në përmirësim, fazë përgatitore pa pompozitet por cilësore, larg kritikës mediatike. Disavantazhet: Mungesë eksperience, nuk ka lojtarë që bëjnë diferencën, nuk ka grup që mban presionin, osilacione në performancë.