Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Memushaj: Në Ligën e Kombeve dështuam, tani s’ka më justifikime

Postuar: 20/03/2019 - 07:17

Në konferencën e djeshme për shtyp që Kombëtarja organizoi në Durrës, para gazetarëve dolën Migjen Basha dhe Ledian Memushaj, dy mesfushorë të spikatur dhe veteranë të ekipit përfaqësues. Vlonjati Memushaj pritet të ketë një rol lideri në repartin e mesfushës edhe këtë sezon, pasi vjen nga shkolla italiane e lojës, atje ku Panuçi i njeh mirë futbollistët dhe dihet që mes teknikëve italianë dhe lojtarëve që kanë luajtur në Itali ka shpejt mirëkuptim dhe kjo ka qenë evidente si me De Biazin, ashtu dhe me Panuçin. Memushaj tha se nuk ishte i përqendruar tek sukseset personale, por sukseset e grupit dhe dëshironte ta çonte Kombëtaren sa më lart të jetë e mundur. “Nuk jam i përqendruar te arritjet personale. Dua thjesht të impenjohem dhe të jap më të mirën, për të çuar sa më lart Kombëtaren. Shumica e lojtarëve kanë minuta në këmbë dhe janë në formë të mirë fizike. Sa e ndihmojnë Kombëtaren këto. Është gjë pozitive kur lojtarët kanë luajtur shumë dhe kanë formë të mirë fizike, por kemi edhe mungesa. Megjithatë ne duhet të përqendrohemi të japim më të mirën dhe ta nisim me këmbën e mbarë”, u shpreh Memushaj.

Më pas ai komentoi ecurinë e Kombëtares gjatë muajve të fundit dhe dështimin në Ligën e Kombeve. “Kemi bërë paraqitje të mira, por edhe negative siç ndodhi në Ligën e Kombeve, megjithatë duhet të shohim përpara, për të bërë mirë në këtë edicion që po starton”, vijoi Memushaj. Më pas ai komentoi kundërshtarët në grup, sidomos dy rivalët e radhës, Turqinë dhe Andorrën. “Andorrën e njoh shumë pak, kurse Turqinë e njohim të gjithë dhe e dimë që ka shumë cilësi. Calhanoglu është një emër që të gjithë e dinë se çfarë cilësish ka, por ne do të luajmë për fitore”, theksoi më tej Memushaj. Nuk mungoi as komenti i tij për kthimin në Kombëtare pas një mungese të gjatë afro njëvjeçare të sulmuesit Armando Sadiku. Më vjen mirë që është rikthyer, pasi ka kaluar një dëmtim shumë të rëndë, të cilin e kam përjetuar edhe vetë. Armandon e kam shok dhe e njoh mirë, por edhe Balaj kur ka qenë në fushë, ka bërë më të mirën, ndaj nuk përbën problem se kush e nis nga fillimi”, shtoi më pas vlonjati i përfaqësueses tonë. Natyrisht, të gjithë shpresojnë të arrijnë maksimumin në dy ndeshjet e radhës dhe maksimumi nënkupton 6 pikë, por më së pari kuqezinjtë duhet të kalojnë Turqinë, e cila është një kundërshtar shumë i fortë dhe i vështirë.

Ndërkohë, Memushaj pranoi se skuadra mund të luajë e tërhequr, si një mënyrë për të mos rrezikuar, por tha se i di skemat që përshtat trajneri dhe se ai e ka bërë dhe më parë fazën mbrojtëse. “Unë kam luajtur edhe më herët i tërhequr dhe nuk besoj se do të jetë problem. Pavarësisht se zakonisht e nis më i avancuar, jam lojtari që vjen gjithmonë në ndihmë të mbrojtjes kur topin e ka kundërshtari”, deklaroi më tej Memushaj. Kuptohet, ndeshja me Turqinë është shumë domethënëse për vazhdimësinë. Sidomos rezultati i saj. Nëse Shqipëria e nis me fitore kjo do të ishte shumë domethënëse për vazhdimësinë e grupit në këto eliminatore, në të kundërt vihet në pozita të vështira trajneri Panuçi dhe vetë futbollistët. Për Memushajn skuadra më së pari duhet të mendojë vetëm për duelin e radhës, atë ndaj Turqisë, që ai e quan duel shumë të vështirë, pasi ata (turqit) kanë kualitete në gjirin e tyre sikurse është Calhanoglu e të tjerë. “Duhet të mendojmë fillimisht vetëm për Turqinë, që është një ndeshje shumë e vështirë, pastaj do të kemi dy ditë të mendojmë për Andorrën. I kemi mundur në miqësore, por këtu është ndryshe, ndaj duhet një impenjim edhe më i madh”, përfundoi mesfushori i Kombëtares, Ledian Memushaj. Ende nuk dihet skema taktike e Panuçit në lidhje me Kombëtaren për duelin ndaj Turqisë, por e sigurt është se Memushaj do ta ketë një vend në formacionin titullar, nisur nga forma e tij dhe nga eksperienca që mban mbi shpinë.

Adriatik BALLA

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 18/07/2019 - 07:23

Juventusi do të jetë një superskuadër gjatë edicionit të ri.

Postuar: 18/07/2019 - 07:21

Agim Canaj duket qartë se nuk do të jetë trajner i Vllaznisë për sezonin e ri.

Postuar: 18/07/2019 - 07:20

Partizani është eliminuar nga Liga e Kampioneve.

Postuar: 17/07/2019 - 23:12

Mbyllet shumë shpejt aventura e Partizanit në Champions League.
 

Postuar: 17/07/2019 - 17:42

Ish-futbollisti i Kombëtares, aktualisht drejtor sportiv tek Lacio, Igli Tare, vijon të tregojë m

Postuar: 17/07/2019 - 17:29

Te Arsenali ka pa plasur një tjetër problem pa filluar ende sezoni.

Postuar: 17/07/2019 - 17:23

Klubi i Vllaznisë ka zgjedhur trajnerin e ri në stol dhe ai është, Mirsad Jonuz.