Lajme të tjera
BREAKING NEWS

Paketa e Biznesit në mbështetje të çdo biznesi shqiptar

Paketa e Biznesit në mbështetje të çdo biznesi shqiptar
x

Sport

Merkato e zjarrtë në Superligë, Tirana largon 6 lojtarë, Skënderbeu gjen pasardhësin e Dajës

Merkato e zjarrtë në Superligë, Tirana largon 6 lojtarë,

Nuk kanë të ndalur lëvizjet në Superligën Shqiptare. Kjo merkato është padyshim më e zjarrta pasi ka lëvizje të shumta në ekipet kryesore. Partizani, Tirana dhe Kukësi po investojnë fuqishëm për të pasur një frymë të re në sezonin e ri. Përveç Partizanit që largoi disa lojtarë njëri pas tjetrit, duket se revolucioni ka filluar dhe te Tirana. Bëhet fjalë për 6 lojtarë të cilët janë lënë të lirë. Në listë janë kryesisht emra inaktivë. Për të filluar nga kapiteni Karabeci, e vazhduar me Hasanin, Bakajn, Dungën, Sidiben e Morinën. “KF Tirana falënderon lojtarët, për gjithë kontributin e dhënë përgjatë viteve të tyre me fanellën bardheblu. Të gjithë meritojnë një vend në histori për gjithçka kanë dhënë dhe sidomos për titullin e fituar pas 11 vitesh. KF Tirana i uron suksese në vazhdim”, njoftoi ekipi kryeqytetas. Ndërkohë nuk ka ende një vendim zyrtar për Ngo, i cili flitet se do të largohet, por te Tirana shpresojnë që do të ndryshojë mendje.

Merkato trajnerësh

Përveç lojtarëve, padyshim lëvizje të shumta ka pasur në pankina. Vllaznia, Kukësi apo Partizani kanë marrë teknik të rinj. Megjithatë dje lëvizje ka pasur dhe te Skënderbeu. Pas largimit të Dajës te Partizani, duket se skuadra korçare e ka gjetur zëvendësuesin. Pas shqyrtimit të disa kandidaturave, ku janë lakuar së fundmi emra si Bledi Shkëmbi, Mirel Josa, Bledar Devolli dhe Orges Shehi, presidenti i Skënderbeut ka vendosur që t’i besojë stolin teknikut elbasanas Julian Ahmataj, i cili më parë ka drejtuar Tiranën, Teutën, Luftëtarin, Kamzën, Besën dhe Burrelin.

Lëvizjet e tjera

Klubet turke vazhdojnë misionin e tyre të monitorimit të Kategorisë Superiore dhe kërkimit të lojtarëve me kosto të ulët. Menemenspor, klubi që ka bërë gati një listë të gjatë me futbollistë për të afruar në kategorinë e dytë turke, këtë radhë duket se ka gjetur një emër tjetër që mund t’i bëjë punë. Sipas mediave pranë klubit, Ardit Hoxhaj është basti i radhës, i cili pritet t’i bashkohet në ditët në vijim në Turqi. Sulmuesi, i cili në vitin e fundit ka luajtur edhe mbrojtës në radhët e Flamurtarit, është pa kontratë dhe me projektin e ri të Flamurtarit që vonon të vihet në lëvizje, ai po shqyrton oferta. Nga ana tjetër te Partizani priten blerje të forta pas zyrtarizimit të Dajës. Të kuqtë kanë kthyer sytë te ekipet afrikane. Lëvizjet nuk kanë munguar dhe te Vllaznia. Alen Sherri tashmë ka zgjedhur të luajë për Laçin e po ashtu edhe maqedonasi Efremov i ka dhënë lamtumirën Vllaznisë. Kjo do të thotë se do të tentohet gjetja e një portieri cilësor që në fakt nuk do të jetë e lehtë. Përforcime duhen edhe për repartet e tjera duke filluar nga mbrojtja, mesfusha dhe sulmi. Bisedimet kanë nisur dhe personat përgjegjës të merkatos po bëjnë edhe ofertat e duhura, megjithatë duket se nuk do të jetë e lehtë gjetja e lojtarëve cilësorë. Tregu kosovar po merr shumë futbollistë të kampionatit shqiptar dhe ky është një problem më vete. Nga ana tjetër, për momentin janë disa futbollistë shkodranë të cilët i kanë dhënë lamtumirën ekipeve të tyre dhe mund të jenë një alternativë për rikthimin në Shkodër, duke nisur nga Edon Hasani, Esin Hakaj, Arlind Kalaja apo ndonjë tjetër. Blerjet nuk kanë mugur dhe në Kategorinë e Parë. Dinamo ka zyrtarizuar marrvehsjen me lojatairn e Pogradecit, Artion Alillari. “Dinamo e presidentit Pontrelli bën një goditje të madhe në merkato! Sulmuesi pogradecar Artion Alillari, një prej golashënuesve të grupit B dhe i liqenorëve në sezonin e kaluar, sot është zyrtarisht i Dinamos. Lojtari është ndjekur që prej muajit Janar, duke qënë edhe një dëshirë e madhe e presidentit. Nëndetësja kështu largohet nga ankorimi dhe fillon të lundrojë për të arritur qëllimin e saj”, njoftoi klubi.