BREAKING NEWS

Regjistrohen 135 raste të reja me koronavirus në 24 orët e fundit në Shqipëri

Regjistrohen 135 raste të reja me koronavirus në 24 orët e fundit
x

Sport

Mesi heq “dorashkat”: Turp që Mane nuk ishte në treshen e parë për “Topin e Artë”

Mesi heq “dorashkat”: Turp që Mane nuk ishte në treshen e

Kur vlerësimet vijnë nga Lionel Mes, atëherë duhesh marrë seriozisht dhe Sadio Mane, sulmuesi afrikan i Liverpulit e ka këtë fat dhe mund të ndihet krenar. E shkruajnë mediat britanike, që Lionel Mesi ngre “në qiell” sulmuesin e Liverpulit, Sadio Mane, madje e quajti një turp faktin që futbollisti afrikan u rendit i i katërti për çmimin e Topit të Artë. Mesi e fitoi për herë të gjashtë në karrierën e tij në Paris të hënën, këtë trofe prestigjioz, duke mposhtur konkurrencën e Virgjil Van Dijk, shokut të skuadrës së Mane. Kristiano Ronaldo ishte i treti, ndërsa Muhamed Salah i pesti. “Ylli” i Barcelonës shpjegoi gjithashtu pse votoi për Mane për çmimin e FIFA-s “The Best”. “Është turp të shohësh Mane të përfundojë në vendin e katërt”, deklaroi Mesi për Canal +. -“Unë mendoj se ka pasur shumë lojtarë të shkëlqyeshëm këtë vit. Kjo ishte arsyeja pse ishte e vështirë të zgjidhje një lojtar të veçantë. Por unë zgjodha Sadio Mane (për çmimin The Best), sepse ai është një lojtar që më pëlqen. Mane zhvilloi një sezon të shkëlqyeshëm me ekipin e Liverpulit, prandaj e zgjodha. E përsëris, ka pasur shumë lojtarë të shkëlqyeshëm këtë vit, kështu që zgjedhja ishte e vështirë”, shtoi ai. Mane tregoi me performancën e fundit në fitoren 5-2 të Liverpulit ndaj Evertonit në derbin e Mersejside të mërkurën në mbrëmje se përse konsiderohet ndër më të mirët në qarkullim. Sulmuesi anësori ishte i vetmi pjesëtar i “tredhëmbëshit” të famshëm të Liverpulit në fushë dhe la shenjë duke shënuar një gol dhe asistuar në dy të tjerë, për Orixhin dhe Xherdan Shaqirin. Në fakt, duke parë ecurinë e skuadrës angleze, duhet pranuar se arritjet e Liverpulit gjatë 12 muajve të fundit kanë bërë që futbollistët e këtij klubi anglez të jenë në qendër të vëmendjes kur vjen fjala edhe te çmimet individuale që janë ndarë për lojtarët. Mesi është njëri ndër personat që i kanë vlerësuar lojtarët e Liverpuit, duke e veçuar Sadio Manen. Ndërkohë, vetë Mesi ka pranuar se nuk mund të luajë përgjithmonë, prandaj koha e “pensionit” po vjen edhe për të, megjithëse jo për së shpejti. Frika më e madhe e të gjithë atyre që lidhen me Barcelonën është dita kur Lionel Mesi vendos për t’i varur këpucët në gozhdë, por “superylli” argjentinas nuk e ka ndërmend të pensionohet në të ardhmen e afërt. Komentet e tij pasi e fitoi Topin e Artë për herë të gjashtë rekorde të hënën në Paris u ngrenë alarmin për tifozët e tij, pasi foli për moshën dhe sesi vitet po iknin. “E di se sa i vjetër jam. Po i shijoj këto momente shumë sepse e di se pensionimi po afrohet. Koha fluturon, por unë shpresoj, dashtë Zoti, të vazhdoj të luaj për shumë vjet të tjera. Tani jam 32 vjeç, 33 në fund të sezonit, por siç kam thënë, gjithçka varet në atë sesi ndihem fizikisht. Për momentin ndihem më mirë se kurrë më parë fizikisht dhe shpresoj se do të vazhdoj kështu për kohë të gjatë”, theksoi Mesi pas marrjes së “Topit të Artë” në mbrëmjen gala të organizuar në Paris, nga revista e njohur “France Football”, e cila ka ekskluzivitetin e dhënies së këtij çmimi për lojtarin më të mirë në botë.

Adriatik BALLA