BREAKING NEWS

KLSH zbarkon në institucionet e dy qyteteve të rëndësishme të vendit/ Kallëzohen 7 funksionarë publikë në Prokurori. Kush janë zyrtarët e lartë dhe akuzat që rëndojnë mbi to

KLSH zbarkon në institucionet e dy qyteteve të rëndësishme
x

Sport

Milani mund Xhenoan dhe forcon pozitat në top-4 të Serisë A, Juve humb e del nga gara për titull

Milani mund Xhenoan dhe forcon pozitat në top-4 të Serisë A, Juve

Serie A vijon të prodhojë emocione të forta, ku Interi mbetet padyshim favoriti kryesor dhe thuajse i vetëm për titull, ndërkohë që një fitore me vlerë mori dhe edhe Milani dhe Lacio. Disfatë për Juven dhe Romën që dalin jashtë objektivave. Në fakt, Milani vuan jo pak, por ia del të marrë një tjetër 3-pikësh me mjaft vlera në garën për një vend në zonën Champions, pasi mposhti Genoan me rezultatin 2-1 në “San Siro”. Pa Ibrahimoviç të pezulluar, pesha e sulmit ra mbi Leaon, por portugezi bëri shumë pak për të shqetësuar mbrojtjen e skuadrës ligure, ndërsa golin e avantazhit e gjeti kroati Ante Rebiç, me një gjuajtje mjaft të bukur nga distanca, në minutën e 13-të të sfidës. Gjithsesi pjesa e parë do të mbyllej në barazim, pasi pas ekzekutimit të një goditjeje nga këndi, Fikajo Tomori harroi Destron në zonë dhe sulmuesi italian gjuajti saktë me kokë e mposhti Donarumën. Pjesa e dytë u bë edhe më e komplikuar për kuqezinjtë, që po kërkonin me ngulm golin e avantazhit, por hasën në një rreshtim të ngjeshur mbrapa të ligurëve, që lanë shumë pak hapësira për të kërcënuar. Megjithatë goli i avantazhit erdhi në minutën e 68-të, kur pas një krosimi në zonë të Calhanoglu, ishte sulmuesi Gianluka Skamaça që devijoi topin në mënyrë të pafat me shpinë në rrjetën e portës së tij dhe theu për herë të dytë portierin Perin. Ky i fundit pak minuta më vonë bëri një grushtim mjaft të bukur pas gjuajtjes së Calhanoglu, ndërsa më pas ishin Kjaer e Tomori që u mohuan golin gjenovezëve, duke hequr topin mbi vijën fatale në dy gjuajtje radhazi. Me këtë fitore Milani ngjitet në kuotën e 66 pikëve në vendin e dytë, duke shkuar edhe më pranë sigurimit të një vendi në zonën Champions, që është edhe objektivi i mbetur i klubit këtë sezon. Ndërkohë, pas kësaj jave të Serisë A, Juventusi lan duart me titullin e 10-të kampion radhazi në Itali dhe tashmë rrezikon edhe zonën Champions. Bardhezinjtë u mposhtën minimalisht 1-0 nga Atalanta në “Bergamo” duke zbritur në vendin e 4-t dhe duke vendosur në rrezik edhe pjesëmarrjen në Champions League për sezonin e ardhshëm. Pa Kristiano Ronaldon i cili nuk ishte as në stol për shkak të një problemi fizik, Juventusi e kishte të vështirë të merrte maksimumin përballë Atalantës edhe pse mundësitë bardhezinjtë i patën me Moratën dhe Dibalan. Golin e fitores për skuadrën e Gasperinit e shënoi Malinovskit, 4 minuta para fundit të kohës së rregullt, me një goditje nga distanca i ndihmuar edhe nga devijimi i pafat i Aleks Sandros. Me këtë fitore Atalanta parakaloi pikërisht Juventusin në renditje duke u ngjitur në kuotën e 64 pikëve, 2 më pak se Milani i vendit të dytë. Në kuadër të xhiros së 31-të të kampionatit italian, surpriza e madhe dje ishte disfata ee  Rpmës në shtëpi, nga Torino, me shifrat 1-3. Në fakt, ishte një përmbysje e madhe e torinezëve, në pjesën e dytë, ndërkohë që në pjesën e parë fitoi Roma 1-0 me gol të shënuar nga Majoral që në minutën e 3-të. Në pjesën e dytë, Torino e rriti shumë lojën e saj,duke eklipsuar yjet e Romës dhe duke shënuar tre gola me anë të Sanabrias, zazës dhe Rinkon, e duke e fituar ndeshjen me përmbysje. Ndërkohë, Lacio fitoi me vështirësi 5-3, ku 3 gola i shënoi sulmuesi Çiro Imobile.