BREAKING NEWS

A u takua me Tom Doshin në Kryeministri? Flet Edi Rama

A u takua me Tom Doshin në Kryeministri? Flet Edi Rama
x
BREAKING NEWS

Çfarë ndodhi me Ervis Martinajn? Edi Rama reagon sërish

Çfarë ndodhi me Ervis Martinajn? Edi Rama reagon sërish
x
BREAKING NEWS

Qeveria merr vendimin, rritje page nga muaji i ardhshëm për këto kategori! Kryeministri Edi Rama tregon kush përfiton

Qeveria merr vendimin, rritje page nga muaji i ardhshëm për këto
x
BREAKING NEWS

Gazeta “SOT” zbardh të plotë vendimin e Genc Rulit për t’i dhuruar ish-kompleksin “Partizani” dhëndrit të Sali Berishës

Gazeta “SOT” zbardh të plotë vendimin e Genc Rulit
x
BREAKING NEWS

Mediat serbe akuza Vuçiçit se vëllazëria me Ramën lidhet nga aferat dhe Soros, Perëndimi do ketë paketë surprizë

Mediat serbe akuza Vuçiçit se vëllazëria me Ramën
x
BREAKING NEWS

Yuri Kim nuk ndalet, zbarkon në kryesinë e Kuvendit, ja kush janë dy emrat e njohur të politikës që do takojë

Yuri Kim nuk ndalet, zbarkon në kryesinë e Kuvendit, ja kush janë
x
BREAKING NEWS

Skenarë tmerri për Vladimir Putinin, paralajmërimi i gjeneralit amerikan: Rusia do të humbasë Donbasin dhe Krimenë, ja çfarë e pret “Carin” deri në vitin 2023

Skenarë tmerri për Vladimir Putinin, paralajmërimi i gjeneralit
x
BREAKING NEWS

Skemë mashtrimi me TVSH, arrestohen 13 persona/ Prokuroria del me njoftim: Të përfshirë dhe zyrtarë!

Skemë mashtrimi me TVSH, arrestohen 13 persona/ Prokuroria del me njoftim:
x

Sport

Mjeshtri i madh Mehdin Zhega, teknika dhe interpretimi

 Mjeshtri i madh Mehdin Zhega, teknika dhe interpretimi

-Nga rrugicat e vogla të Shkodrës, tek arti i futbollit-              

Portret/ In memorium, me rastin e dhjetë vjetorit të ndarjes nga jeta

Mjeshtri i madh Mehdin Zhega, teknika dhe interpretimi

Në stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa” të kryeqytetit, përfaqësuesja jonë e futbollit, ndeshej me përfaqësuesen e Irlandës së Veriut. Ishte data 24 Nëntor 1965. Skuadra kundërshtare kishte kaluar në avantazh të një goli. Mijëra sportdashës në shkallët e stadiumit, apo nëpërmjet radios, ndiqnin lojën e ekipit tonë dhe prisnin me ankth të dilte në dritë goli i shumëdëshiruar, i cili e çonte kundërshtarin në skualifikim. Pra, për ekipin tonë, ndeshja kishte vlerë prestigji. . . Dhe ja, pas një vërshimi nga e majta e sulmit tonë, një krosim para portës kundërshtare. Midis radhëve të ngjeshura të mbrojtjes, depërton njëri nga lojtarët tanë dhe jep një goditje me kokë. Ishte një gjuajtje prej snajperi, e cila e dërgon topin në rrjetë, duke ngritur peshë entuziazmin e spektatorëve.

Me atë goditje të paharruar, hyri në kujtesën dhe admirimin e spektatorëve, futbollisti i ri, që sapo kishte mbushur të 19-tat, Mehdin Zhega. Ai gol ishte preludi që lajmëronte nisjen e rrugës së një mjeshtri të vërtetë, të mbushur me spektakle të bukura, të cilat do ta shoqëronin për dekada me radhë në stadiumet tonë dhe të Evropës.

Futbolli shkodran, ndër vite ka nxjerrë lojtarë të mëdhenj, të cilët kanë lënë gjurmë në historinë e futbollit shqiptar. Ndër më të spikaturit ishte edhe sulmuesi i mirënjohur, Mehdin Zhega, i cili, përveçse futbollist i madh, u shfaq edhe si trajner, e më pas edhe si drejtues.

Si për çdo profesion, edhe për futbollistin, rruga e ka një fillim. Për Zhegën, zanafilla nis nga rrugicat e ngushta të qytetit futbolldashës, ku ai me shokët e fëmijërisë, luante me topa prej lecke. Midis moshatarëve, Zhega shquhej për mprehtësi në lojë e përdorim të mirë të topit; për nuhatje të momenteve të shënimit, e në veçanti për goditjet me kokë. Mbi të gjitha, shquhet për zemërgjerësi me shokët, qofshin këta dhe kundërshtarë. Ishin këto veti të larta, të ravijëzuara  në rini, të cilat do të përbënin në të ardhmen tiparet më të mira të sportistit me cilësi të larta.

Mehdin Zhega lindi në Shkodër, më 13 janar 1946. Shkollën fillore, 7 vjeçare dhe të mesme i kreu në qytetin ku lindi futbolli shqiptar. Pas mbarimit të maturës, shkon në Tiranë, ku studion në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, dega kimi-merceologji, dhe më pas në Institutin e Kulturës Fizike dhe Sporteve “Vojo Kushi”(sot Akademia e Sporteve).

Në vitin 1959, kur Dini 13 vjeçar, tre vite më i vogël se shokët, konkurroi me sukses në Spartakiadën e Pionierëve. Këtu u cilësua si futbollisti më i mirë i aktivitetit dhe gazeta “Sporti Popullor” i kushtoi fjalët e para inkurajuese këtij futbollisti të talentuar, për të cilin sa e sa herë do të shkruante në vitet e mëvonshme.

Në moshën 16 vjeçare, Mehdin Zhega nisi zyrtarisht rrugën e tij sportive midis sportistëve më të njohur të vendit. Mbrojtjet e skuadrave kundërshtare shikonin tek ai lojtarin e rrezikshëm, që dinte të “nuhaste” golin dhe të shënonte. Veçanërisht ata i ruheshin kokës së tij preçise me goditjet e pagabueshme, që i befasonin portierët me tundjen e rrjetës. Dini, që në nisje të rrugës së tij sportive, nisi të bëjë për vete mijëra sportdashës, që shikonin tek ai elegancën, temperamentin dinamik, përdorimin e bukur të topit, dhe veçanërisht gjuajtjet me kokë. Krosimet me Iliaz Çeçon tek Dinamo dhe Halil Pukën tek Vllaznia, ishin spektakle të rralla. Çdo krosim drejt kokës së Dinit, tifozët e quanin gjysëm goli. Në çdo ndeshje, sportdashësit e kërkonin me sy në formacionin e skuadrës së tyre, dhe e ndiqnin me shpresë e besim nga ndeshja në ndeshje, sepse ai të dhuronte gjëra aq të bukura në lojën me kokën e tij.

Për 17 vjet me radhë, ndeshje pas ndeshje, ai nxirrte diçka nga arsenali i tij i larmishëm dhe ua dhuronte sportdashësve, duke merituar duartrokitjet e tyre të zjarrta, e ngritur peshë entuziazmin në shkallët e stadiumeve.

 Secili prej afro 300 golave të shënuar në kupa e kampionate, ka diçka të veçantë. Për vite me radhë ai mbajti “timonin” e drejtimit të skuadrës së “Vllaznisë”. Kombinimet me  Bizin, janë ndër realizimet më të bukura të futbollit shkodran dhe së bashku me kombinimet Çeço e Zhega, futen ndër thesaret e vyera të futbollit shqiptar. Në një nga këto kombinime, doli në dritë edhe goli i bukur me “Ajax”-in, në vitin 1970 në Tiranë; apo loja me “Austrinë e Vjenës, kur mjeshtri 33 vjeçar, Din Zhega, demonstroi një nga ndeshjet më të bukura të djalërisë së tij .

Sportdashësit e kujtojnë Mehdin Zhegën, jo vetëm për lojën e bukur, por edhe për gjestet e bukura sportive. Shpesh herë, i ndodhur përballë portierit kundërshtar, nuk gjuante vetë, por e pasonte tek shokët e rinj, për t’i inkurajuar që edhe ata të shënonin. Ai qëndronte larg egoizmit, duke mos kërkuar lavdi personale. Kur u ndodh një herë përballë portierit korçar, Jani Kaçi, dhe ky i fundit iu hodh me guxim tek këmbët për t’i rrëmbyer topin, Dini e la topin për të mos e dëmtuar portierin. Madje e përgëzoi atë për ndërhyrjen e guximshme. Të tilla veprime të bukura, e pasuronin më tepër figurën e tij si sportist shembullor, e mbi të gjitha si njeri me cilësi të larta.

Mjeshtri i madh Mehdin Zhega, teknika dhe interpretimi

Mjeshtërinë e lartë në lojë, “Mjeshtri i Merituar i Sportit”, Mehdin Zhega, ia dedikonte stërvitjes intensive. Fakti që ishte një nga lojtarët më të mirë të vendit, nuk ia rriti për asnjë çast mendjen atij, për ulur dëshirën për stërvitje. Ai e dinte se nuk mund të mbetej sportist i klasit të parë, nëse nuk do t’i nënshtrohej me vullnet, pasion e vendosmëri stërvitjes.

Figura e tij si sportist, nuk u nda asnjëherë nga figura e tij si njeri. Kurdoherë shembullorë, si në shkollë, dhe në punë; i shquar si aktivist dhe kontribuues. Njeri me horizont të gjerë, ai luftonte vazhdimisht për ngritjen e tij profesionale e kulturore. Në ndeshjen me “Austrinë” e Vjenës, ai ishte  kapiten i skuadrës, njëherësh edhe përkthyes i ekipit. Ishte i vetmi nga brezi i tij në Shkodër që zotëronte gjuhën gjermane.

Pas ndeshjes për Kupën e Kampioneve: Vllazni -Austri (2 : 0), mjeshtri Zhega merr një letër të veçantë urimi nga Doktor Giovanni Armillota, personalitet botëror i sportit; botues në revistat prestigjioze të Universitetit të Kolumbias në Neë Jork, të cilat studiojnë Gjeopolitikën dhe Marrëdhëniet ndërkombëtare; ish-sekretar i Presidencës së Komisionit të Çështjeve Kushtetuese italiane; President i Federatës së Gazetarëve sportivë të Evropës; botues i Almanakut Sportiv të Futbollit Shqiptar në vitet 1930 – 2009.  Në mes të tjerave, Doktor Giovanni Armillota shkruan:

“Urime mjeshtri Zhega, ju jeni përzgjedhur i 18-ti nga 36 futbollistët më të mirë të kontinentit në “Kupën e kampioneve”, prandaj pranoni urimet e mia të përzemërta, botuar në gazetën “Corriere Della Sera””!

Mjeshtri i madh Mehdin Zhega, teknika dhe interpretimi

Karriera sportive e Mehdin Zhegës:

- Nga viti 1962 - 1964, futbollist me ekipet e Vllaznisë. 1964 – 1970 kalon me ekipin e Dinamos. Në vitet 1970 – 1975 kalon me Vllazninë. 1975 – 1976 i bashkohet përsëri Dinamos. Ndërsa në vitet 1976 deri në vitin 1979 rikthehet përsëri tek ekipi që e rriti, “Vllaznia”.

-Shquhet si golashënues në ndeshjet kombëtare e ndërkombëtare, duke u cilësuar nga anketimet e publikut si një nga lojtarët më të mirë në Shqipëri.

-Në vitin 1984 – 1986 ka qenë në rolin e ndihmës trajnerit për ekipin kombëtar dhe atij Olimpik.

- Në vitin 1991 mbaron shkollën e trajnerëve në Austri, të cilën e pasuroj më vonë  edhe me kualifikime të tjera për këtë pozicion.

-Nga viti 1999 – 2001 drejton ekipin kombëtar. Më pas emërohet anëtar i Komitetit Ekzekutiv në Fedratën Shqiptare të Futbollit, pozicion që e mbajti gjer në vitin 2010.

-Në vitin 2009, në prag të 90 vjetorit të klubit shumësportesh “Vllaznia”, Zhega nderohet me titullin “Qytetar Nderi i Shkodrës”.

-Në vitin 1992 – 1996, Mehdin Zhega ishte deputet i Kuvendit të Shqipërisë.

-Në vitin 2010 nderohet me titullin e lartë “Mjeshtër i Merituar i Sportit”.

Në kampionatin kombëtar të vitit 1978 – 1979, në ndeshjen e fundit, ekipit të “Vllaznisë”, që luajti në Lushnje, iu dorëzua Kupa e Kampiones. Qindra sportdashës lushnjarë, pas ndeshjes, shkuan të urojnë Din Zhegën për lojën dhe fitoren e bukur. Ishte urimi i një populli sportdashës me ndjenja të holla njerëzore, i cili uronte sportistin shkodran si birin e vet, pavarësisht se ai i përkiste një ekipi të një qyteti tjetër. Momente të tilla e emociononin shumë mjeshtrin Zhega. Ato e shoqëruan gjer në ditën e fundit të karrierës së tij sportive. Ishte një ditë e bukur shtatori. Shkallët e stadiumit “Vojo Kushi” (sot “Loro Boriçi”) të Shkodrës, ishin mbushur si rrallë herë.  Në një moment, loja e nisur u ndërpre për minuta të tëra. Futbollisti i mirënjohur Mehdin Zhega, vrapon përgjatë pistës së stadiumit, duke përshëndetur spektatorët, shoqëruar nga brohorimat e këtyre të fundit, që kurrë nuk ia kursyen duartrokitjet e brohoritjet futbollistit të tyre të zemrës.  Dhe në këtë ditë të veçantë, kur mjeshtri “shkruante” epilogun e paharruar të rrugës së tij futbollistike, publiku u tregua më i pakursyer se kurrë. Ishin çaste tepër emocionuese dhe drithëruese. Ai kalonte para tribunave e publiku i emocionuar e i ngritur në këmbë, përshëndeste me ovacione të zjarrta. Midis atyre thirrjeve entuziaste, si e dalë nga zemra e publikut, nga shkallët e stadiumit “zbret” një shportë e stërmadhe, mbushur me lule shumëngjyrëshe. Ishin një grup të rinjsh që befasuan me këtë dhuratë domethënëse. Këto lule, mjeshtri do t’i ndante me publikun e tij të dashur.

Ishin lulet e mirënjohjes për atë që Mehdin Zhega u kishte dhuruar  në ato qindra ndeshje  të bukura të zhvilluara në “Kupa” e “Kampionate kombëtare”!

Pas një jete aktive dhe të shumësuksesshme sportive nga më të spikaturat, ndodh ajo që nuk pritej, duke na lënduar të gjithëve. Në vitin 2011, Mehdi Zhega pëson një aksident të rëndë në Kanada. Mjekët bënë gjithçka që mund të bëhej për t’i shpëtuar jetën, por fatkeqësisht pas disa muajve, Zhega, me 12 Qershor 2012, largohet nga ne të gjithë, duke lënë pas kujtimet më të bukura të një sportisti shumë të spikatur.

Me anën e këtij shkrimi, duam t’i tregojmë brezit të ri se, Shkodra pati njëherë një mjeshtër të madh, i cili sot do të ishte në moshën e burrërisë 76 vjeçare.

Plot një dekadë, Mjeshtri Zhega, sa larg, po aq afër me kujtimet e pashlyera për të gjithë sportdashësit.

Mjeshtri i madh Mehdin Zhega, teknika dhe interpretimi