BREAKING NEWS

Rama flet për prestigjozen “Le Monde”: Shembja e Teatrit Kombëtar prodhoi një gënjeshtër të madhe

Rama flet për prestigjozen “Le Monde”: Shembja e Teatrit
x

Sport

Murinjo: Ndihem keq kur kujtoj sjelljen e rëndë me lojtarët e Interit, kur fituam tripletën

Murinjo: Ndihem keq kur kujtoj sjelljen e rëndë me lojtarët e

Interi i vitit 2010 ishte një skuadër me karakter të fortë dhe ia doli të fitojë tripletën atë edicion, duke thyer parashikimet. Në krye kishte një strateg të sprovuar si Hoze Murinjo, i cili pikërisht me zikaltrit regjistroi edhe suksesin e tij më të madh në krye të klubeve që ka drejtuar. Në fakt, Hoze Murinjo e ka pranuar se ai nuk ishte sjellë mirë me lojtarët e tij në Inter gjatë kohës sa kishte qenë me ekipin fitues të tripletës në sezonin 2009/10. Megjithatë, ai shtoi se në fund e kishte ndierë se klubi ishte pjesë e një familje të madhe. Strategu portugez, tani në krye të Totenhemit, i kishte drejtuar zikaltrit në sezonin e tyre më të suksesshëm në histori, kur i kishin fituar titujt e Serisë A, Kupës së Italisë dhe Ligës së Kampionëve. Përderisa Murinjo tani, në dhjetëvjetorin e tripletës, e kujton me dashuri atë kapitull të karrierës së tij, ai e pranon se në disa raste kishte qenë më i ashpër sesa që duhet me lojtarët e tij në “San Siro”. “Kështu e kanë marrëdhëniet e tilla – unë jam trajneri, ju luani. Dhembshuria varet nga gatishmëria për të më pranuar ashtu siç jam, sikur një mozaik”, deklaroi Murinjo për “Gazzetta dello Sport”. “Në Inter kishte njerëz që po prisnin për dikë si unë që ta kompletoja mozaikun. Unë nuk jam kurrë i rremë, jam origjinal. Unë jam vetja dhe kjo është e gjitha. Unë isha edhe i poshtër, por ky jam unë”, theksoi Murinjo. Kur u pyet ta sqarojë këtë deklaratë, portugezi e theksoi humbjen me rezultat 3:2 kundër Bergamos në janar të vitit 2009, pas së cilit thotë se e kishte humbur durimin, por më vonë ishte detyruar t’u kërkojë falje lojtarëve. “Veçanërisht pas disfatës kundër Bergamos, isha shumë i dhunshëm me lojtarët e mi. U thashë se e kishin fituar kampionatit e m*tit. Por, pastaj e kuptova se i kisha lënduar ata dhe u kërkova falje”, nënvizoi më tej tekniku portugez. Ndërkohë, duhet thënë, po ashtu, që viti 2010 është i veçantë për historinë e Interit duke qenë se zikaltrit ia dolën të fitonin tripletën e titujve, ku qershia mbi tortë ishte Liga e Kampionëve. Gjatë rrugëtimit, Interi eliminoi në gjysmëfinale Barcelonën. Një mision i vështirë por që italianët ia dolën edhe pse në Camp Nou mbeten me 10 vetë në fushë pas daljes me karton të kuq të Tiago Motës. Këtij episodi i është kthyer edhe trajneri i zikaltërve në atë kohë, Hoze Murinjo. Luzitani zbulon se pas kartonit të kuq të Motës, i është afruar teknikut të blaugranave, Guardiola duke i thënë të mos festonte para kohe. “Kur Buskets ra në tokë si i vdekur, unë isha në diagonal me pankinën tonë dhe të tyren si dhe pikën ku Tiago Mota mori të kuqin. Me bisht të syrit shikoj që në pankinën e tyre po bëhej festë sikur kishin fituar. Ndërkohë, Guardiola thërret Ibrën për t’i folur mbi taktikën. Taktikë 11 kundër 10. I thashë vetëm “Mos bëj festë, kjo ndeshje nuk ka përfunduar”, tregon Murinjo. Në fund, fjalët e portugezit rezultuan të sakta pasi Barcelona fitoi 1-0, por u eliminua pasi ishte mposhtur me rezultatin 3-1 në ndeshjen e parë.