BREAKING NEWS

Italia vazhdon të thyejë koronavirusin ,1109 të shëruar dhe 2107 të infektuar

Italia vazhdon të thyejë koronavirusin ,1109 të shëruar dhe
x

Sport

Myrto Uzuni “mbret” në Zagreb, “lojtari i javës” në Kroaci, sinjal për Rejën në Kombëtare

Myrto Uzuni “mbret” në Zagreb, “lojtari i

Një nga futbollistët e dalë nga kampionati shqiptar dhe që po njeh sukses në Kroaci është padyshim Myrto Uzuni. Ai luan me Lokomotivën e Zagrebit dhe është pjesë e suksesshme e kësaj skuadre, duke luajtur me dinjitet, titullar dhe me gola. Dhe së fundmi ai ka qenë protagonist sërish, duke shënuar jo një por dy gola, duke mbajtur peshën kryesore të skuadrës në fushë dhe duke ia dalë t’i japë asaj tri pikë të çmuara, për të merituar një vend në formacionin ideal të kampionatit kroat, e madje dhe certifikatën e më të mirit për këtë javë në futbollin kroat. Këto janë dëshmi të rritjes së tij, por njëherësh edhe sinjal i fortë për trajnerin edi Reja që t’i bëjë vend shpejt në formacionin titullar në Kombëtare. Nëse e ruan këtë ritëm dhe vijon me këto paraqitje mbresëlënëse, atëherë Uzuni nuk mund të anashkalohet as në përfaqësuese. Për t’u kthyer tek paraqitja e tij, mediat sportive kroate shkruajnë se Myrto Uzuni është lojtari i momentit te ekipi i Lokomotivës së Zagrebit. Fieraku ishte vendimtar me dy golat e tij kundër Istras, duke shënuar dy herë dhe vulosur fitoren e ekipit të tij. Pas sfidës ai u shpall lojtari i ndeshjes, por nuk u mjaftua me kaq sepse mediet kroate e cilësojnë si lojtarin më të mirë të javës në Kroaci. “Instatsport” i akordoi për herë të dytë këtë çmim 24-vjeçarit, duke qenë një nga të paktët lojtarë, që e përsërisin këtë sukses. Gjithashtu, automatikisht Uzuni është edhe në formacionin e javës, që i vë kurorën një jave perfekte të yllit të kombëtares sonë. Ky sezon është shumë i mirë për sulmuesin, i cili ka arritur të bindë trajnerin ta aktivizojë rregullisht, duke nisur 17 ndeshje nga minuta e parë dhe shënuar pesë gola, dy më pak se gjithë sezoni i kaluar. Ditën e djeshme Lirim Kastrati firmosi me Dinamo Zagreb dhe në javët e ardhshme nuk është çudi të shohim edhe Uzunin të bashkohet me të, duke parë se Lokomotiva është një klub “satelit” i Dinamos.

Rivaliteti me Manajn

Sulmuesi Myrto Uzuni ka një rivalitet jo të drejtpërdrejtë në Kombëtare me Rei Manajn. Lushnjari luan qendërsulmues dhe në këtë pikë ka rivalitet me Bekim Balajn, por duke pasur parasysh moshën e të dy futbollistëve, trajneri Edi Reja është përkujdesur gjatë ndeshjeve të eliminatoreve që lamë pas që t’i aktivizojë të dy, por fokusi kryesor ka qenë tek Manaj. Megjithatë, Uzuni shpreson të marrë rol titullar në eliminatoret e ardhshme, pavarësisht se Manaj është bërë së fundmi pjesë e Barcelonës. Sidoqoftë, lushnjari nuk ka shumë shanse të luajë në ekipin e parë, për më tepër që Barcelona po bën lëvizjen e fundit, duke tentuar të afrojë një sulmues danez që luan në La Liga spanjolle. Kështu, pranohet gjerësisht në mediat sportive spanjolle se e vetmja mundësi e Barçës është sulmuesi i Leganesh, Martin Brejthuejt. Danezi ka zhvilluar një kampionat në nivele mesatare, duke shënuar 6 gola dhe asistuar 5 herë me ekipin e tij, që ndodhet në vendin e parafundit në La Liga, pozicion që nuk pritet të ndryshojë, duke parë nivelin e kësaj skuadre. Brejthuejt ka një klauzolë prej 18 milionë eurosh për prishje të njëanshme të kontratës, shumë që Barça nuk do e ketë të vështirë ta paguajë. Drejtuesit katalanas po lëvizin me shpejtësi për të mbyllur çdo detaj, me qëllimin që lojtari të jetë i gatshëm për trajnerin Kike Setien për ndeshjen e fundjavës kundër baskëve të Eibar. Ardhja e 28-vjeçarit do të shuante shpresat e Rei Manajt për një debutim të mundshëm me yjet e ekipit të parë. E vetmja mundësi për sulmuesin e kombëtares sonë është grumbullimi në Champions, por zbritja në fushë duket shumë e vështirë sepse në atë kompeticion, Barcelona hedh më të mirët në fushë. Pra për Manajn nuk ka shumë hapëisrë tek Barcelona dhe nëse do të vijojë të qëndrojë në stol, rivalët në Kombëtare mund t’ia marrin vendin.