BREAKING NEWS

‘Krerët e korruptuar të politikës së lartë shqiptare po kërcënohen rrezikshëm’, Spartak Ngjela paralajmëron zhvillime të bujshme në vend

‘Krerët e korruptuar të politikës së lartë
x

Sport

Napoli bën goditjen më të shtrenjtë të sezonit, merr për 50 mln euro Osimhen të Lilës

Napoli bën goditjen më të shtrenjtë të sezonit, merr

Kampionati italian po luan javët e fundit të tij, ku Juventusi mban me meritë kryesimin, ndjekur nga Lacio, Inter dhe Atalanta, ndërkohë që Napoli, Roma e Milan do të rivalizojnë për dy vende në Ligën e Europës. Në kushtet kur ende po vijon gara, disa prej klubeve kryesore i kanë nisur lëvizjet e tyre në treg, me ambicien për të marrë elementët e dëshiruar. Juventusi është skuadra më e preferuar nga lojtarët cilësorë, por nuk qëndrojnë prapa klubet si Interi, Milan, Lacio dhe Roma, që kanë një staturë të fortë dhe ekipe që rivalizojnë gjithmonë për trofe dhe luajnë rregullisht në Europë. Por në këtë listë të gjatë pretendentësh, në Itali nuk duhet anashkaluar Napoli, i cili vazhdimisht po rrit pretendimet e tij dhe ka mundur të rivalizojë gjatë viteve të fundit me Juventusin për titull. Por ky rivalitet kërkon medoemos të bëhen goditje në treg, duke afruar lojtarë të rinj që kanë cilësi të larta dhe potencial që nxit reagime për më shumë sukses në garën e vështirë të Serisë A, apo në Champions League. Dhe dje Napoli bëri një goditje që në mediat sportive italiane dhe më gjerë u konsiderua si goditja e sezonit, më e shtrenjta për këtë vit dhe pritet me interes ardhja dhe zyrtarizimi i lojtarit që shkëlqeu tek Lila franceze. Kështu, sulmuesi nigerian Viktor Osimhen është blerja e parë e verës për skuadrën e Napolit dhe njëkohësisht më e shtrenjta në histori, pasi për kartonin e tij Aurelio De Laurentis ka shpenzuar plot 50 milionë euro. Osimhen ka mbërritur sot në Napoli, ku është pritur nga vetë Xhenaro Gatuzo, pasi ishte pikërisht tekniku kalabrez që e telefonoi personalisht për ta bindur të pranojë transferimin, gjatë kohës së ndërprerjes së futbollit për shkak të pandemisë. Aktualisht sulmuesi 22-vjeçar është duke kryer vizitat mjekësore dhe më pas do të hedhë firmën mbi një kontratë 5-vjeçare, ku do të përfitojë 2.5 milionë euro në sezon, shifër kjo ndjeshëm më e lartë sesa fitonte te Lilë. Viktor Osimhen spikati këtë sezon me fanellën e francezëve të Lilës, ku në 27 ndeshje arriti të shënojë 13 gola, duke tërhequr vëmendjen e shumë klubeve europiane, por ka qenë pikërisht ndërhyrja personale e Gatuzos, që e ka bindur të transferohet në Napoli. Sulmuesi 22-vjeçar shquhet për cilësitë teknike dhe forcën e madhe fizike, ndërsa trajneri i Nigerisë Gernot Rohr e ka krahasuar me Didier Drogba për nga aftësitë që disponon dhe mënyra e lojës. Kujtojmë që deri tani blerja më e shtrenjtë e Napolit, ka qenë meksikani Hirving Lozano, për të cilin u paguan 42 milionë euro një vit më parë për ta marrë nga PSV Eindhoven, ndërsa tani në krye të listës kalon nigeriani Osimhen. Napoli ka një traditë të mirë blerjesh në radhët e klubeve franceze, prandaj dhe ardhja e talentit të Lilës është një moment përgjegjësie i klubit dhe presidenti De Laurentis ia plotësoi dëshirën Gatuzos me këtë blerje, mbi të gjitha duke dhënë shenja për një Napoli tejet agresiv në merkato dhe me ambicie të mëdha në sezonin e ardhshëm.