BREAKING NEWS

Kishte humbur shikimin nga tërmeti, koronavirusi i merr jetën pedagogut të njohur

Kishte humbur shikimin nga tërmeti, koronavirusi i merr jetën
x

Sport

Ndëshkim ekzemplar, WADA përjashton Rusinë nga çdo aktivitet sportiv deri më 2022

Ndëshkim ekzemplar, WADA përjashton Rusinë nga çdo

Një ngjarje e paprecedentë ishte ajo që ka bërë Rusia për vite me radhë, duke falsifikuar kartelën e sportistëve të saj dhe duke i nxjerrë të pastër në veprimtaritë e ndryshme sportive, por gjithmonë ka një fund dhe “maskën” sportit rus ia çorri agjencia ndërkombëtare antidoping (WADA), e cila, pasi ka analizuar situatën për muaj me radhë ka ardhur në konkluzionin se Rusia është fajtore për gjendjen e rënduar të dopingut në sportin e këtij vendi e për pasojë ka marrë masën ndëshkimore drastike, duke e përjashtuar Rusinë nga çdo veprimtari sportive madhore ndërkombëtare për tre vitet e ardhshme, përfshi këto dhe Lojërat Olimpike Verore të Tokios më 2020. Kështu, pikërisht nga dita e djeshme, njoftohet nga të gjitha mediat e mëdha sportive në botë, se Agjencia Botërore e Kontrollit Antodoping (WADA) ka marrë vendimin më të ashpër në historinë e saj, duke përjashtuar Rusinë nga pjesëmarrja në Lojërat Olimpike Verore në Tokio më 2020-ën dhe Lojërave Olimpike Dimërore, në Pekin më 2022-shin, Kampionatin Botëror të Futbollit më 2022-shin dhe çdo aktivitet sportiv ndërkombëtar. Vendimi ka ardhur pasi Komiteti Olimpik Rus ka falsifikuar në mënyrë të përsëritur rezultatet e testeve antidoping të atletëve të saj, ndërsa për sportistët rusë që nuk kanë pasur probleme me doipingun, mund të hapet një dritare konkurrimi si atletë asnjanës. Ky vendim është më i ashpri i dhënë në historinë e olimpizmit në botë dhe vetë WADA u detyrua të ndërhyjë me dorë të fortë, pasi veprimi i Rusisë për falsifikimin e analizave, ishte i përsëritur. Vlen të theksohet se përjashtimi i Rusisë nuk do të vlejë për Kampionatin Europian 2020, që starton verën e ardhshme, pasi ka siguruar me meritë kualifikimin dhe një nga stadiumet pritëse të eventit është ai i Shën Petersburgut. Tani Rusia ka 21 ditë afat për t’u njohur me vendimin e detajuar dhe për ta apeluar atë në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv të Lozanës, që do të thotë edhe fjalën e fundit për çështjen. Duke iu kthyer dopingu dhe imazhit të keq të krijuar, duhet thënë se Rusia kishte dy vite që përpiqej të justifikonte veten, por e pati të pamundur. Ka qenë laboratori i mjekësisë sportive i përfshirë në këtë manipulim, teksa dyshohet se mjekë të caktuar kanë dhënë receta për përdorim medikamentesh që stimulonin forcën dhe rrisnin performancën e sportistëve rusë në garat ndërkombëtare dhe kjo gjë eci deri sa WADA bëri kontrolle të befasishme dhe më në fund kapi “mat” gjithë sistemin rus të dopingut, një sistem ku edhe antidpingu rus kishte dështuar dhe ishte përfshirë në këtë histori të turpshme. E thënë ndryshe, tani e tutje sporti rus do të vuajë, pasi Rusia përjashtohet nga të gjitha aktivitetet. Mbetet apelimi, ku shpresat do të jenë tek Gjykata Sportive e Lozanës e në fund tek gjykata supreme e Zvicrës. Për momentin sportistët rusë mund të mendojnë garimin e tyre ndërkombëtar vetëm si sportistë asnjanës, nën flamurin e federatave ndërkombëtare të sporteve të ndryshëm.

Adriatik BALLA