BREAKING NEWS

"Jap dorëheqjen nëse merr 71 mandate”/ Rama komenton deklaratën e bujshme të Ilir Metës, zbërthen skenarin e presidentit me Sali Berishën: O pushtetin o kokën e Lulit!

"Jap dorëheqjen nëse merr 71 mandate”/ Rama komenton
x

Sport

Nga Çinari tek Daja, 5 gjërat që rikthyen Partizanin në luftën për titull

Nga Çinari tek Daja, 5 gjërat që rikthyen Partizanin në

Partizani ka pasur një ecuri të shkëlqyer gjatë javëve të fundit, duke dëshmuar jo vetëm progres në lojë dhe rezultate, por ajo që është më e rëndësishmja Partizani tregon qëndrueshmëri. Fillimi i sezonit ishte mjaft i vështirë, për një sërë arsyesh, që lidhen jo vetëm me pandeminë, bojkotin e Ligës Profesioniste, apo dhe disa çështje të tjera, por me maturi, durim dhe natyrisht me vizion, klubi i kuq ia doli mbanë të kthejë skuadrën në rrugën e duhur të progresit dhe pas dy fazave të para të garës, “demat” jo vetëm që janë rikthyer në garën për titull, por shihen tashmë si favoritë, sepse kanë më shumë cilësi se Vllaznia në përbërjen e tyre dhe një qëndrueshmëri më të mirë dhe progres që matet nga statistikat e deritanishme. E thënë ndryshe, Partizani është pretendent për titull dhe të kuqtë e dinë mirë se këtë sezon kanë shanse të fitojnë trofeun. Por si ia doli Partizani të vijë deri këtu, edhe pse e nisi mjaft keq sezonin dhe madje nuk llogaritej aspak pretendent? Janë 5 faktorë që kanë ndikuar në këtë progres të skuadrës, që nis me afrimin e një trajneri strateg në Superiore si Ilir Daja, mbështetjen e pakufishme për grupin dhe stafin nga presidenti i skuadrës Gazment Demi, lëvizjet pa zhurmë por domethënëse në treg të Olsi Ramës, ruajtja e grupit me elementë cilësorë dhe natyrisht fitorja morale (dhe jo vetëm) e çështjes “Çinari”.

“Çinari”, një çështje që i dha Partizanit moralin e duhur të suksesit

Pakkush mendonte se Partizani do ta fitojë çështjen e lojtarit të tij në Këshillin e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë, pas vendimit penalizues të UEFA-s me bllokim të merkatos si pasojë e thyerjes së rregullave të transferimit. Por klubi i kuq këmbënguli deri në fund në pafajësinë e tij dhe në zbatimin korrekt të rregullave të tregut. Gjykata Sportive e Lozanës (KAS) i dha të drejtë dhe Partizani mori masa me shpejtësi që të ndërhynte në treg, duke afruar lojtarë cilësorë ku spikat edhe blerja mjaft e goditur me një emër jo të vogël sikurse është ajo e Ferhan Hasanit, alias “Buba”, i cili ka potencial të madh ofensiv dhe mund të rezultojë vendimtar për të kuqtë këtë edicion falë eksperiencës së tij.

Ruajtja e grupit dhe efekti menaxherial

Edhe pse në vështirësi, Partizani ia doli të ruajë grupin kryesor të lojtarëve nga sezoni i shkuar, disa elementë që i qëndruan besnik klubit në ditë të vështira dhe prej tyre po korret rendiment. Nuk është vetëm portieri Hoxha, që është shtyllë e fortë e skuadrës, por edhe lojtarë të tjerë. Duke ruajtur grupin, si dhe duke bërë blerje cilësore, partizani ia doli të jetë efikas në treg dhe në menaxhimin e skuadrës dhe për këtë ka merita drejtpërdrejt drejtori i përgjithshëm i klubit, Olsi Rama, i cili tani është maturuar dhe ka merita që mbajti të paprekur objektivin e skuadrës në kohë të vështirë, diçka që në fillim të sezonit as nuk mendohej. Pra Rama dhe i gjithë Partizani e fituan këtë bast. Në këtë bast të fituar, padyshim që një rol të veçantë ka presidenti Demi, i cili nuk u dekurajua, përkundrazi, i dha mbështetje skuadrës dhe drejtorit, u qëndroi pranë lojtarëve dhe stafit, duke ua bërë më të lehtë realizimin e objektivit. Edhe pse ndodhet 6 pikë prapa Vllaznisë, Partizani mund të llogaritet pretendent kryesor për shkak të qëndrueshmërisë dhe cilësisë së grupit që disponon.

Daja, strateg i të kuqve në Superiore

Që në krye të herës kur u prezantua tek Partizani, trajneri Ilir Daja deklaroi se skuadra e kuqe ka një emër të madh dhe pritshmëritë prej saj janë trofetë. Ai ishte i vetëdijshëm që në një klub të tillë me shumë histori, tek Partizani kërkohet maksimumi. Bllokimi i merkatos verore i trishtoi jo pak anëtarët e klubit, por Daja ia doli të përballojë ngjeshjen e kalendarit në garë dhe vetë garën me racionalitet, duke u dhënë mundësinë të gjithëve dhe duke krijuar një frymë pozitive. Starti ishte i vështirë, por Partizani ia doli hap pas hapi të konkurrojë dhe tani të sfidojë e pse jo të lakmojë titullin. Strategjia e Dajës për të menaxhuar si duhet grupin, ka qenë efikase në maksimum dhe koha i ka dhënë të drejtë Gaz Demit dhe Olsi Ramës për afrimin e Ilir Dajës në krye të ekipit.