BREAKING NEWS

Vjen lëvizja që nuk pritej/ Basha bën ndryshimin në minutat e fundit, kush është ish-deputeti dhe emri i njohur demokrat që u riktheu pasi mbrëmë u la jashtë listave

Vjen lëvizja që nuk pritej/ Basha bën ndryshimin në minutat
x

Ekonomia

Nga monopoli i kinezëve hapet porta ajrore për shqiptarët, ulen tarifat e fluturimeve pas blerjes së aeroportit nga “Kastrati Group”

Nga monopoli i kinezëve hapet porta ajrore për shqiptarët, ulen

Blerja e koncesionit të aeroporti të Rinasit nga kompania “Kastrati Group” duket se do të jetë një ogur i mirë për shqiptarët. Për vite të tëra ishin kinezët ata që e menaxhonin aeroportin dhe Shqipëria ishte vendi me tarifat më të larta në rajon të fluturimeve. Një shqiptar duhej të paguante dyfishin e çmimeve krahasuar me shtetet e rajonit, por duket se nuk do të jetë më kështu. Në njoftimin e parë zyrtar për këtë vit të ri, Tirana International Airport (TIA) bën me dije lajmin e mirë të uljes së tarifës së pasagjerit dhe shpalos një plan ambicioz investimesh në strukturën e aeroportit, për të kontribuar në lehtësimin e çmimeve të biletës dhe zhvillimit në tërësi të aviacionit dhe turizmit shqiptar. Zhvillimet e reja vijnë pas datës 18 Dhjetor 2020, ditë kur kompania lider shqiptare “Kastrati Group”, e themeluar që në vitin 1990, mori në zotërim 100% të kapitalit aksionar të TIA-s, pas blerjes së aksioneve nga kompania kineze “Real Fortress Limited”. Ulja e tarifës së pasagjerit nga 12.5 Euro në 10 Euro është vendimi i parë që ka marrë TIA dhe që do startojë me ndryshimin e Kontratës së Koncesionit të miratuar në vitin 2004. Si pasojë e kësaj uljeje të tarifës, efekti në uljen e çmimit të biletës së avionit dhe në rritjen e numrit të fluturimeve dhe destinacioneve, do të jetë më se i dukshëm. Si pjesë e ndryshimeve të Kontratës së Koncesionit, TIA njofton se një paketë e plotë investimesh, të cilat arrijnë një total prej afërsisht 100 milionë Euro do të jetë në vëmendjen e menaxhimit duke patur në fokus, zgjerimin e kapacitetit akomodues të aeroportit me 6 milionë pasagjerë në vit, zgjatimin e pistës, përmirësimin e plotë të infrastrukturës së aeroportit dhe përmirësimin e ndjeshëm të cilësisë së shërbimeve.

Investimet

Plani i investimeve nga koncesionari i ri është një plan ambicioz, i cili synon të përmirësojë ndjeshëm operimin në aeroportin “Nënë Tereza” dhe ta shndërrojë Tirana International Airport në një shembull pozitiv në rajon, me një impakt të jashtëzakonshëm në rritjen e turizmit në Shqipëri dhe përmirësimin e lehtësisë së të bërit biznes. Bashkë me uljen e tarifës së pasagjerit, pjesë e paketës së ndryshimit të Kontratës së Koncesionit është edhe liberalizimi i Ground Handling Services (Shërbimet në Tokë) dhe liberalizimi i tregut të karburantit të avionëve që do të sjellë kosto më të ulët në çmimin e këtij karburanti. Të gjitha këto ndryshime të rëndësishme do kenë një efekt të menjëhershëm në tërheqjen e linjave të tjera “low cost”, përfshirë Ryan Air, dhe rrjedhimisht do të kenë efekt në uljen e çmimit të biletës që paguajnë udhëtarët e TIA-s. Më tej, me lehtësimin e kushteve të udhëtimit pas pandemisë, këto vendime do të ndikojnë në shtimin e numrit të fluturimeve dhe destinacioneve.

Kalimi i koncesionit

“Kastrati Group” pak ditë më parë bleu koncesionin e aeroportit. Transaksioni mes grupit më të madh në vend dhe kompanisë kineze që zotëronte deri më tani aksionet është regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, ku specifikohet se “Kastrati Group” tashmë disponon 100% të aksioneve të shoqërisë “Tirana International Airport”, që menaxhon koncesionin. Në kontratë bëhet me dije se Kastrati do të paguajë në total 71 milionë euro, të ndara në 2 këste, ku fillimisht do të bëhet një pagesë fillestare prej 15 milionë euro dhe më pas një shumë prej 56 mln euro e konsideruar si shuma e mbylljes. “Real Fortress Private Limited”, pjesë e grupit kinez “China Everbright”, njoftoi në prill të vitit 2016 se kishte nënshkruar marrëveshjen për blerjen e të drejtave koncesionare në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, përmes një transaksioni me vlerë 82.25 mln euro. Po në prill të 2016-ës qeveria njoftoi heqjen e ekskluzivitetit të Rinasit, pas 2 vite e gjysmë negociatash mes koncesionarit dhe Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës. Sipas marrëveshjes së arritur kompania hiqte dorë nga monopoli i fluturimeve, me kushtin që kontrata e saj të zgjatej për dy vjet menjëherë si kompensim për uljen e mundshme të të ardhurave nga fillimi i punës në Aeroportin e Kukësit si dhe me shtimin e afatit të kontratës me 0.5 vite për çdo vit pune që do të kryejë një aeroport i ri i mundshëm në jug të Shqipërisë. Grupi “Kastrati” është ndër më të fuqishmit në vend dhe me marrjen e aeroportit prej tyre pritet që situata në Rinas të ndryshojë.