BREAKING NEWS

Ngjarje e rëndë, panikosen qytetarët/ Të shtëna me armë zjarri në Elbasan! Qëllohet në drejtim të 'Shqiponjave' dhe FNSH!

Ngjarje e rëndë, panikosen qytetarët/ Të shtëna me
x

Sport

Nis sot Ligue 1 e Francës, PSG starton me 8 mungesa titullarësh

Nis sot Ligue 1 e Francës, PSG starton me 8 mungesa titullarësh

Paris San Zhermen bëri një sezon të mirë dhe ia doli jo vetëm të fitojë titullin në Francë, por njëherësh të arrijë deri në finalen e Ligës së Kampioneve, ku u përball dhe humbi me Bajernin e Mynihut. Ishte një paraqitje e mirë dhe një sukses i rëndësishëm për më tepër që pandemia e koronavirusit pengoi shumë gjëra të arrinin nivelin e dëshiruar këtë verë. Sidoqoftë, klubi tani i ka lënë pas sukseset e sezonit të shkuar dhe po mendon për sezonin e ri. Por ka një problem serioz në prag të ndeshjeve të para në kampionatin francez. Bëhet fjalë për javën e parë të ndeshjeve në Ligue 1 të Francës, që starton pikërisht sot, e ku Paris San Zhermen do të ketë jo pak por 8 mungesa të formacionit titullar, diçka e pazakontë për një skuadër kampione të madhe. Alarmin e kanë dhënë vetë mediat sportive franceze që i kanë bërë bilancin e duhur të gjendjes së lojtarëve dhe në një farë mase kanë nxjerrë zbuluar dobësinë e kampionëve francezë në këtë start të sezonit të ri. Gazeta e madhe “L’Equipe”, shkruan se Paris San Zhermen do ta nisë me 8 mungesa sezonin e ri të Ligue 1 ku 7 prej tyre madje janë titullarë. Kampionët e Francës të cilët do të zbresin në fushë të enjten e 10 shtatorit për ndeshjen e javës së 2-të ndaj Lens në program për t’u luajtur në fund të gushtit por që u shty me kërkesën e PSG, nuk do të kenë në dispozicion emra të rëndësishëm për shkak se plot 8 futbollistë janë prekur nga COVID-19 dhe duhet të qëndrojnë në karantinë. Në këtë listë bëjnë pjesë dy portierët Kejlor Navas e Serxhio Riko, por edhe treshja e frikshme sulmuese Nejmar-Ikardi-Mbape ndërsa të prekur me koronavirus janë edhe Di Maria, Paredes e Markinjos. Të gjithë këta futbollistë u infektuan me koronavirus gjatë pushimeve verore, pas finales së Champions League ndaj Bajerni i Mynihut. Në këtë mënyrë trajneri i PSG, Thomas Tuhel do ta ketë shumë të vështirë të krijojë një 11-she kompetitive për sfidën ndaj Lens e cila do të jetë shumë e vështirë për parizienët. Trajneri Tomas Tuhel është përpjekur të mos e lëshojë veten, duke stërvitur elementët që ka në dispozicion, por kushtet e protokollit mjekësor në një anë, kufizimet në merkato, kohën e paktë në dispozicion për të qenë gati për garën dhe dëmtimet e titullarëve kryesorë, e kanë vënë atë në mendime të thella dhe nën presionin e formacioni, ku i duhet të “arnojë” për të gjetur një të mesme funksionale. Mbetet të shihet se me çfarë formacioni do të luajë ai gjatë javëve të para të garës, teksa në klub shpresojnë që dëmtimet të kalojnë shpejt dhe Paris San Zhermen të kthehet atje ku e la si kampione e Francës. Disa shqetësime që ekzistonin më parë janë larguar, pasi Mbape, Nejmar e ndonjë tjetër kanë vendosur të mos largohen nga kryeqyteti francez. Përkundrazi, ata i kanë dhënë besë klubit të PSG-së dhe pritet të bëjnë një tjetër sezon të madh me klubin parizien. Problemi i vetëm është angazhimi në sulm i të gjithëve, kur dihet që nuk ka vende. Është Mbape, Nejmar dhe Ikardi, kryesorët, por ka dhe të tjerë. Sidoqoftë, skema 4-3-3 mund të jetë funksionale dhe Tuhel e ka praktikuar atë.