BREAKING NEWS

Trump mbyll përgjithmonë marrëdhëniet me OBSH, mbështeti Kinën dhe u angazhua kundër presidentit amerikan

Trump mbyll përgjithmonë marrëdhëniet me OBSH,
x

Sport

Nisin problemet, specialistët mendojnë se skuadrat nuk mund të përgatiten brenda 3 qershorit, Idrizi zbulon debatin me Dukën

Nisin problemet, specialistët mendojnë se skuadrat nuk mund të

Federata Shqiptare e Futbollit duket se ka gjetur akordin përfundimtar me Ministrinë e Shëndetësisë që të nisë aktivitetet sportive futbollistike brenda javës së parë të qershorit, madje ka caktuar datën 3 qershor për rinisjen e kampionatit, një datë që duket se ka ndezur debatin, nisur nga fakti se jo vetëm i vë klubet në kushtet e një shpenzimi shumë të madhe për izolimin e skuadrave me autobusë, hotele e mjedise stërvitore, por edhe nga ana fizike është e pamundur që një ekip futbolli të bëhet gati brenda këtij afati, duke ditur që qeveria ka dhënë leje për stërvitje më 18 maj e në vazhdim, por vetëm në formë individuale e jo në grup. me fjalë të tjera, skuadrat e kanë të pamundur që të përgatiten për lojë brenda 3 qershorit, pasi futbollistët e një grupi kanë nevojë për minimalisht 15-18 ditë përgatitje. Nëse pranojmë që stërvitja në grup të nisë më 25 maj, atëherë deri më 3 qershor mbeten vetëm 9 ditë, që janë krejtësisht të pamjaftueshme për të përballuar garën. Duhet të paktën një javë më shumë dhe në këtë analizë faktesh e matematikore stërvitore, duhet që kampionati të riniste të paktën më 10 qershor. Ndoshta me kalimin e ditëve FSHF do të detyrohet ta ndryshojë datën, pikërisht për këtë shkak. Trajnerët kanë folur dhe specialistët e opinionistët gjithashtu. Një skuadër futbolli ka nevojë për një fazë përgatitore më të gjatë, në të kundërt rrezikohet të ketë dëmtime masive të futbollistëve, duke vënë në –pikëpyetje seriozitetin e garës.

Idrizi zbulon debatin me Dukën

Administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi, duket se ka këmbëngulur më shumë se të tjerët që kampionati të mos riniste për këtë edicion, nisur nga fakti se ai asnjë moment në këtë periudhë nuk do të ketë nivelin e duhur dhe futbollistët nuk do të jenë gati për garë të ngjeshur. Për këtë ai propozoi me forcë mbylljen e aktivitetit për këtë vit. Qëndrimin e tij e mbajti për portalin sportiv “Vip Sport”, duke bërë të qartë se gara do të jetë sa për sy e faqe. “Unë dhe një pjesë e mirë ishim për ndërprerjen e kampionatit. Ishim për ndërprerje, por për shkak të kompleksitetit që ka situata, marrëdhënieve që kemi me UEFA-n, do të luajmë. Tani si do të luajmë, me nga dy autobusë, me 10 hotele, 7 karvanë e të tjera si puna e këtyre… Tani me këto masa, në kohë emergjence jemi, do të bëjmë sikur luajmë futboll dhe kaq. Unë i thashë më jepni verdiktin se kam rënë në fushë të betejës, nuk dua më. Por donin të tjerët, jo shumë të tjerë në fakt, vetëm 2 klube ishin për vazhdimësinë. Por gjetëm gjuhën e përbashkët pastaj për datën 3 dhe kaq, luajmë futboll në pisk të vapës, të mbledhim stafin t’i motivosh lojtarët dhe kaq”, tha ai. Më pas komentoi pretendimet e tjera që nuk ishin vetëm sportive. “Unë kam problemin tjetër se ai ligji i famshëm deri më datën 23 qershor, është në Kodin Penal që ndëshkohet çdo njeri i cili në mënyrë pasive shkakton infektim. Tashmë nëse në ndeshjen time shkaktohet një gjë, thotë dikush “pika zero, e mora në Vlorë kontaktin”.Tani unë shkoj penalisht në burg 3 deri në 5 vite sipas Kodit. Nëse Ministria e Shëndetësisë dhe këta të tjerët nuk e marrin parasysh, unë nuk e nxjerr ekipin në fushë se është ajo pika e kuqe në Kod. Kishim një pikë të verdhë, një të gjelbër dhe një të kuqe, e kuqja është gjatë ndeshjes. Do të kem rreth 100 e ca vetë, se aq pranohen aty. Dikush nga këta e ka marrë në vend tjetër dhe thotë e ka marrë në Vlorë, unë ndëshkohem penalisht ashtu. Në protokoll nuk ekzistonte fare kjo, kështu që nuk e di si do të bëhet kjo punë”, nënvizoi më tej Idrizi.

Problemet e Flamurtarit

Në fund ka vend për problemet e Flamurtarit, që nuk janë të pakta, që nisin nga trajneri që ka mbetur jashtë. “Nuk vjen dot e para e punës se nuk është shtetas shqiptar, nuk hyn dot në Shqipëri. Janë lojtarë jashtë, kemi në Kosovë e andej. Do të luajmë me fëmijë, do luajmë me akademinë, çfarë të bëjmë? Nuk e kuptoj, e përsëris, nuk dua të komentoj kurrë anën teknike të futbollit, por më duket pak e çuditshme që me tre muaj pushime të bësh 10 ditë që të vish në formë”, përfundoi Idrizi.