BREAKING NEWS

Koalicion me Ramën në 2021? Ilir Meta jep përgjigjen e prerë, surprizon me deklaratën për Kryemadhin: Jam mërzitur! Do ju tregoj mesazhet e Monikës e Vasilit

Koalicion me Ramën në 2021? Ilir Meta jep përgjigjen e
x

Sport

Një javë nga Botërori i Tajlandës, kuqezinjtë e shtangës luajnë shansin e madh për kualifikim në Tokio-2020

Një javë nga Botërori i Tajlandës, kuqezinjtë e

Peshëngritja është një prej sporteve më efikase në Shqipëri, sidomos sa i takon medaljeve që i ka sjellë vendit nga aktivitetet ndërkombëtare. Padyshim, shtanga vijon të na bëjë krenarë me rezultatet e saj dhe rasti i fundit ishte Briken Calja, nga Kampionati Europian i Gjeorgjisë, por rezultate të larta ka shënuar në aktivitetet e rëndësishme edhe Erkand Qerimaj, shtangisti me rezultatet më të qëndrueshme në arenën kombëtare e ndërkombëtare nga shtangistët shqiptarë. Kuptohet, të tjerët janë larg rezultateve maksimale, por peshëngritja shqiptare shpreson të çojë sa më shumë sportistë në Lojërat Olimpike Verore të Tokios që mbahen vitin e ardhshëm. Dhe peshëngritja jonë po bën përgatitjet e fundit për Botërorin e Tajlandës, i cili starton zyrtarisht më 17 shtator dhe do të zgjasë 10 ditë, duke qenë veprimtaria më e rëndësishme e peshëngritjes për këtë vit dhe me vlerë kualifikuese për Olimpiadën e vitit të ardhshëm në Japoni. Në këtë aktivitet Shqipëria do të marrë pjesë me 4 shtangistë elitarë, të cilët shoqërohen nga dy trajnerët e njohur, Zef Kovaçi dhe Sokol Bishanaku. Është logjike të jenë pikërisht këta trajnerë, pasi Kovaçi ka eksperiencë të gjatë dhe është teknik i Erkand Qerimajt, kurse Bishanaku është trajner i nënkampionit të Europës në dygarësh, Briken Caljes. Ky i fundit është pretendenti kryesor nga ekipi ynë për të fituar medalje dhe Federata Shqiptare e Peshëngritjes (FSHP) dhe presidenti i saj Theodhor Masllavica, shpresojnë fort që Calja të futet në zonën e medaljeve. Nëse ia del, atëherë pjesëmarrja do të jetë e justifikuar, por njëherësh sportisti do të siguronte automatikisht kualifikimin në Olimpiadë. Në të vërtetë, Calja ka rezultate për normën olimpike dhe pritet vetëm konfirmimi zyrtar i tij për të qenë në Tokio-2020. Rivaliteti në peshën 73 kg ku do të garojë sportisti ynë është shumë i madh, por Calja ka treguar gjatë viteve të fundit se ka rezultate në rritje dhe njëherësh është sportist i qëndrueshëm në performancë dhe me një teknikë që sa vjen e përmirësohet. Dy sportistët e tjerë të fuqishëm të ekipit tonë, Erkand Qerimaj dhe Daniel Godelli, do të garojnë në peshën trupore deri në 81 kg. Shkodrani është “ujk i vjetër” në pedanë dhe, nga informacionet që ka përcjellë në rrjetet sociale nga përgatitja e tij, duket i përkushtuar për të bërë maksimumin në këtë Botëror dhe shpresohet shumë që ai të jetë në 6-shen apo 8-shen e parë në dygarësh, gjë që do të ishte sukses i madh. Rivali i tij në këtë peshë, Daniel Godelli, ka disa gara radhazi ndërkombëtare që dështon të klasifikohet në dygarësh dhe besohet se për të ky Botëror është shansi i fundit. Nëse Godelli dëshiron t’ua mbyllë “gojën” kritikëve, duhet që të shkëlqejë në këtë Botëror, të paktën të klasifikohet në 10-shen e parë. Sportisti i fundit i ekipit tonë që do të garojë në Botërorin e Tajlandës është Krenar Shoraj. Ai do të rivalizojë në peshën trupore 89 kg dhe është një sportist me të dhëna të mira. Nuk shihet pretendent për në 8-she, por në garat e fundit ndërkombëtare ku ka marrë pjesë ka regjistruar rezultate impresionuese. Shoraj garon në një peshë me shumë rivalitet, por njëherësh dhe me mundësi për të marrë rezultat. Padiskutim që gara më e vështirë është ajo e peshës 81 kg, pra ku garon Qerimaj e Godelli, ku sfidojnë dhe duelojnë më të mirët e këtij sporti në rang botëror. Shqipëria shpreson dhe beson fort tek shtangistët e saj dhe urohet që ata të dalin faqebardhë nga ky aktivitet, në mënyrë që të përmbushen objektivat. Ky është një shans i madh për shtangën që të korrigjojë gabimet e së shkuarës dhe të fokusohet tek objektivat madhorë dhe ku kryeobjektiv mbetet kualifikimi me sa më shumë sportistë në Lojërat Olimpike të Tokios vitin e ardhshëm. Jo vetëm kaq, por duke iu referuar fjalëve të presidentit të FSHP-së, Theodhor Masllavica, shpresohet që Briken Calja të sjellë medalje nga ky Botëror. Sytë e sportdashësve do të jenë këtë herë nga kuqezinjtë e shtangës.

Adriatik BALLA