Lajme të tjera
BREAKING NEWS

Paketa e Biznesit në mbështetje të çdo biznesi shqiptar

Paketa e Biznesit në mbështetje të çdo biznesi shqiptar
x

Sport

Një tjetër kualitet largohet nga Shqipëria, Dejvi Bregu drejt Superligës turke

Një tjetër kualitet largohet nga Shqipëria, Dejvi Bregu drejt

Një nga futbollistët më të mirë të kampionatit shqiptar të viteve të fundit ka qenë padyshim Dejvi Bregu, i cili luajti me Skënderbeun në nivele të larta dhe tani po sheh mundësinë aktivizimit në një kampionat cilësor. Ka oferta dhe nga brenda vendit për të, por djaloshi vlonjat dëshiron të luajë jashtë vendit, për të fituar eksperiencë dhe për të bërë një hop cilësor në karrierën e tij, drejt një niveli akoma më të lartë. “E ardhmja e Dejvi Bregut vijon të jetë pezull, ndonëse prej kohësh menaxherët e sulmuesit vlonjat vijojnë kontaktet me klube të ndryshme europiane, për të zgjedhur alternativën më të mirë për vijimin e karrierës së tij”, shkruajnë mediume të caktuara sportive në Shqipëri. Koha kalon dhe kampionatet në Europë kanë filluar ose do të fillojnë së shpejti, ndaj edhe sulmuesi pret me padurim të mësojë skuadrën ku do të luajë sezonin e ardhshëm, ndërsa burime mediatike sportive konfirmojnë se ka rënë thuajse fare mundësia e një transferimi në kampionatin polak. Ndërkohë, ish-futbollisti i Luftëtarit dhe Skënderbeut në Kategorinë Superiore ka hedhur poshtë mundësinë e një transferimi në kampionatin e Kosovës, prej ku ka marrë disa oferta javët e fundit. Bregu duket i bindur për të lënë Shqipërinë dhe për të provuar veten në një kampionat më të fortë, që mund t’i shërbejë edhe si trampolinë për karrierën e tij, ndaj edhe në Superligën Shqiptare nuk ka negociuar me asnjë klub. Aktualisht menaxherët e Bregut janë duke negociuar me tre klube turke dhe po studiohet oferta më e mirë në aspektin ekonomik, por mbi të gjitha në atë sportiv, pasi sulmuesi ka nevojë për të luajtur rregullisht dhe për t’u afirmuar. Bisedimet duket se janë në një fazë të avancuar dhe gjasat më të mëdha janë që e ardhmja e sulmuesit anësor të vendoset brenda kësaj jave, ndërsa Bregu duket se do të shtojë edhe më shumë koloninë shqiptare në Turqi, të cilës së fundi sapo i është bashkuar edhe Armando Sadiku. Një lëvizje drejt Turqisë mund t’i hapte Bregut alternativa të mira për karrierën e tij, pasi mund ta shfrytëzonte Superligën e Turqisë si një trampolinë drejt një klubi më të madh apo një kampionati më cilësor në Europë.

E papritur, Arbër Çyrbja largohet nga Teuta

Kur të gjithë prisnin që Teuta të bëjë surpriza të tjera në Europa League, nisur nga performanca e mirë dhe e suksesshme që ka bërë në dy ndeshjet e fundit, një në Europa League e tjetrën në finalen e madhe të Superkupës së Shqipërisë përballë Tiranës, ndodh të ketë largime që mund të ndikojnë në efikasitetin e skuadrës në turin e dytë kualifikues të Ligës së Europës, ku përballë do të jetë skuadra e njohur spanjolle e Granadës. Janë vetë mediat sportive që shkruajnë se ka firo te Teuta në prag të nisjes së kampionatit të ri. Klubi bregdetar dhe Arbër Çyrbja kanë prishur me marrëveshje bashkëpunimin. Teuta e ka komunikuar lajmin nëpërmjet një njoftimi në rrjetet sociale. Duke shpjeguar vetëm që ndarja me 26-vjeçarin ishte në interes të dy palëve. “Arbër Cyrbja nuk është më pjesë e bluve, pasi me marrëveshje të dyanshme ndërpritet bashkëpunimi. KF Teuta komunikon ndërprerjen e bashkëpunimit me lojtarin. KF Teuta dhe futbollisti me marrëveshje të dyanshme kanë vendosur se ndarja në këtë moment është në interes të të dy palëve. KF Teuta me këtë rast falënderon Arber Çyrbjen për kontributin e dhënë në periudhën që ishte pjesë e bluve, duke i uruar gjithë të mirat në të ardhmen”, shkruan klubi durrsak në komunikatën e lëshuar për mediat e të publikuar në llogarinë e tij në rrjetin social facebook. Sidoqoftë, Teuta ka potencial të mirë, pasi trajneri Edi Martini ka mundur ta ruajë grupin bërthamë të skuadrës së tij dhe po punon që “djemtë e detit” të paraqiten si duhet ndaj Granadës. Mrekullitë në futboll edhe mund të ndodhin, por më së pari duhet përgatitje e fortë ndaj një skuadre të fortë dhe trajneri Martini e ka pasur të qartë që në fillim këtë, duke besuar se skuadra e tij mund ta realizojë këtë objektiv. Mbetet të shuhet si do të paraqitet Teuta, por largimi i djeshëm i Çyrbes mund të hapë “gropa” të dëmshme në formacionin durrsak.