BREAKING NEWS

E veshur sportive dhe duke shijuar tingujt e çiftelisë, ambasadorja Yuri Kim shfaqet si kurrë më parë (Pamjet)

E veshur sportive dhe duke shijuar tingujt e çiftelisë, ambasadorja
x

Sport

Notat e kuqezinjve, Hysaj dhe Dermaku më të mirët, Gjimshiti “rrëshqet” pak

Notat e kuqezinjve, Hysaj dhe Dermaku më të mirët, Gjimshiti

Lojtarët e përfaqësueses kuqezi që luajnë në Serinë A patën një të dielë të mirë në tërësinë e tyre, duke marrë vlerësime mbi mesatare për performancën që bënë dhe ishin në faqet e rëndësishme të shtypit italian për punën dhe rolin që patën në lojën dhe rezultatin e skuadrave ku aktivizohen. Padyshim që kjo javë ishte domethënëse për Elseid Hysajn. Kapiteni kuqezi po stabilizohet në formacionin e Napolit dhe jo vetëm luan titullar, por vlerësohet me notë të lartë në fitoret e napolitanëve. Një ecuri e mirë e Kastriot Dermakut, edhe pse Parma e tij humbi. “Gjiganti” i mbrojtjes po rritet në cilësi. Gjimshiti pati lëkundje këtë javë dhe luajti vetëm 45 minuta, kurse për Marash Kumbullën ka vetëm vlerësime maksimale, duke qenë ndër më të mirët e mbrojtjes në Serinë A italiane.

Hysaj e Kumbulla po rriten

Dita e dielë në Serinë A ishte shumë domethënëse për futbollistët kuqezi që aktivizohen në kombëtare. Të gjithë i nisën ndeshjet e tyre prej minutës së parë, ndërsa Elseid Hysaj me Napolin e tij e luajti të plotë sfidën ndaj SPAL duke marrë edhe tre pikë falë fitores, 3-1. Sakaq, në këtë sfidë për SPAL mungoi portieri Berisha, i cili është dëmtuar. Në vlerësimin pas ndeshjes, “Eurosport” ka vendosur notën 6 për Hysajn.“Disa ulje dhe ngritje gjatë ndeshjes, por pa bërë asnjë gabim që rëndon. Shokët e repartit janë më mirë”. Por, nëse Hysaj mori tre pikë, të njëjtin fat nuk e patën Amir Rrahmani dhe Marash Kumbulla të cilët me Veronën e tyre nuk shkuan më shumë se barazimi spektakolar 3-3 ndaj Sasuolos në transfertë. Dy mbrojtësit shqiptarë nuk patën ditën më të mirë të mundshme duke qenë se Kumbulla u zëvendësua në fillimin e pjesës së dytë pasi u ndëshkua me karton të verdhë në të parën, ndërsa Rrahmani nga “Eurosport” u vlerësua me notën 5.5.“Ishte në telashe me kundërshtarin Haraslin në pjesën e parë, pati vështirësi për ta markuar”.Ndërkohë, Kumbulla mori notën 6. “Jep kontributin e tij të zakonshëm, por trajneri Juriç vendosi ta linte në dhomat e zhveshjes duke qenë se kishte marrë karton të verdhë në fraksionin e parë”.

Gjimshiti vuan 45 minuta, ka “rrëshqitje”, Dermaku është “ok”

Atalanta e Berat Gjimshitit vuajti jo pak ndaj Udinezes, megjithatë në fund ia dolën të merrnin tre pikët falë fitores me rezultatin, 2-3. Për mbrojtësin shqiptar sipas “Eurosport” ishte një ndeshje me dy fytyra dhe paraqitja e tij është vlerësuar me notën 5, e kjo reflektohet edhe për faktin se Gjimshiti luajti vetëm pjesën e parë. “Ndeshje me dy fytyra. Mirë deri në minutën e 31, kur në atë moment u mposht nga Lazanja, i cili hap ndeshjen”. Së fundmi, në ndeshjen e darkës, Kastriot Dermaku zhvilloi një paraqitje mjaft pozitive me Parmën kundrejt Interit, pavarësisht se në fund u mposhtën me rezultatin 1-2. Vlen të theksohet se mbrojtësi u aktivizua deri në minutën e 77 dhe deri në atë çast rezultati ishte 1-0 në favor të Parmës. “Eurosport” e ka vlerësuar paraqitjen e Dermakut me notën 6.5. “Një duel muskujsh me Lautaron. U ndëshkua me karton të verdhë, por kjo nuk e bën të tërhiqet. I zoti në leximin e situatave, duke qenë një hap para kundërshtarit”, shkruan rrjeti i njohur televiziv.

Dermaku në fokus të mediave italiane, e bllokoi Lautaron

Kastriot Dermaku ishte titullar mbrëmjen e së dielës me skuadrën e Parmës, teksa përballë ishte Interi. Ekipi emilian ku aktivizohet edhe shqiptari, ishte në avantazh për pjesën më të madhe të sfidës, por në fund u përmbysën nga zikaltrit. Megjithatë, Dermaku rezultoi një nga më të mirët e takimit dhe luajti deri në minutën e 77, kohë kur Parma ishte ende në avantazh. Pas ndeshjes, mbrojtësi shpreh hidhërim për rezultatin duke qenë se realizuan një ndeshje shumë të mirë dhe se golat e pësuar ishin të evitueshëm. “Ka hidhërim sepse sipas meje zhvilluam një ndeshje shumë të mirë. E përgatitëm mirë edhe pse koha në dispozicion ishte e pakët. Ka hidhërim edhe për faktin se pësuam dy gola të evitueshëm, mbrojtëm mirë si dhe patëm mundësi për të dyfishuar. Por, kundër këtyre skuadrave nuk mund t’i lësh asgjë rastësisë. Ishin të zotët ata që besuan dhe shënuan dy gola që mund t’i evitonim”, u shpreh Dermaku.