BREAKING NEWS

“E përdorte emrin e babait tim për t’i hedhur gurë Berishës’, Erion Braçe i jep përgjigjen e fortë djalit të Remzi Hoxhës

“E përdorte emrin e babait tim për t’i hedhur gurë
x

Sport

Nuk ka mrekulli për Kosovën, në finalen e Ligës së Kombeve shkon Maqedonia e Veriut

Nuk ka mrekulli për Kosovën, në finalen e Ligës së

Kosova nuk e realizoi dot objektivin e saj për të shkuar në Europian nga Liga e Kombeve. Në kuadër të Divizionit D, për “play-off”, në gjysmëfinale kosovarët u mundën mbrëmë nga Maqedonia e Veriut me shifrat 2-1. Ishte një ndeshje deri diku e barabartë, me dominimin e ekipit shqiptar, por maqedonasit u treguan më konkretë në finalizim duke shkuar në finale.

Ndeshja

Takimi nisi vrullshëm për Kosovën, e cila i mori kontrollin e mesfushës ekipit kundërshtar dhe krijoi shumë më tepër raste për shënim. Por Maqedonia e Veriut ishte me fat të paktën në pjesën e parë, pasi tre herë erdhi në zonën e Kosovës në 45 minutat e para dhe shënoi dy gola. Kurse Kosova krijoi një lumë me raste dhe shënoi vetëm një gol. Mungesa e eksperiencës në ndeshjet ndërkombëtare e penalizuan jo pak përfaqësuesen e Kosovës, e cila e dominoi, gjithsesi, takimin, jo vetëm në përqindjen e mbajtjes së topit, por edhe në statistika të tjera të lojës me përjashtim të rezultatit. Në minutën e 10-të dhe të 11-të Kosova ekzekuton tri goditje këndi, me të njëjtin qëllim, gjetjen e Nuhiut në zonë që falë shtatlartësisë së tij të gjente rrjetën, por një nga mbrojtësit, Bejtullahi, largoi në vijën fatale, duke evituar një gol të sigurt. në minutën e 16-të Maqedonia e Veriut shënon golin e parë. Disa pasime të sakta të vendasve dhe sfera përfundoi në krahun e djathtë të sulmit tek Ristevski, i cili gjuan kuturu, pa adresë, por një devijim i Kolollit bën që topi të përfundojë në rrjetë, duke nxjerr huq edhe portierin Muriq. 1-0 për Maqedoninë e Veriut, por Kosova nuk u dekurajua, duke rritur hap pas hapi nivelin e lojës së saj dhe duke bërë përpjekje për të barazuar. Tenton me të gjitha format, si nga krahët dhe në qendër, por mbrojtja rivale është e rreshtuar mirë. Por një gabim i portierit Dimitroski që doli shumë përpara dhe me moskuptimin me mbrojtësin e tij bëri të përfitojë topin Hadërgjonaj në minutën e 29-të. Duke parë portën e boshatisur ai gjuan saktë me të majtën, parabol, dhe barazon shifrat 1-1. Kosova nuk ndalet, ka eufori dhe tenton të shënojë golin e epërsisë, por gabon në momentin më të mirë të saj. Një godite dënimi për kundërshtarin bën që kosovarët të ndëshkohen. Topi krosohet në zonë dhe atje me kokë Velkovski godet saktë dhe shënon golin e dytë. Mbrojtja shqiptare e Kosovës ishte e gjitha në gjumë. Sërish përpiqet Kosova të barazojë, por Maqedonia u tregua e kujdesshme në mbrojtje në minutat e mbetura të pjesës së parë.

Pjesa e dytë

Fraksioni i dytë i lojës nuk ishte i mirë për Kosovën. Loja e saj ishte e paqartë në aspektin organizativ dhe i mundonte kthjelltësia në pasimet e fundit. Repartet ishin mjaft larg njëri-tjetrit, dëshmuar me mesfushën e komanduar nga Maqedonia e Veriut. Pandev shënon golin e tretë në minutën e 53-të, por më parë një nga lojtarët maqedonas ishte në pozicion të parregullt. Lojtari më i rrezikshëm për kosovarët bëhet shqiptari Alioski, i cili e bëri “fasho” krahun e majtë dhe shfaqej në çdo rast i lirë në zonë. Ai pati disa raste shënimi por pak gaboi vetë e pak të tjerët, duke mos arritur të shënojë. As Pandev nuk mundi të realizojë pavarësisht se bëri një gjuajtje shumë të bukur në mesin e pjesës së dytë. Në minutat e fundit ai u zëvendësua. Loja e Kosovës ishte apatike për minuta të tëra dhe skuadra e Shalond u kujtua të luante kur mbetën vetëm 10 minuta nga fundi. U bënë disa ndryshime në formacion që sollën pak freski dhe depërtime në sulm. Kundërsulmin e mbajnë ata të Maqedonisë së Veriut që zbresin rrezikshëm në çdo rast. Për Kosovën rasti më i mirë vjen në minutën e dytë shtesë. Një goditje e fuqishme në pozicion diagonal grushtohet nga portieri në ekstrem, topi përfundon në këmbët e Fidan Alitit që ishte fare pranë vijës fatale, por portieri Dimitrovski bën mrekullinë me intuitën e tij, duke devijuar në korne në çastin e fundit. Si përfundim fiton Maqedonia e Veriut me rezultatin 2-1 dhe siguron finalen e Divizionit D të Ligës së Kombeve, duke pasur një shans për të shkuar në Europian.

Gjeorgjia, finalistja e parë e “play-off”-it në Divizionin D të Ligës së Kombeve

Gjysmëfinalja tjetër në Ligën DS, e luajtur mbrëmë në Tbilisi, midis Gjeorgjisë dhe Bjellorusisë, u fitua nga gjeorgjianët me rezultatin 1-0. Goli u shënua me penallti në minutën e 7-të nga Okriashvili. Goli i vetëm i takimit por që i dha të drejtën Gjeorgjisë të shkojë në finale e të ketë një avantazh, që lidhet me faktin se finalja do të luhet në fushën e saj në Tbilisi.