BREAKING NEWS

71 raste të reja në Shqipëri me Covid-19

71 raste të reja në Shqipëri me Covid-19
x

Sport

Partizani e Skënderbeu e nisin pa titullarët, Shkurtajn e josh kalimi tek gjigantët e kryeqytetit

Partizani e Skënderbeu e nisin pa titullarët, Shkurtajn e josh kalimi

Kampionati do të rikthehet në fushë më 3 qershor dhe skuadrat po bëhen gati ta nisin me fitore, sipas objektivave që kanë. Në fakt, një duel interesant këtë mesjavë në rifillimin e Superiores edhe në Shqipëri, është sfida mes Partizanit dhe Skënderbeut, Në fakt, të dyja ekipet kanë pasur mjaft rivalitet në vitet e fundit, e nuk do të mungojë edhe këtë sezon. Janë larg titullit, por këtë mesjavë pritet një tjetër duel spektakolar. Por, si Partizani ashtu edhe Skënderbeu kanë mungesa. Amir Bilali nuk do të jetë ndaj korçarëve për shkak të dëmtimit në nofull që mori në testin miqësor me Turbinën pak ditë më parë. Kurse, Skënderbeu do të ketë disa probleme në sfidën me Partizanin. Kështu, ndaj të kuqve do të mungojnë vetëm mbrojtësi i djathtë Jorgo Meksi për kartonë dhe sulmuesi ganez Alfred Mensah për shkak dëmtimi.

Shkurtaj do një shans në kryeqytet, i ndarë mes Partizanit dhe Tiranës

Vasil Shkurtaj është një prej lojtarëve të shkëlqyer të kampionatit dhe një pretendent për të fituar këtë edicion “Këpucën e Artë”. Së fundmi, ai tregon rreth synimit të tij dhe interesit të Tiranës e Partizanit. “Pesë ditët e para në Spanjë kanë qenë normale mund të dilja xhiro. Ditën e gjashtë u mbyllën të gjitha, u futën të gjithë në karantinë dhe ditën e shtatë më anuluan biletat dhe aty kuptova që kjo situatë do zgjasë për shumë kohë. Më ndikoi keq psikologjikisht. Fillova të përshtatem më situatën dhe fillova të gjej gjëra për tu marrë. Shihja filma dhe bëja stërvitje çdo ditë. Bëra edhe gjëra që nuk mund t’i bëja më parë. Mendova se nëse dal vonë natën nuk do më shikojë njeri dhe pas pesë minutash më ndaloi policia. Kuptuan se jam i huaj dhe më falën, por më paralajmëruan se herën tjetër rrezikoja burgun. Kam patur momente që ndihesha sikur po mbytesha brenda në shtëpi dhe mezi prisja mundësinë të shkoja në supermarket e farmaci, pasi vetëm të shkoje atje lejohej. Më dukej sikur isha në burg. Kur erdha në Durrës për të bërë 14 ditët e karantinës u përpoqa të mendoj pozitivisht dhe mendova se do e kaloj dhe unë si gjithë të tjerët. Kushtet, dhoma dhe ushqimi ishin shumë të mira, por më dukej sikur nuk kalonte koha dhe pesë ditët e fundit më dukeshin si një muaj. Ditën që dola u ndjeva sikur dola nga burgu. Pak a shumë jam stërvitur në shtëpi, por nuk është njësoj si në fushë. Ndihem sikur nuk janë gati muskujt për rinisjen e kampionatit. Do të jetë shumë e vështirë për të gjithë. Në Bundesliga ka pasur shumë dëmtime dhe sidomos këtu që nuk kemi shumë kushte do të jetë e vështirë për të gjithë. Gjendja fizike do të jetë problem, por do të jetë njësoj për të gjithë. Do i japim të gjitha ndeshjeve seriozitetin e duhur. Ndeshjen e fundit kundër Luftëtarit barazuam dhe la ndikimin e saj edhe tani. Besoj shumë te titulli. Deri në momentin që matematikisht nuk ka mbaruar asgjë do të besojmë. Kemi një ekip shumë të mirë dhe do bëjmë maksimumin dhe kemi besim se do u marrim maksimumin atyre 10 ndeshjeve”, tha Shkurtaj. Më pas ai foli për mungesën e tifozëve dhe për “Këpucën e Artë”, për të cilën tha se nuk e kishte fiksim. “Ne jemi mësuar pa tifozë, por nuk do të thotë se dua të shikoj stadiume në Shqipëri pa spektatorë. Edhe në ndeshjen ndaj Tiranës dua të ketë tifozë të tyre, pasi kjo është kënaqësia jonë, të lozim me stadiume me shumë tifozë. Sa i takon “Këpucës së Artë” nuk është fiksim i imi. Dua ta fitoj, por së pari duam të fitojmë kampionatin”, shtoi Shkurtaj. Më tej vjen komenti për të ardhmen. “Për momentin jam lojtar i Kukësit dhe jam plotësisht i përqendruar në objektivat e ekipit. Nuk mendoj asgjë tjetër për momentin. Dua shumë të fitoj kampionatin me Kukësin dhe ta shpërblej presidentin për investimin që ka bërë për mua. Dëshira ime është të luaj jashtë vitin tjetër. Është nder që ekipe si Partizani e Tirana janë interesuar për mua, por fjalën e parë dhe të fundit për mua për momentin e ka Kukësi.