BREAKING NEWS

"Unë kryeministër e ai president", pas deklaratës së bujshme të Bashës, reagon Rama

"Unë kryeministër e ai president", pas deklaratës
x

Sport

Partizani i Demit ka një objektiv: Europën, Sormani zbulon prapaskenat me rivalët

Partizani i Demit ka një objektiv: Europën, Sormani zbulon prapaskenat

Presidenti i Partizanit, Gazment Demi, nuk e ka humbur shpresën që skuadra e kuqe mund të marrë pjesë në Ligën e Europës këtë edicion, por që të ndodhë kjo duhet që kampionati të luhet në fushë dhe në 10 xhirot e mbetura Partizani të sigurojë pikë të mjaftueshme që të kapë të paktën vendin e tretë në renditje, një pozicion të cilin “demat e kuq” mund dhe duhet ta kapin. Ky pozicion i mundëson Partizanit praninë në Ligën e Europës, një kompeticion që sjell të ardhura dhe sa më shumë ture të kalojë skuadra aq më shumë fitime ka. Partizani do ta shfrytëzojë këtë shans, prandaj dhe Demi është parë këmbëngulës, duke u dhënë besim strukturave të klubit, veçmas skuadrës dhe stafit teknik, por edhe duke inkurajuar që ky objektiv të realizohet. Nga ana tjetër, vëmendja e presidentit Demi dhe drejtorit të përgjithshëm të klubit, Olsi Rama, është fokusuar tek kompleksi sportiv në lindje të Tiranës, një kompleks i ri sportiv, krejtësisht investim privat i Gaz Demit dhe që do të jetë shtëpia e re e skuadrës së kuqe dhe e të gjitha skuadrave të akademisë së Partizani, një kompleks që e zgjidh përfundimisht çështjen e Partizanit dhe ardhmërinë e klubit të futbollit.

Sormani ka dilema rreth garës së mbetur, grupi jo në formë

Ndërkohë, trajneri Adolfo Sormani e ka zbritur skuadrën në fushë dhe po përgatit grupin për sfidat e mbetura të kampionatit. Megjithatë, tekniku theksoi se tashmë shumë gjëra do të vareshin nga vullneti i lojtarëve për të dhënë më shumë, sesa nga skema taktike, ndërsa pranon se ata që kanë thyer karantinën kishin një avantazh më shumë sesa lojtarët e tij që kishin rreth 3 muaj pa prekur topin me këmbë. “Kjo është një situatë e çuditshme dhe e ndryshme me periudhën para pandemisë se është e vështirë për të bërë parashikime. Nuk e kemi përjetuar asnjëherë më parë një situatë të tillë. Paraqitja jonë në këtë pjesë të fundit të sezonit do të varet shumë nga dëshira dhe motivimi i lojtarëve tanë. Ndoshta jam keqkuptuar por nuk kam thënë që nuk dua që futbolli të rinisë se i takon qeverisë të marrë vendime. Por duhet të shtoj që koha që kemi në dispozicion dhe temperaturat do të ndikojnë shumë te forma dhe te dëmtimet e lojtarëve. Pas javës të parë në Gjermani regjistruan një numër të madh dëmtimesh dhe duhet ta marrim parasysh një gjë të tillë”, theksoi Sormani. Më pas trajneri foli për rivalët që e kishin thyer karantinën dhe janë stërvitur në fshehtësi. “Duhet të pyesni të tjerët, unë mund të flas vetëm për lojtarët e skuadrës time që nuk kanë zbritur prej 3 muajsh në fushë. Një prej lojtarëve më tha që nuk mund të vishte dot këpucët prej qëndrimit jashtë fushës se i bëheshin këmbët me flluska. Nuk mund të flasësh për të tjerët por nëse dikush është stërvitur me top këtë periudhë është më i avantazhuar. Nuk ka asnjë lidhje stërvitja në shtëpi me atë në fushë. Në shtëpi nuk ka kontakt me topin, rreth 3 muaj pa ndeshje, pa miqësore, lojtarët duhet të jenë shumë të kujdesshëm. Parashikoj ndeshje pa intensitet, nëse nuk ke kushte fizike, nuk je në gjendje të përballesh me kundërshtarët”, shtoi Sormani.

Martini i gëzohet rikthimit të Teutës në stërvitje

Nuk është vetëm Partizani që është kthyer me optimizëm në stërvitje. Edhe Edi Martini i Teutës shpreson të realizojë objektivat sezonale me skuadrën durrsake. “Të them të drejtën, kemi pritur për një kohë shumë të gjatë, por tani na ka ardhur buzëqeshja dhe jemi shumë të motivuar. Besoj se do të jetë një fazë interesante kjo e fundit. Psikologjikisht ka qenë më problem sesa fizikisht, pasi të gjithë janë përgatitur individualisht gjatë kësaj kohe. Megjithatë, kur rri kaq kohë pa punuar me topin, është pak e vështirë, por tani është rikthyer grinta e dëshira. Këto dy muaj shkëputjeje, me këtë periudhë stërvitjeje, më ka shërbyer për t’u njohur më mirë me ekipin, por të shohim si do ecin gjërat. Kam biseduar edhe me çunat gjatë kësaj kohe dhe besoj se duhet të arrijmë në vendin e dytë. Ky është objektivi ynë, ndaj jam optimist se mund t’ia dalim”, tha trajneri Martini.