BREAKING NEWS

Më në fund ‘zhbllokohet' Gjykata e Lartë/ Zgjidhet nënkryetari që do të ketë kompetencat e kryetarit, ja kush emërohet

Më në fund ‘zhbllokohet' Gjykata e Lartë/ Zgjidhet
x

Sport

Partizani kalendar të vështirë për Europën, pengesë janë Teuta dhe Laçi

Partizani kalendar të vështirë për Europën,

Partizani ndodhet aktualisht në vendin e 6-të të renditjes në Kategorinë Superiore, me 41 pikë të grumbulluara, praktikisht (jo teorikisht) jashtë garës për titull, pasi Tirana kryesuese ka 59 pikë, pra 18 pikë më shumë. Partizani nuk është vetëm jashtë titullit, por rrezikon të mos marrë pjesë as në Ligën e Europës këtë edicion, sepse rivalët për këtë pozicion të renditjes (vendet 2 dhe 3) janë më mirë në klasifikim dhe kanë më shumë shanse se të kuqtë. Padyshim që për “demat” ky sezon nuk është i mirë, nisur jo vetëm nga oscilacionet e forta në lojë e në rezultate, por edhe disfatat në disa duele vendimtare pas kthimit nga pushimi i kushtëzuar nga pandemia e koronavirusit. Të kuqtë i ka entuziazmuar disi fitorja e fundit ndaj Luftëtarit, por Skënderbeu, Teuta dhe Laçi, që janë edhe rivalët e tij direktë për një vend në Ligën e Europës, janë në pozita më të forta. Kështu, korçarët janë në kuotën e 48 pikëve, 7 pikë më shumë se Partizani. Më pas vjen Laçi i vendit të katërt, me 46 pikë, plot 5 pikë më shumë se “demat”. E më tej vjen Teuta me 44 pikë, 3 pikë më shumë se Partizani. Të gjithë këta kanë më shumë shanse se “demat” për të arritur objektivin. Kjo teorikisht, pasi praktikisht gara është e hapur, sepse janë dhe 7 xhiro deri në fund dhe ka shumë duele direkte midis tyre, që mund të sjellin edhe surpriza.

Kalendari, aspak favorizues për Partizanin

Kalendari i këtyre 7 xhirove të mbetura të sezonit nuk është aspak favorizues për Partizanin. Përkundrazi, kalendari rezervon për “demat” duelet vendimtare për fatet e objektivit sezonal, sepse përveç dueleve direkte me rivalët, Partizani do të duhet të përballojë dy skuadra që kanë peshë në këtë rrugëtim, duelin me Bylisin, i cili është kockë e fortë për të gjithë, si dhe duelin derbi me Tiranën. Që Partizani të marrë pjesë në Ligën e Europës duhet të mposhtë fillimisht në këtë xhiro të radhës Flamurtarin në transfertë, që shihet një “kockë e lehtë”. Më pas vjen radha e përballje me Laçin, të cilin do ta presë në kryeqytet dhe fusha është avantazhi i vetëm (nëse mund të shprehemi në këtë formë, sepse në kushtet ku operon kampionati, pa tifozë, as ky element nuk përbën diferencë). Më pas vijnë në radhë Bylis (në transfertën e vështirë të Ballshit), derbi me Tiranën, si dhe transferta e vështirë e Durrësit përballë Teutës. Janë tre takime që do të përcaktojnë në mënyrë përfundimtare objektivin e Partizanit, nëse e kap apo jo Europën. Më pas vijnë dy takimet e fundit, një sprovë me Vllazninë në kryeqytet dhe një duel final me Skënderbeun në Korçë, një duel që mund të marrë vlerë të madhe, pasi nga kushtet e pikëve që do të kenë në renditje mund të rezultojë finale e madhe për kualifikim në Europa League. E thënë ndryshe, kalendari për Partizanin është i vështirë, por të kuqtë shpresojnë të përmbushin objektivin duke i marrë ndeshjet një e nga një. Fitorja e fundit ka sjellë entuziazëm dhe këtë e ka shprehur jo vetëm trajneri Adolfo Sormani, por edhe drejtori sportiv Olsi Rama, i cili po vrojton situatën jo vetëm me renditjen, por edhe vazhdimësinë e klubit me elementë, me objektiv ndërhyrjen në merkato dhe fuqizimin e skuadrës për sezonin e ardhshëm.

Kompleksi, fitorja e madhe e Demit dhe Partizanit

Ndërkohë që skuadra po projektin një fazë intensive përballjesh vendimtare për objektivin sezonal, duket se një fitore të parë të madhe Partizani e ka arritur. Dhe ka të bëjë me kompleksin e ri sportiv të klubit, që po merr pak nga pak formë në Tufinë. Kompleksi e shpëton përfundimisht Partizanin në aspektin infrastrukturor, sepse do të ketë fushën stërvitore (dy copë), stadiumin e vet, hotelin dhe të gjithë infrastrukturën mbështetëse, duke bërë që Partizani të jetë një nga klubet më të kompletuara në Shqipëri.