BREAKING NEWS

Shqipëria nuk gjen qetësi / Plas arma në Elbasan, ekzekutohet një person në makinë

Shqipëria nuk gjen qetësi / Plas arma në Elbasan, ekzekutohet
x

Sport

Partizani-Kukësi kryedueli i javës 29, Josa ka në dorë fatet e sezonit për “demat”

Partizani-Kukësi kryedueli i javës 29, Josa ka në dorë fatet

Java e 29-të e Kategorisë Superiore do të shënojë një moment të rëndësishëm në rrugëtimin e këtij kampionati. Disa skuadra luajnë në duele direkte dhe momenti dikton që të ketë një rivalitet të spikatur dhe luftë të fortë për të marrë pikë. Teuta është në kryesim, ndjekur nga Vllaznia e Partizani, por të kuqtë do të kenë një sfidë shumë të vështirë, atë ndaj Kukësit, ku verilindorët janë në vështirësi dhe u duhet të bëjnë kthesën e madhe, në të kundërt rrezikojnë të bien në grupin e skuadrave që luftojnë për mbijetesë e dalin kështu krejtësisht nga objektivat e tyre. Partizani do maksimumin për të qëndruar në vallen e titullit dhe e di që ky është momenti për të bërë diferencën, me shpresën se në fund do ta mbyllë në vend të parë. Që të ndodhë kjo Partizanit i duhet më së pari të marrë tri pikë përballë verilindorëve, një objektiv që nuk është i lehtë dhe në fushën e gjelbërt bëhet akoma më i vështirë. Ndërkohë, edhe Teuta do ta ketë të vështirë përballë Tiranës, ndërkohë që një kalendar më të lehtë ka Vllaznia, e cila pret Skënderbeun. Në fakt e lehtë në letër, pasi përballja me korçarët do të jenë një “kockë” e fortë. Por Partizani e ka më të vështirën në këtë xhiro.

Kukësi, testi i madh për objektivin titull të Partizanit

Ndonëse ka dalë jashtë të gjithë objektivave sezonalë, Kukësi ka si synim ta mbyllë në mënyrë sa më të mirë sezonin në Kategorinë Superiore dhe pas ndeshjes me Tiranën, këtë fundjavë do të përballet me Partizanin. Verilindorët vijojnë përgatitjet për sfidën ndaj “të kuqve”, ndërsa në dispozicion të trajnerit Mirel Josa janë rikthyer mesfushori gjeorgjian Tsintsadze, i cili ka lënë pas dëmtimin dhe mbrojtësi Neman Kurdiç, që ka shlyer pezullimin për shkak të kartonëve. Të dy këta futbollistë do të jenë gati për të luajtur ndaj Partizanit pasditen e të shtunës, ndërsa mungesa e vetme e klubit verilindor do të jetë ajo e mbrojtësit korçar Bruno Lulaj, që ka plotësuar numrin e kartonëve të verdhë dhe do ta shohë ndeshjen nga tribuna. Sfida e të shtunës është mjaft e rëndësishme për Partizanin, që është plotësisht në garë për titullin kampion, kur kanë mbetur edhe 9 javë nga fundi, pasi ka vetëm dy pikë më pak nga Teuta kryesuese. Sa i përket Kukësit, presidenti i nderit, Safet Gjici konfirmoi për “SuperSport” se trajneri Josa dhe të gjithë futbollistët janë në provë deri në fund të sezonit dhe duhet të dëshmojnë se e meritojnë konfirmimin edhe për vitin e ardhshëm.

Xhunior: Rivale kemi Teutën, duam titullin

Stenio Xhunior është një nga lojtarët që po spikat te Partizani në këtë pjesë të dytë të garës. Braziliani që ka qenë më parë pjesë e Shkëndisë së Tetovës duke spikatur si shënues, por edhe në letoni nga ku erdhi te të kuqte, në një prononcim që ka dhënë për “Report tv” ka pohuar: “Të shënosh gola për futbollistët është gjithmonë mirë sepse të jep vetbesimin për të patur një nivel të lartë. Edhe për skuadrën është diçka shumë pozitive. Në dy ndeshjet e fundit kemi luajtur shumë mirë dhe besoj se për ndeshjet e radhës kemi vetbesim shumë të lartë”, u shpreh Xhunior. Braziliani tashmë e njeh mirë kampionatin shqiptar, duke qenë se ka rreth tre muaj këtu, ndërsa duhet theksuar se sipas tij, durrsakët janë rivalët kryesorë të të kuqve në garën për titull. “Besoj se në këto momente është Teuta. Një skuadër që luan fort dhe ka cilësi. Këto janë detaje që tregojnë se është një rival i fortë i Partizanit”, tha braziliani. Në fund, ai flet edhe për gjendjen e skuadrës së tij dhe për takimin e radhës ka shtuar se: “Besoj se kemi një motivim të madh tani sepse vijmë nga rezultatet pozitive. Do luftojmë për tre pikët dhe në këto momente nuk është e rëndësishme se kush shënon apo jep asist, por vetëm fitorja e ekipit”, u shpreh Xhunior në fund të prononcimit.