BREAKING NEWS

Amerikanët të vendosur për pensionimin e Berishës, kujt i është bllokuar viza rrezikon të mbetet jashtë listave, shtohet presioni ndaj Bashës

Amerikanët të vendosur për pensionimin e Berishës, kujt i
x

Sport

Partizani prezanton Ilir Dajën, Rama flet për projekt afatgjatë, te Vllaznia nis revolucioni

Partizani prezanton Ilir Dajën, Rama flet për projekt afatgjatë,

Ilir Daja do të jetë trajneri i ri i ekipit të partizanit. Ai u prezantua dje nga drejtori Sportiv, Olsi Rama. Tekniku i mirënjohur, që ka fituar tituj në Shqipëri me tre skuadra të ndryshme, pranoi se është gati të bëjë diçka të tillë edhe me një të katërt, ndërsa foli me respekt për Partizanin e premtoi punë për të hedhur bazat për një të ardhme të ndritur. “Kam një karrierë 25-vjeçare, por kur vjen në një klub të madh, rritet edhe doza emocionale. Këtë e shikoj edhe nga numri i madh i gazetarëve, që dëshmon se pritshmëritë janë të mëdha edhe nga media, jo më nga tifozët e Partizanit. Kam ardhur në një nga ekipet me më shumë trofe në futbollin shqiptar dhe ka një projekt shumë interesant, për të vazhduar të jetë konkurrues edhe në të ardhmen, ndaj jam i kënaqur që mu besua mua ky projekt”, tha Daja. Trajneri u pyet nga gazetarët nëse objektivi i tij i vitit që vjen do të jetë shpallja e Partizanit kampion. “E dëgjova me shumë vëmendje edhe drejtorin dhe ndoshta do të dalim me një objektiv konkret para startit të kampionatit, kur të shohim edhe përbërjen e skuadrës. Besoj që tifozeria e Partizanit pret që ne të shprehemi në maksimum në lojë dhe në këtë mënyrë mund të shkojmë edhe te rezultati. Duhet të përqendrohemi te objektivat afatshkurtër, për të shkuar te ai afatgjatë”, vijoi Daja. Më tej ai kërkoi që të ketë bashkëpunim brenda ekipit, i pyetur nëse ka folur me drejtuesit për merkaton Daja u shpreh: “Unë nuk jam trajneri i tipit trajner-menaxher si në futbollin anglez dhe besoj në idenë që çelësi i suksesit është bashkëpunimi. Unë jam për një bashkëpunim kolegjial, ku natyrisht që do të jetë prezente edhe vota ime, madje me peshë të madhe. Edhe me grupin që kemi mund të bëjmë gjëra të mira, por do të bëjmë afrime jo thjesht për numër”.

Flet Olsi Rama

Drejtori Olsi Rama foli me superlativa për teknikun Daja. Ai theksoi se klubi i Partizanit është gati t’i plotësojë Dajës të gjithë kushtet për të bërë një punë optimale me skuadrën. “Po bëjmë sot prezantimin e trajnerit të ri të Partizanit, që do të jetë Ilir Daja. Do të donim ta bënim në kompleksin e ri, por duke qenë se nuk ka përfunduar plotësisht, vendosëm të vijmë këtu. Kam kënaqësinë të prezantoj si trajner të Partizanit, një nga trajnerët më të mirë në Shqipëri, të cilin ju e njihni shumë mirë. Ky ishte hapi më normal i Partizanit, pas një sezoni zhgënjyes dhe duhet të them se marrëveshja me Dajën ishte një nga më të thjeshtat që kam bërë në karrierë, ku mjaftoi një shtrëngim dore. Një detaj interesant ishte që nuk më kërkoi emra lojtarësh për të afruar, por kompleksin, fushën me bar dhe kushtet maksimale stërvitore. Ne do të përpiqemi t’i krijojmë të njëjtat kushte që ka pasur te Skënderbeu, por ndoshta edhe më mirë”, tha Rama në fjalën hapëse.

Vllaznia prezanton trajnerin

Ashtu si Partizani, edhe ekipi i Vllaznisë ka prezantuar dje trajnerin e ri, që do të jetë gjermani me origjinë kroate, Thomas Brdariç. Por duket se bashkë me të do të ketë revolucion në stafin drejtues. Trajneri Brdaric u prezantua nga drejtori sportiv Matko Djarmati, i cili bëri edhe përkthimit e 45-vjeçarit në konferencën për shtyp, ndërsa u prezantuan gjithashtu edhe stafi ndihmës i teknikut gjerman. Kështu ndihmësi i tij i parë do të jetë ish trajneri i Besëlidhjes Elvis Plori, ndërsa stafi do të kompletohet nga Safet Osja dhe Ideal Lekiqi, me këtë të fundit si trajner i portierëve të Vllaznisë. “Jam i kënaqur që do të jem pjesë e Vllaznisë. Shpresojmë të arrijmë objektivat që ka klubi për të kapur Kupat e Europës. Kam disa ditë në Shkodër dhe kam parë gjithçka sa i përket klubi, terreneve. Uroj që bashkëpunim të jetë sa më i gjatë dhe i suksesshëm. Iu përgjigja pozitivisht ftesës së një klubi me emër si Vllaznia. Tani duhet t’i futemi punës, pasi skuadra ka nevojë për përforcime”, është shprehur trajneri Brdaric në konferencën për shtyp.