Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Partizani sqaron dëmtimin e Çanit, enigmë kur do të kthehet sulmuesi

Postuar: 18/08/2017 - 07:58

Partizani ka një shqetësim gjatë këtyre ditëve. Ai është sulmuesi Edgar Çani që ka nisur të stërvitet i diferencuar për shkak të një dëmtimi. Klubi kishte tentuar ta mbante të fshehtë këtë fakt, por mediat sportive e zbuluan se Çani mungonte dhe nuk ishte në gjendje të mirë dhe prej dy ditësh situata ishte e ndezur. Më në fund klubi i Partizanit reagoi dje për këtë situatë, duke pranuar më në fund edhe vetë se Edgar Çani vuan nga një dëmtim, por që sipas tyre dëmtimi është muskular dhe nuk paraqet problem për futbollistin dhe për objektivat e skuadrës. Duke ndjekur me vëmendje lajmet e publikuara së fundmi nga mediat e shkruara, klubi përcjell një deklaratë të mjekut të skuadrës doktor Dhimosten Gjini, nëpërmjet të cilës kërkon të informojë mediat dhe opinionin publik sportiv për gjendjen e Edgar Çanit. “Gjendja fizike që po kalon sulmuesi Çani është thjesht sforcim që ka ardhur për shkak të ngarkesës në stërvitje, fakt i cili është konstatuar edhe nga mjeku italian, i cili e ka operuar Çanin. Lojtari për disa ditë do të kryej një program atletik të diferencuar nga grupi për t’u riaftësuar, nën kujdesin e fizioterapistëve. Kjo është e vërteta në lidhje me gjendjen fizike të sulmuesit Çani”, shkruhet në faqen zyrtare në facebook të klubit të Partizanit. Por, nga sqarimi që ka bërë klubi i kuq për sulmuesin ka shumë “kleçka” që nuk marrin përgjigje. Së pari, klubi nuk e sqaron se kur Çani do të kthehet të stërvitet normalisht me pjesën tjetër të skuadrës apo në cilën periudhë ai do të jetë gati për të luajtur. E thënë ndryshe, Partizani foli dje për dëmtimin e Edgar Çanit, sipas tyre një dëmtim i lehtë, por nuk sqaroi se kur do të kalojë ky dëmtim i bomberit. Sa i përket dëmtimit, nuk u tha se në cilat rrethana u dëmtua Çani dhe pse ndodhi pikërisht me të mbërritur në Itali. Mos vallë Çani ishte dëmtuar që në ditën e parë të stërvitjes në Shqipëri? Natyrisht, këtë të vërtetë e di stafi teknik e mjekësor, por klubi i kuq dje, edhe pse doli me një komunikatë për mediat, se gjoja po sqaronte opinionin, vetëm sa e ngatërroi akoma më keq atë. Kryesorja e mbi të gjitha në sqarimin e Partizanit ka një “kleçkë” që lidhet me kohën e rikthimit të sulmuesit në formën e tij normale sportive. Mungesa e sqarimit për kohën ka ngritur pikëpyetje të mëdha për formën e Çanit dhe për disponueshmërinë e tij në fazën e parë të kampionatit për ekipin e Partizanit. Dyshohet se Çani ka një dëmtim të rëndë, por kjo mbetet të verifikohet në ditët në vijim. Duke qenë se skuadra është larg në Itali, klubi është përpjekur ta mbajë të fshehtë informacionin për lojtarin në fjalë, por është kujdesur gjithashtu të jetë hermetike për shumë zhvillime që shoqërojnë klubin e kuq në këtë periudhë përgatitore. Partizani ka bërë blerje cilësore këtë edicion në merkato, duke afruar disa lojtarë që kanë “pasaportë” mjaft interesante, me një karrierë në klubet italiane. Është pikërisht njeriu i merkatos, Luçiano Moxhi, ai që ka iniciuar këto lëvizje, duke besuar se futbollistët e ardhur, edhe pse nuk kishin pasur shumë minuta në ekipet e tyre në kategoritë e ndryshme të futbollit italian (kryesisht serie B), janë në gjendje të shkëlqejnë në kampionatin shqiptar. Natyrisht, nga shumë lojtarë të afruar Çani tërhoqi më shumë vëmendje, sepse ai është pjesë e skuadrës kombëtare të Shqipërisë. Vinte nga një sezon aktiv tek Piza, ku kishte shënuar disa gola, me eksperiencë në shumë klube brenda e jashtë Italisë dhe natyrisht për kushtet e kampionatit shqiptar ai shihet si futbollist që bën diferencë. Por dëmtimi ka ngritur disa pikëpyetje dhe vihet kështu në diskutim edhe aftësia e Partizanit për të qenë kampion në sezonin e ri.

Adriatik BALLA

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 14

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 23/11/2017 - 07:40

Serie A e këtij sezoni njeh shumë skuadra që rivalizojnë për titullin. Natyrisht, një nga favoritet është Juventusi, skuadër që ka fituar shumicën e trofeve të futbollit italian gjatë viteve të fundit, duke bërë ligjin në “Scudeto”.

Postuar: 23/11/2017 - 07:39

Barazimi i Liverpulit ndaj Seviljes mbrëmjen e së martës në Ligën e Kampioneve nuk ka kaluar pa debate dhe polemika të shumta, sepse anglezët ishin duke udhëhequr në pjesën e pa

Postuar: 23/11/2017 - 07:38

Liga e Kampioneve mbylli duelet e xhiros së pestë në fazën e grupeve, ku edhe një herë tjetër konfirmohen skuadrat e mëdha, por këtë herë pati dhe surpriza, pasi Bazeli i Taulan

Postuar: 23/11/2017 - 07:35

Klubi i Kukësit po kalon një krizë në këtë periudhë, shprehur me mungesën e fitoreve në ndeshjet e fundit.

Postuar: 23/11/2017 - 07:34

Fitorja e Partizanit në duelin e javës së 11-të kundër Kukësit ka kthyer shpresat e të kuqve për një rivalitet të ethshëm në garën për titull, dëshmuar me afrimin në renditje ka

Postuar: 23/11/2017 - 07:32

“Gjithçka për fëmijët”, sepse gjithçka duhet të nisë nga ata që futbollin e jetojnë me pasion.

Postuar: 23/11/2017 - 07:31

Kapiteni Gilman Lika ishte një nga më të dalluarit në takimin e Vllaznisë përballë Lushnjës, ndërsa shënoi edhe golin që zhbllokoi sfidën, në minutën e 5-të të takimit.