BREAKING NEWS

‘Krerët e korruptuar të politikës së lartë shqiptare po kërcënohen rrezikshëm’, Spartak Ngjela paralajmëron zhvillime të bujshme në vend

‘Krerët e korruptuar të politikës së lartë
x

Sport

Partizani u jep fund spekulimeve: Trajneri dhe stafi gëzojnë mbështetjen tonë

Partizani u jep fund spekulimeve: Trajneri dhe stafi gëzojnë

Partizani po bën përpjekje të fitojë ndeshjet e mbetura nga Superiorja, për të zënë një vend nderi në klasifikim, që do të thotë një nga tre vendet e para, pozicione që mundësojnë pjesëmarrjen në kompeticionet e UEFA-s. Në fakt, vendin e parë duket se po e “saldon” Tirana dhe është praktikisht pozicion i pamundur për Partizanin kur kanë mbetur edhe 5 xhiro nga fundi i garës, por për një vend të tretë duket se është plotësisht në garë dhe një pozicion i arritshëm, mjafton që “demat” të fitojnë duelet direkte me rivalët e tyre që e lakmojnë këtë pozicion. Kjo pasi për vendet 2 dhe 3 që të çojnë në Europa League janë në garë përveç Partizanit edhe Kukësi, Teuta, Skënderbeu, e sidomos Laçi, ekipe që janë pranë njëri-tjetrin në tabelën e renditjes dhe kjo i ka dhënë madje garës një bukuri të veçantë. Padyshim që fundi mund të ketë surpriza, por të kuqtë duan të shmangin çdo skenar që i sheh ata jashtë Europës, por vështirësia për të realizuar objektivin është e madhe. Ndërkohë, në skuadër ka probleme, pasi, nëse ky objektiv nuk realizohet, atëherë sezoni është totalisht i dështuar. Por të kuqtë besojnë deri në fund dhe për t’i dhënë mbështetje skuadrës dhe trajnerit, ka menduar vetë klubi, i cili, me anë të një komunikate për shtyp shpërndarë në faqen zyrtare në “facebook” ka hedhur poshtë aludimet se trajneri Adolfo Sormani do të zëvendësohet nga Ilir Daja në fund të edicionit. Për t’i dhënë garanci trajnerit dhe stafit, klubi ka mbajtur qëndrim zyrtar, që u jep fund spekulimeve dhe hamendësimeve të shumta të krijuara rreth pankinës së Partizanit.

Komunikata e Partizanit

Nisur nga lajmi që prej ditësh po qarkullon në media dhe portale të ndryshme në vend, FK Partizani ka detyrimin moral përkundrejt opinionit sportiv, por sidomos ndaj punonjësve dhe tifozerisë së skuadrës për të përgënjeshtruar lajmin se klubi është në kontakte me trajnerë të tjerë për të marrë drejtimin e ekipit. FK Partizani dëshiron të informojë, sqarojë mediat dhe sportdashësit, se stafi teknik gëzon besimin dhe mbështetjen e drejtuesve të klubit për të punuar të qetë në arritjen e objektivit të mbetur në këtë sezon jo normal si ky i këtij viti, i kondicioniuar thellësisht nga situata e krijuar prej pandemisë. Saktësojmë se këto lajme nuk bëjnë gjë tjetër përveçse tentojnë të shpërqendrojnë ekipin nga detyra për ta mbyllur këtë fund kampionati me përpjekjet maksimale. E vlerësojmë dhe respektojmë trajnerin Ilir Daja për atë çka arritur në drejtimin e mjaft ekipeve në kampionatin tonë, ashtu si respektojmë dhe klubin e Skënderbeut për kampionatin dinjitoz që po zhvillon, por ky reagim i yni vjen për të respektuar garën dhe mos prishur kurrsesi ekuilibrat në këtë fund sezoni. Ndaj kërkojmë nga të gjitha mediat që të jenë korrekte në pasqyrimin e informacioneve ashtu sikurse Partizani mbetet gjithmonë bashkëpunues me të gjithë dhe kërkon të trajtohet në të njëjtën mënyrë.

Kompleksi i ri sportiv

Ndërkohë që Partizani ka dalë jashtë luftës për trofe, pasi është eliminuar në Kupë nga Besëlidhja që në fazën paraçerekfinale, ashtu dhe në kampionat, ku Tirana ka gati 20 pikë më shumë, duket se energjitë e Partizanit janë përqendruar vetëm për arritjen e objektivit për pjesëmarrje në Europa League. Ndërkohë, të kuqtë mund të krenohen me punën që është bërë nga presidenti i klubit, Gazmend Demi, tek kompleksi i ri i “demave”, një superkompleks sportiv, i vetmi tërësisht privat deri më sot në Shqipëri, që do të mbulojë të gjitha nevojat e klubit të futbollit. Stadium, fusha stërvitore, hoteli, muzeu, ambiente ndihmëse për stërvitjen, akomodimin dhe ushqimin. Me pak fjalë një kompleks ultramodern, nga më të mëdhenjtë privatë në Ballkan, që do t’i japë Partizanit një shtysë të madhe për vitet në vazhdim. Duke kthyer Partizanin në bazë me shtëpi të vetën, për ta larguar nga rrugët ku ishte deri tani, kjo do të jetë sinjal i fortë për një dominim afatgjatë të klubit të kuq në konkurrencën për trofe në futbollin shqiptar.