BREAKING NEWS

MSH: Ndërrojnë jetë 2 pacientë në spitalin Infektiv nga koronavirusi

MSH: Ndërrojnë jetë 2 pacientë në spitalin Infektiv
x

Sport

Partizanit i vjen një lajm i mirë, “infermieria” e Bylisit është mbushur plot

Partizanit i vjen një lajm i mirë, “infermieria” e Bylisit

Partizani do të presë këtë fundjavë Bylisin, në kuadër të javës së 23-të të Kategorisë Superiore, një duel mjaft domethënës për fatet e sezonit, pasi luhet për vend të tretë, por ndoshta Partizani luan edhe për kreun nëse Tirana dhe Kukësi ndahen në barazim. Pra sytë e “demave” do të jenë në dy fronte. Në fillim nga ndeshja e së premtes mes Kukësit dhe Tiranës, pra vendit të parë e vendit të dytë, kurse një ditë më pas zbresin vetë në fushë për duelin me Bylisin, për të dhënë maksimumin dhe për të marrë maksimumin. Por në prag të këtij dueli të rëndësishëm për trajnerin Adolfo Sormani të Partizanit vjen një lajm i mirë. Bylisi ka probleme të shumta dëmtimesh dhe nuk është i plotë dhe kjo përkthehet diçka e mirë për Partizanin. Ballshiotët vijnë pas një paraqitje të mirë ndaj Kukësit edhe pse humbjen ia dolën ta shmangnin vetëm në sekondat e fundit të takimit. Por, sfida ndaj verilindorëve ka lënë pasojat e veta pasi ndaj të kuqve ditën e shtunë, do të mungojë Ardit Peposhi. Futbollisti i mallakastriotëve nuk mundi të mbyllte ndeshjen me Kukësin për shkak dëmtimi dhe u zëvendësua që në pjesën e parë. Nga kontrolli që ka bërë mbrojtësi, ka rezultuar se vuan një tërheqje dhe të paktën dy javë do të jetë pushim. Pas dëmtimit të Edison Ndrecës, Ardit Peposhi do të jetë një tjetër mungesë e rëndësishme në linjën e majtë për ballshiotët. Si Ndreca ashtu edhe Peposhi ishin në formën e tyre më të mirë, ndërsa mungesa e tyre në një sfidë si kjo ndaj Partizanit prish jo pak planet e trajnerit Dovedan.

Edhe Partizani me Bylisin në “Air Albania”

Merr fund dilema për zhvillimin e ndeshjes mes Partizanit dhe Bylisit. Sfida e vetme e cila kishte mbetur pa shtëpi për shkak të kërkesës që kishte bërë klubi kryeqytetas, më në fund është vendosur që të luhet në “Air Albania”. Të kuqtë kishin kërkuar që të luanin në këtë impiant takimin e tyre, meqë gjendja e stadiumit “Selman Stërmasi” lë për të dëshiruar në këto momente. Edhe “Air Albania” është përdorur shumë së fundmi dhe terreni ka filluar të vuajë pasojat, siç u pa qartësisht në ndeshjen mes Tiranës dhe Skënderbeut. Fakti se të premten aty luhet sfida mes Kukësit e Tiranës dhe se para fundjavës priten reshje shiu, kishte bërë që FSHF të hezitonte të kthente një përgjigje pozitive ndaj klubit të kuq, që po merrte në shqyrtim hipotezën që të luhej në Elbasan sfida e radhës. Por në fund është arritur në konkluzionin që stadiumi mund të përballojë dy ndeshje në dy ditë radhazi e për këtë arsye klubi i kuq bëri publik vendimin nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, ku u drejtohej tifozëve për t’i kujtuar që të shtunën në orën 17:00, do të kishin mundësinë që në impiantin kryeqytetas të ndiqnin ekipin e tyre përballë skuadrës surprizë të këtij edicioni në Superiore.

Rivaliteti me kryesuesit

Partizani ka ambicie për titullin dhe është në rrugën e duhur, pavarësisht se në këtë moment mban vendin e tretë në Superiore, me 37 pikë, 5 pikë më pak se Kukësi i vendit të parë e 4 pikë më pak se Tirana e vendit të dytë. Por formula e kampionatit tonë mundëson shumë duele direkte dhe fatet e edicionit vendosen në fazën e katërt dhe të fundit. Bylisi është më larg, por nëse të kuqtë dështojnë atëherë Bylisi mund të afrohet ndjeshëm me kryesuesit. Për këtë arsye kjo javë do të jetë me mjaft ndikim për vazhdimësinë e garës. Ndeshen skuadrat e vendeve të parë e të dytë, si dhe të tretë e të katërt. Kush humbet ka gjasa të dalë nga objektivat, e kush fiton ka shanse të përparojë e të shndërrohet në favoriten kryesore për titull. Të kuqtë e Partizanit dëshirojnë të ruajnë këtë ritëm dhe të kenë lënë pas shpine një herë e mirë problemet. Fundja Partizani është i eliminuar nga Kupa dhe të gjithë vëmendjen do ta ketë të përqendruar në kampionat.